Mbrojtësi i përfaqësueses shqiptare, Naser Aliji, në sezonin e ardhshëm do të luajë në Bundesligën 2, pasi ka zgjedhur t'i bashkohet një klubi gjerman. Futbollisti ka lënë në mes pushimet e tij pas Euro 2016, për të udhëtuar drejt Gjermanisë, ku pritet të firmosë me Kaizerslautern.
Sipas të përditshmes gjermane "Kicker", gjatë ditës së premte, futbollisti do të kryejë vizitat e detyruara mjekësore, para se të hedhë firmën në kontratën trevjeccare me këtë klub.
Nuk është mësuar ende se sa do të paguajë Kaizerslautern për lojtarin i cili kishte edhe një vit të mbetur në kontratën e tij me Bazelin.
Aliji ishte monitoruar edhe nga Hanoveri, që kishte kontaktuar me mbrojtësin e majtë të përfaqësueses shqiptare, por ai ka zgjedhur përfundimisht Kaizerslauternin, një nga klubet më të njohur në Gjermani.