Alisa Velaj poezia si nje kumt modern

Alisa Velaj, poezia si nje kumt modern

Portretin e poetes që vrapon pas ëndrrës së vet e gjejmë të gdhendur fillimisht në disa nga revistat më të njohura që botohen në botë. Alisa Velaj në këto vite është botuar në disa revista, gazeta dhe antologji internacionale.



Lidhjet e Alisa Velajt me letërsinë, deri në këto momente që po flasim, janë të trefishta, poete e përveçme, pedagoge dhe studiuese. Në vështrimin e vlerës së afirmuar, pavarësisht se sa lexuesi ka komunikuar me shkrimin letrar të saj, poezia është aspirata dhe shenja më e rrokshme e mëtimeve letrare. Pas vëllimeve “Themelet e erës” dhe “Përanash flakës”, që sollën zërin e saj, në skenën e poezisë shqipe, si lëvruese e një poezie unike, si konceptim dhe shqiptim i një metaforike kozmike në thelbin sendërtues, tashmë ka vendin e saj.

 

Madje, me këtë autore jemi brenda rregullit të pashkruar, sepse ka mbërritur poezia e saj si një kumt modern, në treguesit e poezishkrimit, të marrëdhënies me fjalën, vargun, poetikën që shpërfill kodet tradicionale, megjithatë pa mbetur kurrsesi në shtratin e një poezia ndryshe, sa për snobizëm, siç ngjet rëndom, që më tepër shpaloset si univers poetik i mëvetësishëm. Në mjediset letrare dhe universitare ka emrin e vet, si një poete e spikatur, por te lexuesi i gjerë, te lexuesi i poezisë, ende nuk ka mundur t’i shpërthejë shtigjet e komunikimit, për arsye jashtëletrare.

Kjo lëngatë e zakonshme, që ngjet me poezinë, sidomos kur është e ngjeshur në risi, nuk e ka aq të lehtë udhën për te lexuesi. Po kaq, fati i autorit shqiptar, veçmas fati i autorit të ri, një përcaktim absurd dhe abuziv, që ngjet për shkak të projektimit të hierarkisë si një ngrehinë e ngrirë, e akullt gjer në dhimbje, kur kapërcen vite, megjithëse boton libra me vlerë dhe ende, paradoksalisht trajtohesh si autor i ri, që nuk të ka ardhur radha. Për nga vlerat e ofruara, në librat poetikë, festivalet e ndryshme të poezisë, shto këtu si prani e pashmangshme trajtimin abuziv, si autore e re, në shijen e leximit të poezive, që vijnë si një faqe e freskët e poezisë shqipe, fill pas viteve ’90, duke formuluar dhe shqiptuar kështu një poetikë vetjake, përmes rrokjes së hapësirës së komunikimit me pakohësinë. Në poetikë dhe frymën që përçon, në ligjërimin e poezisë, më së shumti, përfaqëson poezinë e shekullit të ri.

 

Prurjet e shumta në stilemat poetike, metaforikën e një shpirti të trazuar, si dallgët e detit, buzë të cilave ka lindur, që frymojnë në hapësirën e përmbledhjeve poetike: “Themelet e erës” dhe “Përanash flakës”, që në mendimin kritik për poezinë, u perceptuan dhe veçuan si eksperimente që lajmëtonin një zë ndryshe në poezi, një poete rebele, në marrëdhënie me poezinë dhe arritjet e letërsisë, e rreshtuar pavetëdijshëm në garën për të synuar dhe pushtuar majat e poezisë shqipe dhe më gjerë.



Faktura ligjërimore e ngjizjes së një poetike, që nuk të përkujton asnjë poet, por edhe që nuk përjashton asnjërin prej tyre, e përveçon si gjurmë dhe dëshmi letrare, në brezninë e poetëve të mijëvjeçarit të tretë. Poetët e anës detit, Ali Asllani, Fatos Arapi, si dy këngëtarët thinosh të poezisë së detit, si trazim i brendshëm, nuk është se nuk e trazuan nënvetëdijen e saj. Porse tallazet e detit, megjithatë ishin përplasur aq fort në ashtin e poetes, sa gjurmët personale, në frymë dhe atmosferën poetike, përgjithësisht e mbizotërojnë pentagramin shprehës. Dy përmbledhjet e para me poezi, të natyrës së ndërthurjes së përvojës jetësore personale, por edhe të shtysave librore, të leximit të poezisë bashkëkohore të përbotshme, bën që me dukjen e parë të zgjojë, natyrshëm dhe me vrull, kërshërinë e leximit, por edhe “syçeltinë” e leximit zyrtarist dhe paradoksal, për ta lënë jashtë vëmendjes, jashtë rrjedhave të vlerësimit.



Jo gjithherë ka rastisur, që poezia e vlerësuar me çmime, sidomos në arealin tonë, të komunikimit mendjembyllur, sikur po vulosim shkresa zyrtare karshi traut të doganës. Ashtu si poezia e mbetur në hije, prej rrethanash absurde, nuk vleka fare, thjesht për faktin se nuk e pamë. Me sa duket, paragjykimi si autore e re, që ndjek secilindo poet, prozator të letrave shqipe, me Alisa Velajn, u shoqërua më së tepërmi, me pasgjykimin, se rebelizmi në poezi, është i lindur, madje është një shenjëzim personal, dhe prandaj duhet frenuar pa zhurmë, me kritikën e heshtjes dhe të lënies anash, ama pa rënë në sy. Me shpresën se ia arritën qëllimit (sa absurde është ideja), duke harruar se në shishe mbyllet shejtani dhe jo poezia, poetja eci pa u ndalur në rrugën e vet, më tepër duke sfiduar veten, kohën, hartografinë dhe hierarkinë, fiktive dhe të panevojshme. Përveç të tjera shkaqeve, nuk ka se si të mbyllet mendja e poetit dhe lexuesit në mitet e rrejshme të realizmit socialist, si dhe më ligsht ende, në antimitet e realizmit demokratik.



Sfida me veten, shenja parake, se do udhëtojë gjatë në krahët e poezisë, bëri që poetja të marrë fluturimin për në hapësira të tjera, duke e lënë anash gardhimin e letërsisë shqipe, që më tepër emëron poetët, përkthyesit, prozatorët, se sa lexon dhe shijon, atë poezi të paktë në vlera, por jo se ajo mungon. Në kushtet e harresës, zyrtare dhe klanore, shpërfilljes që ngjet me çdo autor, e sidomos me natyrat rebele, një racë në zhdukje e sipër, pa të cilën megjithatë vështirë se mbijeton letërsia, mori udhët e “kapërcimit të deteve”, në kërkim të tokës së lirë, ku mirëpritet poezia dhe poetët. Portretin e poetes që vrapon pas ëndrrës së vetë, e gjejmë të gdhendur fillimisht në disa nga revistat më të njohura që botohen në botë.

 

Alisa Velaj, në këto vite, është botuar në disa revista, gazeta dhe antologji internacionale. Në korrik të vitit të kaluar ndodh një ngjarje e rrallë në jetën letrare të Velajt. Mes 5450 aplikimesh nga mbarë bota për çmimin prestigjioz letrar erbaçe Prize në Britaninë e Madhe ajo hyn në shortlistën prej 20 poetësh, duke qenë një ndër tri poetet e përkthyera në këtë listë. Dhe pas këtij udhëtimi erdhi suksesi që pritej, në konkursin ndërkombëtar të shpallur prej një prej kompanive më prestigjioze sot në botë Aquillrelle, Velaj do të renditej e treta pas poetit amerikan David Pierce dhe poetes britanike Jane Kingshill. Tre fituesit e vendeve të para, fitojnë të drejtën e botimit të libri me 100 poezi nga Aquillrelle. Poezitë e Velajt janë përkthyer në anglisht nga përkthyesi i mirënjohur Ukë Buçpapaj Aquillrelle boton librin e saj në gjuhën angleze “A Gospel of light”, në shqip “Ungjill drite”, i vlefshëm për shitje përmes gjigandit të shitjeve ndërkombëtare Amazon.



Vëllimi i Alisa Velajt me 100 poezi është nga të rrallët botime zyrtare të poezisë shqipe sot në botë. Ja se si shprehet, ndër të tjera, për poezinë e saj Aquillrelle në librin e saj “A Gospel of Light”: E bekuar me talent të jashtëzakonshëm, Alisa Velaj shkruan një poezi aq delikate dhe aq personale saqë çdonjërit kur është duke e lexuar i duket pothuajse sikur është futur brenda privatësisë së saj, por në të njëjtën kohë nuk është në gjendje që të ndalojë leximin, poezi pas poezie. Natyra luan një rol shumë të fuqishëm në artin e saj, qoftë si metaforë, qoftë si shok në bashkëbisedim, qoftë si pjesë e qenies së saj, mënyra e të shprehurit të saj, ka të bëjë me disa fjali rrëfimesh të ngjeshura në shtresa, për të cilat do të duheshin kapituj të tërë që të tregoheshin, shumëllojshmëria e ngjyrave dhe nuancave të saj është e pabesueshme.

 

Leximi i një poezie nuk të përgatit kurrë për tjetrën që do të vijë më pas – të gjitha janë të veçanta, të ndryshme, të gjitha janë të mahnitshme. Poezia e Alisës është e shkruar kryesisht në shqip, në gjuhën e vendlindjes së saj, megjithatë ne jemi në gjendje ta shijojmë atë plotësisht për shkak të cilësisë së padiskutueshme dhe të shprehur hapur të përkthimit në anglisht nga përkthyesi i shquar Z. Ukë Zenel Buçpapaj… Na mbetet që t’i themi, mirëse erdhe në letrat shqipe, jo vetëm me humor, duke ardhur së jashtmi (botimi në anglisht i librit), do të bind edhe lexuesit me kokëfortë se poezia e saj shënon një pikë referenciale të poezisë shqipe bashkëkohore…


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama