Alienet e Rosuellit misteri qe vazhdon qe prej 8 korrikut te vitit 1947

Alienet e Rosuellit, misteri qe vazhdon qe prej 8 korrikut te vitit 1947
Më 8 korrik të vitit 1947, gazeta lokale "Roswell Daily Record" shiti shumë më tepër kopje nga zakonisht. Titulli i madh i faqes së parë tërhoqi vëmendjen e të gjithëve, edhe atyre që kurrë nuk kishin blerë gazeta në jetën e tyre: "RAAF kap një disk fluturues në një fermë të krahinës Rosuell".RAAF janë inicialet e "Roswell Army Air Field", në atë kohë një prej bazave më të mëdha ajrore të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.Lajmi nuk ishte sajuar aspak në redaksinë e gazetës, por mbështetej në një komunikatë zyrtare të forcave ajrore amerikane.E publikoi edhe gazeta "Sacramento Bee", nën titullin "Ushtria bën të ditur se zotëron një disk fluturues, të gjetur në një fermë të Nju-Meksikos".

U deshën pak orë, ose vetëm pak minuta, të nisnin të binin telefonat nga Uashingtoni, sidomos në skrivaninë e autorit të pakujdesshëm të komunikatës.U dha menjëherë një konferencë shtypi, në të cilën zëdhënësit e forcave ajrore pranonin se diçka kishte rënë nga qielli, por që bëhej fjalë për një ballonë sondë eksperimentale të mbajtur sekret, kurrsesi UFO.Cili nga versionet ishte i saktë, i pari apo i dyti? 60 vjet më pas vazhdohet të diskutohet mbi këtë ngjarje, pa mbërritur në përfundime.Quhej Uilliam "Mak" Brazel njeriu që vuri re i pari copat e çuditshme metalike në fermën e familjes Foster, rreth 100 kilometra nga Rosuelli, ku ishte i punësuar.Natën e mëparshme kishte dëgjuar një shpërthim shumë të fortë, por në fermë nuk kishte telefon dhe u deshën ditë përpara se Brazel të vinte në dijeni sherifin Xhorxh Uilkoks.

 Prej javësh njerëzit thoshin se shihnin disqe të çuditshme fluturues në qiell dhe ndoshta kauboji Mak kishte gjetur një prej tyre.Uilkoks shkoi në vend, mori disa nga mbetjet e objektit të çuditshëm dhe i shpuri atje ku mund të dihej diçka për to, te zyrat e RAAF.Forcat e ushtrisë ndërhynë menjëherë dhe rrethuan zonën. Versioni i dytë i ofruar nga ushtarakët dhe i publikuar gjerësisht në shtypin e kohës, bëri të heshtnin spekulimet dhe për incidentin e Rosuellit nuk u fol më, të paktën për ca kohë.Në vitin 1978 fizikani nuklear, Stanton Friedman, intervistoi ish-majorin Xhesi Marsel, i cili në atë epokë ishte në krye të Departamentit të Inteligjencës së RAAF.Rrëfimi i tij i hoqi pluhurin ngjarjes së Rosuellit dhe e ngriti në rangun e incidentit urologjik më të famshëm të historisë, të paktën për ata që i besojnë. Majori Marsel, tashmë në pension, tregoi se historia e balonës sondë nuk ishte tjetër veçse manovër mbulimi. Ai vetë i kishte parë dhe prekur mbetjet, madje i kishte transportuar në një bazë në Teksas."Ishin gjëra që nuk i përkisnin kësaj bote", i tregoi Fridmanit. Ishin fletë metalike të lehta e fleksibël, si të qenë letër. Ishin shumë të forta, nuk digjeshin dhe kishin të shkruara simbole të ngjashme me hieroglifët.

Por në rast se mbetjet i përkisnin diçkaje të një bote tjetër, ku përfunduan ata që e kishin pilotuar deri në fermën e familjes Foster? Përgjigjen e gjeti i pari Çarls Berlitz, autor shumë i dhënë pas ufove, civilizimeve të humbura e trekëndëshave të Bermudës në librin e botuar në vitin 1980, "Incidenti i Rosuellit". Berlitz dhe bashkëpunëtorët e tij folën gjerë e gjatë me shumë dëshmitarë të gjallë dhe me të afërmit e atyre që kishin vdekur me kalimin e viteve. Një prej tyre, Barni Barnet, një arkeolog që ndodhej ato ditë për punë bashkë me disa kolegë në afërsi të zonës ku ndodhi incidenti, rrëfen se përpara se të largoheshin me nxitim nga ushtarakët, kishin parë trupa alienësh që transportoheshin për diku.

Ekzistenca e këtyre trupave vërtetohet nga deklaratat e dhjetëra dëshmitarëve të tjerë, mes të cilëve edhe disa ushtarakë që treguan edhe destinacionin final të trupave: Baza Ushtarake e Eduards. Siç mund të merret me mend, provat për këtë mungojnë.
Por në rast se alienët vërtet kishin ardhur në Tokë, sigurisht që diku ruheshin edhe fotot, apo filmimet e kryera nga ushtarakët.

Rei Santili, një producent britanik videosh muzikore, në vitin 1990, në rrugë postare i ra në dorë një prej tyre: bëhej fjalë për autopsinë e një Alieni.Filmimi bardhë e zi u projektua në Londër dhe në 30 vende të tjera të botës. Pamjet tregonin edhe disa mbetje të mjetit fluturues. Mos bëhej fjalë për provat që mungonin?Autoritetet e forcave ajrore padyshim që e morën seriozisht zhurmën e shkaktuar nga filmimet e Santinit.

E quajtën sajesë, por nga ana tjetër pohuan se në vitin 1947 diçka që ngjante me një trup ishte transportuar nga ferma në Rosuell. Sipas tyre bëhej fjalë për manekinë të përdorur për eksperimente në balonën sondë.Të gjitha të rejat që janë publikuar lidhur me këtë incident janë pasuar nga përgënjeshtrime të menjëhershme dhe filmimi i autopsisë nuk mund të bënte përjashtim. Më 4 prill të vitit 2006, gjatë një interviste televizive dhënë për "Sky", Santili pranoi që e kishte falsifikuar filmimin, por këtë e bëri në mënyrë shumë të çuditshme.Tregoi se e kishte marrë filmin, se e kishte parë, por që e kishte dëmtuar rëndë për shkak të pakujdesisë. Prandaj vendosi ta xhironte përsëri me disa shokë, duke përdorur një manekin, e duke ruajtur vetëm pak nga sekuencat e filmit origjinal që kishin arritur të shpëtonin.Një gjysmë përgënjeshtrimi, i cili nuk arrin t‘i bindë ufologët, të sigurt se fazat e autopsisë që vërehen në film nuk mund të kryhen nga kushdo, por vetëm nga mjekë ekspertë.Do të mund të mësohet me saktësi ç‘ndodhi vërtet atë ditë në Rosuell? Xhon Podesta, ish-asistent i Bill Klintonit dhe tashmë i bashkëshortes së tij, i pyetur për ufot këshilloi që Shtëpia e Bardhë të vendoste hapjen e dosjeve më të vjetra se 25 vjet, "duke u dhënë kështu mundësinë shkencëtarëve të kenë në dorë të dhënat e nevojshme për të kuptuar natyrën e vërtetë të këtyre fenomeneve". Billi nuk ia vuri veshin? Mos ndoshta Hilari do të veprojë ndryshe?

Artikujt e fundit


Reklama

Reklama