Alimucaj i pandehur fshehu 1 mln USD te VEFA-s ne Hungari

Alimucaj i pandehur, fshehu 1 mln USD te VEFA-s ne Hungari

Prokuroria e Tiranës dërgoi për gjykim dosjen hetimore në ngarkim të ish- presidentit të firmës piramidale VEFA, si dhe ndaj djalit të tij, Artan Alimuçaj, i akuzuar për kryerjen e veprës penale “Pastrim i produkteve të veprës penale”, për një sasi prej 975 mijë dollarësh. Sipas prokurorisë Vehbi Alimuçaj ishadministrator i firmës piramidale “Vefa”, është dënuar për akuzën e “mashtrimit” për një numër shumë të madh personash. Për këtë qëllim subjekti nën administrimin e tij, i është nënshtruar pas vitit 1997, një procesi auditues me qëllim rishpërndarjen e parave të marra me fajde nga të tretët. Ky porces përfundoi me rishpërndarjen e parave tek kreditorët e kësaj kompanie në një përqindje krejtësisht minimale. Një pjesë e parave që u gjetën u shpërndanë ndërsa pjesa tjetër u fshehën, apo edhe u shpërndoruan, ndërsa vlera e aseteve të kompanisë ra dhe nga shitja e tyre u fituan shuma minimale. Në vitin 2010, hetuesit identifikuan disa transferta të dyshimta dhe nisën hetimet.

Në përfundim të tyre rezultoi se Alimuçaj, ka pasur një llogari bankare në një bankë në Hungari në shumën 328 mijë dollarë. Po ashtu, rezulton se në të njëjtën bankë, djali i tij, Artan Alimuçaj ka pasur një llogari bankare në shumën 647 mijë dollarë. Sipas prokurorisë, këto para kanë origjinë nga aktiviteti i paligjshëm i mashtrim- it të kreditorëve të tij nëpërmjet kompanisë VEFA. Për këtë shkak me 6 maj të vitit 2010 nisi hetimin ndaj Vebi dhe Artan Alimuçajt. Personi nën hetim Vebi Alimuçaj ka themeluar ne vitin 1992 shoqerinë "VEFA", në të cilën ishte ortaku i vetëm dhe administratori. Llogaria bankare e Alimuçajt, me 328 mijë dollarë, është hapur në me 2 qershor të vitit 1996 në Hungari, dhe ky fakt është konfirmuar nga autoritetet hungareze nëpërmjet përgjigjes së një letërporosie të dërguar autoriteteve shqiptare. Dy muaj më vonë, në të njëjtën bankë, është hapur një llogari tjetër në emër të djalit të Vebi Alimuçajt, Artan Alimuçaj me një vlerë prej 647 mijë dollarësh amerikanë. Ai mësohet se kishte autorizuar një hungarez si përfaqësues të tij për të kryer veprime në llogarinë e tij bankare në këtë vend.

Këto para u tentuan të transferohen në me 5 maj të vitit 2010, kur banka identifikoi një transfertë të dyshimtë nga një person drejt një kompanie private. Banka bllokoi transfertën dhe të nesërmen llogaria me 975 mijë dollarë u sekuestrua nga porkuroria hungareze për llogari të autoriteteve shqiptare. Pas kësaj Prokuroria e Tiranës nisi një hetim për pastrimin e parave ndaj Alimuçajt dhe të birit. Me 11 maj të vitit 2012, Prokuroria e Tiranës, i kërkoi autoriteteve hungareze kthimin e shumës. Vetë Alimuçaj iu pati thënë hetuesve se ai kishte dijeni se në këto llogari ishin 10 mijë dollarë dhe jo kaq para, ndërsa pretendoi se nuk kishte dijeni për tjetër llogari të të birit. Madje ai pretendoi se nuk kishte tentuar të bënte ndonjë trasnfertë vetë. Ndërkaq nga ana tjetër djali i ish- bosit të VEFA-s, Artan Alimuçaj, pretendoi se nuk kishte dijeni mbi llogarinë bankare në emër të tij në Hungari dhe madje po ashtu si i ati mohoi të ketë tentuar të kryente ndonjë transfertë.

Por prokuroria tha se nisur nga fakti se Alimuçaj është dënuar për mashtrim ndaj më tepër se 57 mijë kreditorëve në shuma të mëdha, është krijuar dyshimi se këto para rrjedhin nga kjo veprimtari dhe se këto para janë objekt i hetimit të prokurorisë. Për rikuperimin e parave të krijuara nga aktiviteti kriminal i firmave mashtruese piramidale është miratuar nga Kuvendi i Shqipërisë një paketë ligjore dhe janë caktuar administratorët për çdo shoqëri, ndër të cilat dhe për shoqerinë "VEFA". Bazuar në këtë paketë ligjore, Vebi Alimuçaj dhe Artan Alimuçaj janë shpallur persona te lidhur dhe debitorë. Sipas hetimit, Alimuçajt janë në dijeni të vendimit të gjykatës ndaj tyre për shpalljen si debitore, por kanë mohuar depozitat në bankën e nivelit të dytë në Hungari. Prokurori tha se këta të fundit kanë fshehur 328 mijë USD dhe 647 mijë USD, në bankën hungareze. Për këtë fakt pas hetimit të kryer prokuroria dërgoi dosjen për gjykim në gjykatën e Tiranës.


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama