Autoritetet franceze: Vdiq nga dehidratimi, kishte humbur orientimin
Ora 8:55 - Pritet të arrijë sot në aeroportin “Adem Jashari” të Prishtinës trupi i pajetë i poetit Ali Podrimja. Ministria e Jashtme e Kosovës ka njoftuar se ka marrë masa për të gjitha procedurat e rikthimit të trupit
Ora 12:00-14:00 - Do të mbahen homazhet në nder të poetit në Akademinë e Shkencave dhe Arteve të Kosovës, ndërsa do të përcillet në orën 14:30 në varrezat e Prishtinës. Gjatë këtyre ditëve janë mbajtur një sërë përkujtimoresh dhe orë letrare
Autopsia - Autoritetet franceze kanë njoftuar se vdekja e poetit Ali Podrimja ka ndodhur për shkaqe natyrore. Pas autopsisë që u krye ditën e martë, u tha se poeti nuk kishte shenja dhune dhe mendohet se ka vdekur nga dehidratimi, pasi kishte humbur orientimin
Ali Podrimja ka vdekur nga dehidratimi. Ky ka qenë përfundimi i autopsisë, duke theksuar se në trupin e poetit nuk janë gjetur shenja dhune. Pretendohet se poeti ka humbur orientimin në zonën periferike, 4 kilometra larg qytetit Lodeve dhe për pasojë ka pasur probleme dehidratimi. Nga ana tjetër, dyshimet nuk kanë munguar edhe pas kryerjes së autopsisë, pasi thuhet se zona ku është gjetur trupi i pajetë i shkrimtarit kishte pamje nga qyteti dhe poeti mund të orientohej. Gjatë këtyre ditëve, duke qenë se ndarja e poetit nga jeta ishte e mistershme, u mendua herë për vetëvrasje, e herë edhe për ndonjë sulm që mund t’i kishin bërë. Autoritetet franceze që në fillim paralajmëruan një vdekje të natyrshme, gjë të cilën e kanë konfirmuar edhe pas kryerjes së autopsisë të martën. Ndërsa raporti përfundimtar do të mbërrijë pas reth dy javësh, për shkak të procedurave ligjore, trupi i pajetë i poetit Ali Podrimja do të mbërrijë sot rreth orës 8:55 minuta në Prishtinë në aeroportin “Adem Jashari”. Homazhet në nder të tij do të mbahen sot, ora 12:00-14:00 në Akademinë e Shkencave dhe Arteve të Kosovës, ndërsa do të përcillet në orën 14:30 në varrezat e Prishtinës. Gjatë këtyre ditëve janë mbajtur një sërë përkujtimoresh dhe orë letrare me poezi të Podrimes, ndërkohë që kolegë e miq të ngushtë i kanë kushtuar një sërë artikujsh në shtypin e përditshëm shqiptar dhe kosovar. Ambasada e Kosovës në Francë gjatë ditës së nesërme do të mbajë në Paris një akademi përkujtimore për nder të jetës dhe veprës së poetit Podrimja, ku pritet të marrin pjesë trupi diplomatik i akredituar në Paris, përfaqësues të institucioneve franceze, poetë, shkrimtarë e intelektualë francezë, si dhe qytetarë të tjerë. Ali Podrimja është gjetur pa jetë pasditen e së shtunës, në periferi të qytetit Lodeve, pranë një rrjedhe uji. I ftuar në festivalin e poezisë “Voix de la Mediterranée”, poeti nuk ishte parë prej së martës, ndërkohë që familja kishte lajmëruar përmes Ambasadës së Kosovës në Francë policinë, e cila nisi kërkimet për poetin. Fillimisht u mendua se bëhej fjalë për një ngatërrim të adresës, pasi miqtë pohuan se poeti kishte filluar të kishte probleme me kujtesën, por humbja e tij rezultoi fatale. Shumë miq panë te vdekja e tij pranë një lumi, lidhje simbolike me djalin që kishte humbur para shumë vitesh po në Francë, por rrethanat do të mbeten gjithnjë të mistershme.
Dëshmia
Poetja Ilire Zajmi Rugova ishte e vetmja që kishte udhëtuar në festivalin “Voix de la Mediterranée” së bashku me Ali Podrimen. Ajo i kishte humbur kontaktet me poetin që prej së martës, ndërkohë që është shprehur se nuk mund ta imagjinonte se do të udhëtonte bashkë me poetin Ali Podrimja për një festival poezie në Francë, e do të kthehej vetëm në Kosovë. “S’e kisha imagjinuar kurrë se do të shkonim bashkë, do të ma lexonte poezinë e fundit të cilin e kishte shkruar, ‘Fustani i verdhë’, do të më fliste aq shumë për Lumin, madje do të ma dhuronte edhe një herë veprën ‘Lum lumi’, e unë do të kthehesha në Kosovë pa të”, është shprehur Zajmi – Rugova, në një orë letrare që Unioni i Shkrimtarëve dhe i Kritikëve Shqiptarë ka mbajtur të martën paradite në Bibliotekën Kombëtare dhe Universitare të Kosovës. “Nuk gjej fjalë që të shpreh dhembjen e kësaj vdekjeje tragjike. Tekefundit ai vdiq ashtu siç jetoi, dhe këtë e kupton vetëm një poet”, ka thënë Zajmi – Rugova. Të dy bashkë të hënën e javës së kaluar kishin udhëtuar nga Aeroporti i Prishtinës për në Lodeve të Francës, ku është mbajtur edicioni i 15-të i festivalit të poezisë “Zërat e Mesdheut”. O.Lila