Shtëpia Botuese “Saras” ka hedhur në treg pjesën e tretë të triologjisë me personazh detektivin Jashim, shkruar nga historiani dhe shkrimtari i njohur anglez, Jason Goodwin. Pas “Pema e Jeniçerëve” dhe “Guri i gjarprit” tashmë aventurat e Jashimit zhvendosen në Venecia. Një udhëtim magjepsës në kryeqendrën bri Adriatikut, përmes gjurmëve të një libri që shkrimtari i njohur francez, Aleksandër Duma, kishte shkruar për Pashain e Janinës, Ali Pashë Tepelenën…
Alda Bardhyli
Ajo quhej Karla. Kontesha që ndante jetën e vetme në Pallatin d’Aspi, prej vitesh fshihte përtej perdeve të atllasta të dhomës së gjumit një pikturë. Burrat që flinin në shtratin e saj, nuk mund ta mendonin shqetësimin që ajo ndiente, sa herë vështrimi i tyre prekte perdet. Teksa qirinjtë ndriçonin dhomën e errët, kur ajo ishte vetëm Karla mendonte…Një ditë me siguri, një burrë do t’i rrëmbente zemrën vetëm për t’i rrëmbyer atë pikturë. Por a do të ishte e aftë ta kuptonte? Vetëm dashuria ti vesh sytë, dhe Kontesha me sy të bojëqielltë si ujërat e Adriatikut që lëviznin qetë-qetë bri Kanalit të madh, nuk donte të binte në dashuri. Kur Jashimi mbërriti në sallonin e saj, ajo e kuptoi se përballë këtij eunuku osman, sekreti i saj nuk ishte më i tillë… Ajo mund t’i gëzohej fuqisë së tij mashkullore, do t’i besonte sekrete që nuk ia kishte thënë kurrë një burri, e në fund do të qante për humbjen e një thesari që nuk ishte më në dhomë. Historia e pikturës së famshme të Mehmet Pushtuesit, realizuar nga piktori i njohur italian, Gentile Bellini, është fabula e librit të tretë të serisë me detektivin osman, Jashim, që shtëpia Botuese “Saras” sapo ka nxjerrë në treg. “Portreti i Bellinit”, vjen në shqip nën përkthimin e Fari Laçkës, pas suksesit të dy librave të tjerë me autor shkrimtarin dhe historianin e njohur anglez, Jason Goodwin, “Pema e Jeniçerëve” dhe “Guri i Gjarprit”, i konsideruar nga kritika si një trillim i jashtëzakonshëm e tepër joshës, libri na shpie pas në kohë pikërisht në Venecian e shekullit XIX. Misioni i Jashimit është të gjejë një pikturë të Mehmet Pushtuesit, e cila gjendet në Venecia. Në udhëtimin e tij plot mistere, lexuesi njihet me një botë gati-gati magjike të Venecias së atyre viteve, ku shpalosen bukur dy botë, Lindja dhe Perëndimi. Goodwin është një mjeshtër në ndërthurjen e historisë me thrillerin. Shkrimtari vetë e pranon se si njohës i mirë i historisë, ngjizja për një libër i vjen gjithnjë nga një ngjarje historike. Dhe “Portreti i Belinit” është bazuar në një ngjarje të vërtetë. Piktura e Mehmet Pushtuesit ekziston dhe është një prej tablove më të mira në gjininë e portretit realizuar në Stamboll në vitin 1480 dhe sot ndodhet në Galerinë Kombëtare në Londër. Sulltan Mehmeti ishte i pasionuar pas artit dhe prej kohësh kërkonte një artist i cili t’i realizonte një portret. Ai zgjodhi Belinin, pasi ai e njihte qytetin. Kishte qenë atje bashkë me familjen që në kohën e bizantëve. I ati Xhakobo kishte pikturuar portrete të familjeve perandorake para se të binte Kostandinopoja. Ai nuk ishte as politikan, as diplomat, dhe as tregtar, por kishte thjesht një dhunti. Një aftësi pothuajse magjike për të ndalur, atë që nuk ndalet kurrë, kohën. Pikërisht këtë aftësi që Mehmeti pa te Belini, shkrimtari Goodwin e rimori për të ndërtuar një rrëfim letrar kaq shekuj më vonë, për të depërtuar në dy kryeqendrat e shekullit XIX siç ishte Venecia dhe Stambolli. Piktura e Mehmet Pushtuesit, e cila në libër ruhet nga një Konteshë e cila vinte prej një familjeve të vjetra të Venecias kishte brenda saj diagramin, si simbol i sovranitetit të dikurshëm osman. Bizantinët e kishin futur këtë diagram në ritualet e tyre kishtare. Për ta përfaqësonte bashkimin mes të fundmes dhe të pafundmes. Botën e Zotit me atë të njerëzve. Për venecianët, ai simbolizonte edhe ciklin e përhershëm të tregtisë, ose një kujtesë që gjithsecili ka hise në bujarinë e pafundme të botës. Mehmedi e shihte atë si një simbol të zotërimit duke besuar në thënien “një botë, një sundues, një Zot”. “Portreti i Belinit” të kujton se historia vijon të mbetet bota e mistershme e cila gjithnjë të josh me sekretet që mbart. Gjithnjë ka diçka përtej, qoftë edhe përtej një pikture. Por ajo çfarë e bën grishës botimin e këtij libri në gjuhën shqipe është fakti që një personazh i famshëm i historisë sonë, udhëton gjatë gjithë kohës me Jashimin, në ecejaket e tij për të zbuluar të vërtetën. Ai është Ali Pashë Tepelena. I pasionuar pas figurës së Ali Pashës, Goodwin e risjell Sirish si një personazh letrar te “Portreti i Belinit”, por këtë herë nuk do të flasë vetë për bëmat e Pashait sa mizor aq edhe romantik. Goodwin, përmes personazhit të Validesë, nënës së Sulltan Mahmutit II, i dhuron Jashimit një prej librave më të mirë të shkruar për figurën e pashait shqiptar, “Ali Pashë Tepelena”, shkruar nga shkrimtari i njohur francez, Aleksandër Dyma. Vetëm një libër i tillë kaq frymëzues do ta çonte Jashimin drejt së vërtetës. Ali Pasha kishte aftësinë të gjente nga larg zgjedhjen e një problemi. Në historinë e Perandorisë Otomane ai vijon të jetë si nga personazhet, që do të spikasë gjithnjë sa herë të flitet për atë periudhë. Aleksandër Dyma ishte i tërhequr nga Ali Pasha dhe diplomacia e tij, sa i kushtoi atij jo vetëm biografinë që shkëmbehej si dhuratë në Perandorinë Otomane, por shkroi dhe Konti i Monte Kristos, i pasionuar pas kësaj figure. Dyma e bazoi historinë e tij në ngjarjet e Ali Pashës dhe së bijës së tij, duke pasur parasysh poemën e hershme të Bajronit, “Don Zhuani”, ku i riu Don Zhuan është në prag të vdekjes pasi anija e tij mbytet, por Don Zhuani shpëtohet nga një vajzë shumë e bukur me emrin Haidee. Sigurisht, çdokush në Europë, duke përfshirë edhe Dyma dinte mbi takimin e Bajronit me Ali Pashë Tepelenën dhe mbi miqësinë e vazhdueshme mes tyre, por edhe për antagonizmin e madh të Bajronit ndaj turqve. Ky takim dhe poemat e shkruara më pas nga pena e Bajronit, kanë krijuar një valë shokuese në të gjithë Europën dhe kanë revolucionarizuar letërsinë europiane. Madje, edhe poetët e mëdhenj gjermanë si Gëte, kanë thënë se Bajroni ishte i vetmi pasardhës i vërtetë i tij. Ishte vizita e Bajronit tek Ali Pasha në Shqipëri, ajo që krijoi gjithë atë revolucion. Ja cila ishte arsyeja pse u frymëzua Dyma të shkruante mbi Ali Pashën. Pashai i Janinës, ka pasur një karakter të veçantë, përderisa Dyma e më vonë dhe Viktor Hygo kanë shkruar libra mbi jetën e tij. Aleksandër Dyma përzien në mënyrë tepër kurioze Ali Pashën me dramën e romanit të tij të falshëm, Konti i Monte – Kristos. Duhet patjetër që Pashai i Janinës të ketë luajtur një rol tepër të madh që dy poetët më të mëdhenj si edhe romancieri më i madh i kohës të jenë impresionuar nga kjo figurë e egër. Te “Portreti i Belinit”, Valideja e quan atë një politikan të zotin, dhe një njeri me një energji të jashtëzakonshme që ka sfiduar dhe Napoleonin… “Aq sa është një roman letrar dhe trillim historik, aq edhe një mister. Hetimi i shpie këta detektivë mendjemprehtë, guximtarë dhe tërheqës në Venecia, ku lexuesi fatlum përjetojnë një periudhë të magjishme të historisë së Venecias”, shkruan Usa Today, për këtë libër. Ashtu si të dy librat e mëparshëm të botuar në shqip, Goodwin arrin të na befasojë. Ai është i aftë të nxjerrë personazhe nga historia, apo arkivat ku flenë prej shekujsh dhe t’u japë një jetë të dytë, duke i vendosur në një libër… Ashtu si Ali Pasha, që duket sikur e risjell në shekullin XXI i bindur se energjia e tij është e aftë të ndryshojë kahun e së tashmes. Libri është një leksion i madh historik, duke na treguar se përgjigjet e shumë pikëpyetjeve mbi atë çfarë shoqërojnë sot konfliktet apo marrëdhëniet mes vendeve në rajon, është pikërisht i fshehur diku në histori.
E vërteta e pikturës së Mehmed Pushtuesit
Katër dhjetëvjeçarë pas ngjarjeve të përshkruara në librin “Portreti i Belinit”, Sir Henri Lajard, eksplorator dhe arkeolog i shkëlqyer dhe ambasador i Madhërisë së Saj, Mbretëreshës, në Portën e Lartë në Stamboll, u pezullua nga detyra pas ndryshimeve të bëra në qeverinë angleze. Qeveria e ardhshme propozonte të mbahej një qëndrim i rreptë me Turqinë në pjesën europiane. Sir Henri Lajard njihej si njeri shumë dashamirës ndaj orientalëve.
I dëshpëruar, në vend që të kthehej në shtëpinë e të parëve të tij (mbase është e tepërt të themi që u josh nga pikturat e Kanaletos, pa përmendur këtu rrënojat dhe kornizat e kolonave të lashta), Sir Henri dhe bashkëshortja e tij e re shkuan në Venecia. Blenë një pallat që quhej Ca’ Cappello, jo larg pallatit Ca’ d’Aspi.
Në janar të vitit 1884, ndërsa hipte në gondolën e vet, i afrohet një plak i varfër, i cili i kërkoi që t’i shiste një pikturë të vjetër për pesë paund.
Pa i hedhur pikturës as sytë dhe në nxitim e sipër, sepse ishte me vonesë, Sir Henri nuk pranoi. Hipi në varkë dhe u largua menjëherë.
Kur mbërri në shtëpi e gjeti pikturën mbështetur pas derës dhe e vari në një dhomë të veçantë. Zonja Lajard jetoi edhe njëzetetre vjet pas tij. Ajo ndenji në Venecia, e denjë si vejusha e tij, por shumë e dhënë pas jetës në shoqëri. Banorët më të rinj të pallatit si Henri Xhejm, e njihnin pallatin Lajard me emrin Frigoriferi.
Në testamentin e saj, portretin e Sulltanit Mehmed II pikturuar nga Belini, zonja Lajard ia linte muzeut National Gallery në Londër.
Hollësitë për dëmtimin e pikturës, që me sa dukej kishte ndodhur kur ishte hequr nga dërrasa dhe ishte hedhur në kanavacë dhe për restaurimin e bërë në shekullin XIX, mund të merren nga galeria. Edhe dëmtimi, edhe restaurimi u quajtën aq të rënda, sa kuratorët me shumë kujdes e kanë etiketuar pikturën si atribuuar dhe jo pikturuar nga Gentile Belini.
Piktura vazhdon udhëtimin nëpër botë. Pak kohë më parë ishte në Venecia dhe para saj, në mbarim të shekullit të kaluar tërhoqi jashtëzakonisht shumë njerëz kur u paraqit në Stamboll. Vërtet për t’u çuditur, që teksa shkruaja këtë libër, Sotheby’s në Londër shiti në shumën prej gjysmë milion paund, një portret të njëjtë, por më të vogël të Mehmedit II, pothuajse me po ato përmasa si ai që Palevski pa në pallatin d’Istria. Me sa duket ishte ndonjë kopje e vonë e pikturës së Belinit.
Për sa i përket albumit me vizatime nga i ati, të cilin Gentile Belini ia kishte dhuruar Sulltan Mehmedit në vitin 1480, në të vërtetë ishin dy albume. Njëri në letër, blerë në një treg në Smirna në vitin 1823 dhe gjendet në British Museum, tjetri, punuar më imët, në pergamenë, ruhet në muzeun e Luvrit.
Ai u zbulua në papafingon e një shtëpie në Guenne të Francës, në vitin 1886.
Hani i Turqve mbeti rrënojë pa vënë dorë njeri deri në vitin 1860, kur u ble nga bashkia dhe u kthye në gjendjen e tanishme. Në vijim të motos së restauruesve, com’era, dov’era, u bë çdo përpjekje e mundshme për të rimodeluar ndërtesën si pallat bizantin i shekullit të dymbëdhjetë. Rrjedhimisht, të gjitha gjurmët e madhështisë së parë, si dhe të rrënimit të saj u fshinë krejt.
E veshur me mermer ngjyrë gri dhe e ristrukturuar nga brenda, tani ajo është ndoshta ndërtesa më e shëmtuar në Kanalin e Madh.