Kompania ajrore Alitalia do të shtojë tri destinacione të reja drejt Italisë duke filluar nga data 9 dhjetor 2013. Ky njoftim u dha dje në një konferencë për shtyp nga përfaqësuesit e kompanisë që prej 20 vjetësh operon në Itali. Menjëherë pas deklaratës dhe prononcimeve nga përfaqësues dhe drejtues të kompanisë, u zhvillua edhe një mbrëmje gala në hotel Tirana International. Në prezencë të agjencive turistike më të njohura në vend, përfaqësuesi i Alitalias për Shqipërinë, Vas Group dhe krerë të Alitalias njoftuan 7 destinacionet që Alitalia do të ketë tashmë në lidhje direkt me Tiranën. Bolonja, Verona dhe Bari do t’u shtohen destinacioneve të deritanishme Roma, Milano, Pisa dhe Venezia e rivendosur rishtas.
“Dy vende janë shumë afër gjeografikisht, politikisht dhe ekonomikisht, në vizionin e kompanisë sonë. Jam krenar të lançoj lajmin se Alitalia hedh në treg një produkt të ri të përmirësuar, duke nisur nga data 9 dhjetor”, thanë drejtuesit e kompanisë Alitalia. Sipas tyre, linjat që janë ofruar një herë në ditë do të bëhen dy herë në ditë. Pas njoftimit për zgjerimin e fluturimeve nga Tirana drejt Italisë, Zyra e Alitalias në Tiranë, zyrtarisht kanë njoftuar edhe numrin e fluturimeve drejt këtyre destinacioneve. Drejtoresha e zyrës së Alitalias në Tiranë, Greta Salla ka njoftuar se Alitalia do të fluturojë drejt Romës 3 herë në ditë, çdo ditë drejt Milanos 2 herë në ditë, çdo ditë drejt Venecias, Veronës, Pizës 6 herë në javë drejt Bolonjës 4 herë në javë dhe drejt Barit 3 herë në javë. Alitalia e cila siç është njoftuar do të rikuperojë fluturimet e lëna nga Belle Air, kompani e cila siç është bërë e njohur publikisht dhe zyrtarisht ka shpallur faliment. Ndërkohë çështja e falimentit të Belle Air ka shkaktuar debate të ashpra dje në Kuvendin e Shqipërisë. Fillimisht ishte ish-kryeministri Sali Berisha, i cili nga foltorja e Kuvendit theksoi se kompania u sulmua në mënyrë që të shtihej në dorë nga përfaqësues të qeverisë në mënyrë që të pasuroheshin me të.
Berisha theksoi se në këtë çështje janë implikuar eksponentë të mafies nga Kosova dhe vëllai i Kryeministrit Edi Rama. “Para një muaji keni nënshkruar marrëveshjen me të për të paguar këstin 100 milionë”, deklaroi Berisha. Duke vijuar më tej, deputeti demokrat i kërkoi Parlamentit që të hartojë një rezolutë të posaçme për kompensimin e të gjithë pasagjerëve që u dëmtuan nga falimentimi i kompanisë së fluturimeve. I menjëhershëm ka qenë dhe kundërpërgjigjja e mazhorancës, e cila me anë të deputetit Blendi Klosi akuzoi ish-kryeministrin dhe qeverinë e mëparshme për favorizim të kësaj kompanie në biznesin e fluturimeve. “Mbyllët Albatrosin, mbyllët Albanian Airlines dhe favorizuat Belle Air. Me çfarë të drejte flet Sali Berisha?!. H. Mesi