Alicka E njoh ligesine qe fshihet pas moralit te mire

Aliçka: E njoh ligësinë që fshihet pas moralit të mirë
\"\"\"\"

Duke marrë një portofol të dytë diplomati në më pak se një vit (më 2007 u emërua ambasador në Francë), 57-vjeçari, tregon për momentet kryesore të jetës dhe sigurisht për burkokracinë, lidhjet e thata me të cilën nuk i ka fshehur asnjëherë, madje me nyjet e tyre ka bërë letërsi.

Është autori që shpërtheu një stinë të mirë me prozën e shkurtër më 1997, me vëllimet me tregime «Kompromisi» dhe «Parullat me gur», dhe gati dhjetë vjet më vonë me romanin « Një rrëfenjë me ndërkombëtarë» mbi anën e panjohur të ndërkombëtarëve të Shqipëri. Ka shkruar dy skenare «Parullat» (regjia Gjergj Xhuvani) i vlerësuar skenari më i mirë shqiptar në Festivalin e 12-të dhe «Kronikë e një province» (regjia Artan Minarolli).

Nga burokrat (ju shpesh e keni përdorur këtë cilësor për veten) në një përfaqësi diplomatike në atdhe, diplomat jashtë atdheut. Çfarë ndryshoi tek ju?

Gati gjithçka, vendi i jetesës, i punës, ndjenja e të qënit shef, rrethi miqësor. Natyrisht që pjesa më e madhe e këtyre ndryshimeve është për mirë, ndryshe nuk kisha pse e pranoja këtë post të priviligjuar.

Tani që, përveç Francës ju është ngarkuar edhe përfaqësimi në UNESCO, ndiheni më afër çështjeve të kulturës?

Është një fushë që unë e kam për zemër, kjo dhe nga përvoja që kam fituar duke punuar në këto fusha. Porse dëshirat, idetë dhe projektet nuk përputhen me mundësitë financiare.

Në ç\'mënyrë e mbulon ambasada jonë në Francë zonën diplomatike për Francën, Portugalinë dhe Algjerinë? A është e vërtetë ajo që thuhet për ambasadat tona nëpër botë, "shtëpi një dhome e një kuzhinë"?

Në Paris nuk është rasti, pasi kemi një apartament me më shumë se kaq sa thoni ju, në një lagje të mirë. Veçse krahasuar me pjesën dërmuese të trupit diplomatik atashuar në Paris, duhet të them se kjo e jona është më poshtë. Nga ana tjetër, është për tu theksuar se Qeveria ka një plan për blerjen e disa ambasadave të reja, midis të cilave dhe në Francë.

Në lidhje me Portugalinë apo Algjerinë, është praktikë botërore që një ambasadë të përfaqësojë vendin e vetsi rezident në vendin kryesor dhe jo rezident në disa vende me më pak marrëdhënie. Por po të marrësh parasysh dhe ngarkesën e UNESCOS, që u shtua kohët e fundit, si dhe të Organizatës Botërore të Frankofonisë, që unë mbuloj, kuptohet që janë shumë. Fatmirësisht ka një projekt për hapjen e një ambasade të re në Portugali.

Kur keni qenë i lumtur?

Kur më transferuan nga fshatrat e thella (ku kam kaluar 11 vjet) për në Tiranë. Të njëjtën ndjenjë kam provuar kur ra diktatura në fillimin e viteve 90.

Cili është kujtimi juaj më i hershëm?

Do kem qenë rreth tri vjeç kur kam ndjerë frikë tek pashë një të vdekur që po e lanin me sapun rrobash, veshët e të cilit ishin plot shkumë, mbi një tavolinë të vjetër druri në një oborr tiranas me kalldrëm.

Cilin person të gjallë admironi dhe pse?

Ato vlera që e bëjnë një njeri të admirohet i has më shumë te njerëzit jo publikë.

Me pak vëmendje mund të mrekullohesh çdo ditë nga intuita apo fisnikëria e dikujt, nga dinjiteti apo kurajua që mjaft njerëz përballen me vështirësi apo fatkeqësitë e jetës, pa jargavitje apo jeremiada këlthitëse.

Nuk e harroj kurrë fytyrën e një fshatari me biografi të keqe në fshatin ku punoja. Në radhën e bukës për të blerë bukën me zhavorr të kooperativës, sapo vinte radha e tij shitësja e kooperativës jo pa kënaqësi gërthiste: buka u mbarua!

Ai nuk thoshte gjë, fytyra i ngurtësohej si shkëmb dhe i vetmuar kthehej nëpër shi me trastën bosh. Në shtëpi e prisnin një tufë fëmijësh. Mbi qerpikë i vareshin disa bulëza uji. Nuk isha i sigurtë nëse ishin lot apo pika shiu, pasi ai nuk kishte ombrellë.

Çfarë nuk pëlqeni tek vetja?

Pasiguria dhe ndonjëherë mungesa e kurajos së nevojshme.

Cila është prona juaj më e çmuar?

Fëmijët.

Cila është forca, energjia juaj më e madhe ?

Më pëlqen të them krijimi, në të gjitha dimensionet e tij.

Çfarë ju bën të zymtë ?

Mos të bërit asgjë.

Për çfarë iu detyroheni prindërve?

Sakrificat për të më rritur dhe shkolluar.

Cili është zakoni juaj më pak i bukur?

Nuk festoj ditlindje dhe s’bëj dhurata për të tjerët në kësi rastesh.

Cili është libri juaj i preferuar?

Në kohë të ndryshme kam pëlqyer libra të ndryshëm. Por mund të përmend me këtë rast “Imorali” i Andre Zhidit, apo “Koncerti” i Kadaresë.

Cilin do kishit dashur të shkruanit?

“Perandori” i Riçard Kapuçinskit.

Cila është gjëja e më e keqeqë ju kanë thënë?

Një aludim i një shkrimi në një gazetë para 14 vjetësh se unë mund të kem qenë bashkëpuntor i sigurimit, nga fakti që në vitin 1990, qeveria e asaj kohe më lejoi të shkoj në Francë pasi fitova një bursë!! Pa modesti them se në realitet ka qenë e kundërta.

Kujt do donit t’i thoshit më vjen keq dhe përse ?

Një studenteje të kursit të Psikologjisë, ku unë jepja para disa vitesh leksione Etologjie. Në provimin e lëndës mbaj mend që pasi kisha vënë shumë nota të larta, dhe kur erdhi radha e saj, u kujtova që po e teproja me nota të larta. Ajo u përgjegj shkëlqyeshëm dhe unë i vura pa të drejtë një notë më të ulët seç meritonte, ndofta duke i dëmtuar mesataren, pasi më vonë mora vesh se ishte studente me të gjitha dhjeta. Ajo nuk reagoi aspak, veçse nuk e harroj vështrimin e saj të trishtuar, me sy të mbushur me lot zhgënjimi. Natyrisht ndaj meje.

Cila është ajo kënaqësi që ju bën njëherësh të ndiheni në faj?

Teksa dëgjon për ndonjë fatkeqësi të tjetrit dhe fshehtas kënaqesh për faktin që shyqyr që s’më ndodhi mua.

Cili është mendimi juaj për dashurinë?

Dashuria është kënaqësi e madhe, por kam përshtypjen se nuk jam unë i pari ta kem thënë këtë gjë.

Si qetësoheni ?

Me sport, me gjumë, me verë. Natyrisht ka dhe ndonjë gjë tjetër që nuk ja kujtoj emrin.

Cilën konsideroni arritjen tuaj më të madhe?

Disa nga tregimet e mia.

Kinema apo letërsi ?

Letërsi.

Çfarë muzike do donit të luhej në funeralin tuaj ?

Më ka qëlluar të asistoj në Paris, në funeralin e regjisorit franko-polak Kryzstof Kiesloëski (një regjisor imi i preferuar), ku dëgjova rekuiemin që kishte kompozuar me këtë rast autori i muzikës së filmave të tij të njohur “Blu” e “E bardhë”, “E kuqe”, Zbignieë Preisner. Jehona e korit të vajzave nën kupolën kumbuese të kishës të joshte të vdisje sa më parë.

Si do donit t’ju kujtonin?

Ashtu siç jam, me të mirat e të këqijat.

Cili është mësimi më i madh që jeta ju ka dhënë?

Të kuptoj ligësinë apo padrejtësinë fshehur pas cipës së hollë të moralit të mirë dhe natyrisht të mos habitem me këtë gjë.

Ku do donit të ishit pikërisht tani?

Shqipëria më pëlqen (përveç plehrave). Por si kushdo, kam mjaft kënaqësi të udhëtoj.

A është diplomacia kohë e denjë për të shkruar kujtime?

Personalisht kam më tepër kënaqësi të bëj letërsi mbi diplomacinë se sa të shkruaj kujtime.

Ju po shkruani ndërkohë dhe çfarë?

Jo, kam shumë punë rutinë. Megjithatë përpiqem të mbaj shënime.


Gazeta: Shekulli


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama