Alise Munro portretizuesja e shpirtit shqiptar

Alise Munro: portretizuesja e shpirtit shqiptar

Si fëmijë, Alisë Munro lexonte përrallën e Hans Kristian Andersenit “Sirena e vogël” – përrallë “pikëllimesh të përzgjatura”, kështu e kujtoi shkrimtarja kanadeze atë në një xhirim që u shfaq me rastin e ceremonisë së çmimit “Nobel” në vitin 2013. Fundi tragjik i “Sirenës së vogël”, në të cilin personazhja kryesore s’mund të martohet me princin që e dashuron, i kishte çliruar skajshmërisht imagjinatën e Munrosë dhe ajo mori e rishkroi përrallën, me përfundim të lumtur. Ky ishte fillimi i aktivitetit letrar të saj, siç tha lauretja e çmimit “Nobel” për 2013 në të njëjtën intervistë. Kjo fuqi imagjinate i mundësoi Munrosë që fenomenin e burrneshave shqiptare ta përfshijë në përrallë me titull “Virgjëresha shqiptare” dhe të cilën e publikoi në përmbledhjen e tregimeve të shkurtra me titull “Fshehtësi të hapura” në vitin 1994.

 

Një udhëtare e huaj, një vajzë me emrin Lotar, eksploron rajonet e Malësisë së Madhe të Shqipërisë veriore. I vetmi kontakt i saj aty, prifti i fshatit, përpiqet ta mbrojë atë që të mos futet në një martesë të detyruar dhe e detyron atë të heqë dorë nga identiteti i saj femër dhe të bëhet anëtar i shoqërisë, burrë nderi. Një ditë, prifti vendos të ikë nga shoqëria patriarkale me Lotarin, duke synuar të vendoset si peshkop në Shkodër. Gjatë ngjarjeve, marrëdhënia e tyre bëhet e zymtë – mbase për shkak të identitetit të saj mashkullor në shoqëri.

 

Aventura e Lotar zhvillohet në fillim të shekullit 20 dhe paraqet vetëm një prej cikleve narrative në “Virgjëreshat shqiptare”. Kller, personazhja tjetër kryesore, viziton rregullisht në spital Sharlotën – gruan kanadeze të martuar me shqiptar. Gjatë vizitave nga Kller, Sharlota është ajo që bën aventura me Lotar. Kller tashmë është e ndarë mes dy personave: burrit të saj dhe fqinjes. Në fund, ajo ndërmerr një “ndryshim dëshpërimi dhe përkundër keqardhjes që [ajo] vuan çdo ditë, [ajo] ndjehej krenare”. Dy gra që jetojnë në rrethana krejtësisht të ndryshme, por që kanë njëfarë paralele që formohet nga marrëdhëniet e tyre me mashkull, dhe konflikti kryesor është ndjekja e të njëjtit njëfarë objektivi të autonomisë që përshkruhet nga “Virgjëresha shqiptare”.

 

Kufijtë mes trillimit dhe realitetit janë të mjegullt

 

Që nga fjalia e parë, Munro pakushtimisht e bën lexuesin të futet në këtë konflikt. Ajo e ndërlidh tregimin pa kronologji dhe pa e pajisur lexuesin fare me ndonjë informatë paraprake. Lexuesi kërcen nga Kanadaja bashkëkohore e deri në Shqipërinë e hershme të shekullit 20, pa ditur se cilat elemente janë të historisë e cilat janë krejtësisht trillim. Komenti i Kllerës në këtë tregim të shkurtër është një lloj përqafimi i fatit të të dy personazheve:

 

“Kemi qenë shumë të lumtura.

Shpesh jam ndjerë krejtësisht e vetmuar.

Gjithmonë n’këtë jetë ka diçka për të zbuluar.

Ditët e vitet kanë shkuar si me njëfarë mjegullie.

Në tërësi, jam e kënaqur.”

 

82-vjeçarja Alisë Munro kurrë nuk ka qenë në Shqipëri. Ajo mësoi rreth jetës në shekullin e 20-të në Shqipëri, përmes studimit antropologjik të vitit 1909 të Edith Durham, “Shqipëria e lartë”. Durham kishte udhëtuar nëpër malet shqiptare në kohët kur ajo nuk kishte as të drejtë për të votuar, dhe në sajë të përshkrimeve të saja të përpikta, Munro kishte marrë një pasqyrë solide të zakoneve dhe veçantive shqiptare. Ndoshta, po që se Munro nuk do ta njihte punën e aventurieres nga Britania kurrë nuk do të kishte shkruar “Virgjëreshën shqiptare”; është perspektiva e Durhamit mbi shoqërinë shqiptare ajo që i bën të mundshme temat “munroviane”: marrja parasysh e marrëdhënieve ndërpersonale shqiptare nga një pikëvështrim femëror. Për më tepër, Lotar shfaq – rastësisht apo jo rastësisht – disa ngjashmëri me Edith Durham.

 

Gratë shqiptare dhe qëndrimet e tyre stoike për jetën

 

Në tregimin e saj të shkurtër, Munro nuk i viktimizon gratë shqiptare. E as që i dënon rrethanat patriarkale të shoqërisë shqiptare. Në vend të kësaj, autorja kanadeze thekson forcën e grave, shkëlqimin e tyre dhe lumturinë jetësore. Munro sheh një stoicizëm tek femrat shqiptare: Edhe pse ato jetojnë në pabarazi, askush nuk mund t’ua ngacmojë gëzimin. Megjithatë, ajo në mënyrë të përsëritur tregon se si kjo shoqëri patriarkale është kufizuese për gratë, dhe i lejon ato që të jenë në disponim vetëm kur ato janë mes grash. Kur Lotar takon për herë të parë një virgjëreshë të betuar, ajo i drejtohet një gruaje tjetër afër saj, por ajo “tund kokën, sepse nuk dëshiron të flet ku burrat mund t’i dëgjojnë”.

 

Nuk është rastësi që Munro perifrazon fjalën “shqiptar” disa herë me “gjuhën e gegëve”, duke vënë mënjanë kombësinë. Qëllimi i saj nuk është të lartësojë kombin shqiptar; ajo në fakt filtron aspektet universale të veçantive shqiptare dhe nga kjo gjë nxjerr letërsi. Munro “i hyn mu në zemër asaj që është njerëzore”, siç e formuloi drejtori i BBC Arts, Uill Gompertz, kur foli mbi opusin letrar të kanadezes. Mishërimi i këtij koncepti të “të qenit njerëzor” është padyshim i painteresuari dhe i nënshtrueshmi admirues i librit, Giurdi, burri i Sharlotës. Ky njeri transmeton njëfarë fatkeqësie të bukur. Nëpërmjet Giurdit, arrijmë të kuptojmë vlerësimin e shkrimtarit amerikan dhe admiruesit të Munrosë, Jonathan Franzen-it, i cili deklaroi se “më shumë se çdo shkrimtar tjetër që nga Çehovi, Munro përpiqet dhe arrin [...] njëfarë geshtalti-gjithëplotësie në përfaqësimin e një jete të caktuar”.


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama