Alketa Cela rikthimi i sopranos 20 vjet me pas

Alketa Cela, rikthimi i sopranos 20 vjet me pas

U rikthye pas 20 vjetësh në skenën e Teatrit të Operës dhe Baletit me koncertin gala “Yjet e Operas Shqiptare”. Sopranoja rrëfen karrierën artistike në Francë dhe përtej saj, ndërsa zbulon angazhimet profesionale për vitin që vjen, ku më kryesore duket se janë opera “Manon Lescaut” dhe “Madame Butterfly”
 

Motoja “Dashuria për TKOB” e solli më 10 dhjetor në Tiranë, ku bashkë me kolegë të tjerë, këngëtarë lirikë me famë botërore si Frano Lufi, sopranot Eva Golemi, Linda Kazani, Oriana Kurteshi, Miram Tole e Besa Lluqigi, sopranoja Alketa Çela performoi në një koncert gala ariet më të shquara nga Verdi, Puçini, Mozart e Bellini për publikun shqiptar.

E kishte lënë skenën e Teatrit Kombëtar të Operës dhe Baletit kur ishte studente në vitin e fundit të Akademisë së Arteve, për t’iu ngjitur edhe njëherë si një këngëtare e njohur në skena botërore dy dekada më pas.

“Ngjitja ime në skenë ishte e një force emocionale të veçantë. Isha e mrekulluar, por edhe me një përgjegjësi të madhe. E dija se momenti ishte fantastik dhe duhej përfituar çdo çast i këtij emocioni. Familja ime ishte dhe kishte ankth për mua. S’mendoja gjë tjetër, vetëm atë çast takimi me ta, isha shumë krenare për çdo gjë që kemi ndërtuar bashkë në jetë, por edhe dëshiroja absolutisht të dëgjonin zërin tim nga afër dhe progreset që kam bërë”, – rrëfen sopranoja pak ditë më vonë, pasi u është rikthyer angazhimeve profesionale në Paris, rezidenca e saj prej vitesh. E martuar me një violinist francez, Alketa Çela gëzon nënshtetësi franceze, por fama e saj si këngëtare lirike i kalon edhe kufijtë europianë.

“Kisha 20 vjet pa kënduar në TKOB, vitet kalojnë me shpejtësi. Patjetër që imagjinoja këtë takim me vendin tim. Kam interpretuar shumë role ndërkohë dhe eksperienca ime si soprano lirike është rritur. Kur vështroj me vëmendje gjithë jetën time artistike, më duket një periudhë e dendur me mësime rolesh, por edhe e një kërkimi të një cilësie të përhershme. Për të ecur përpara”, – vijon ajo, ndërsa shton se i kishte munguar urimi në gjuhën shqipe në gjithë këta vjet karrierë. “Megjithatë, gjithmonë kam pasur në mendje që jam artiste shqiptare, këtë e kam informuar dhe folur gjithmonë, edhe pse urimet vinin nga publik i huaj.

Disa herë kam takuar shqiptare artdashës pas mbarimit të koncerteve jashtë vendit. Kjo ishte me plot kuptimin e fjalës një surprizë për mua të flisja me ta në një tokë të huaj.”

Edhe ritakimi me kolegë që si ajo e kanë ngritur karrierën jashtë vendit ishte një emocion më vete. “Takimi ishte i këndshëm, respektues, por dhe pak i çuditshëm pas një shkëputjeje të madhe. Secili gjeti vendin e duhur vokalisht për interpretimin e arieve të zgjedhura”.

Pas ditëve të qëndrimit në Tiranë që shërbyen si pushime të vogla për t’u çmallur me miqtë dhe familjarët, Alketa është rikthyer në Francë, ku ka nisur menjëherë përgatitjet për një rol të ri në  operën Manon Lescaut”. “Në janar dhe shkurt 2015 është gjithë periudha e provave dhe ngjitja në skenë për ‘Madame Butterfly’ në Poloni, në Operën Kombëtare”, – zbulon ajo. Po ashtu, vitin që vjen e pret një recital në Paris me ariet më të njohura të repertorit, si dhe do të veshë petkat e Elisabetës në operën “Don Carlo” të kompozitorit Giuseppe Verdi. “Një rol me impenjim vokal dhe rëndësi vokale dhe siç ju thashë ‘Manon Lescaut’ e Puçinit, e cila është për mua një ‘bijoux’, një rol plotësisht i përkryer”. Duke nisur nga 6 shkurti do të rikthehet në Varshavë, kryeqytetin polak ku do të marrë sërish rolin e Cio-Cio-San, në “Madame Butterfly” në Varshavë. “Jam e lumtur të gjej përsëri këtë rol, që përshtatet më së miri me zërin tim dhe publikun në Poloni”.

Profesionalisht, 2014 e quan një vit të suksesshëm, i cili kulmoi me rikthimin në Shqipëri pas 20 vitesh. “Jam shumë e kënaqur me këtë, sepse këndova suksesshëm Cio-Cio-San ‘Madame Butterfly’ dhe publiku polak më priti shumë ngrohtë. Pasi mbarova spektaklin, sapo sipari u mbyll në skenë, u informova nga drejtoria e Teatrit që do të isha akoma e ftuar për sezonin e ardhshëm. Kjo ishte një arritje për mua, sigurisht që është fryti i përkushtimit tim gjatë gjithë vitit”, – rrëfen sopranoja, ndërsa zbulon se mund të rikthehet në një bashkëpunim të ri në Tiranë.  “Me drejtorinë artistike ne jemi në kontakt tashmë, mundet që të rikthehem në vend për të  ardhmen. Me vullnetin e mirë dhe organizimin e mirë çdo gjë konkretizohet”, – pohon me optimizëm. Ditët e sopranos në Paris janë të ndara mes familjes dhe punës në Opera.

“Koha ime është e ndarë çdo ditë mes edukimit dhe kujdesit për fëmijët e mi dhe studimit të një roli të ri për angazhimet që më presin. Më besoni, është një përkushtim i çdo momenti. Jam shumë e lumtur që jetoj me pasionin tim, artin e operës, që këndoj në skenë role kryesore dhe kjo më jep vërtet një sadisfaksion të madh, kam arritur sadopak aty ku dëshiroja të isha. Por të jesh nënë, është një lumturi dhe bekim i madh! E kam thënë dhe e them: jam një artiste dhe nënë e kompletuar. Falënderoj familjen thellësisht që më kanë qëndruar pranë në këtë karrierë të mbushur me vokaliza, nota, interpretime, role të reja, udhëtime, sadisfaksione të shumta”, – thotë ajo ndërsa bën llogaritë e një viti që po shkon në vigjilje të Krishtlindjes, ndjehet e kënaqur me emocionet që 2014 i ka dhuruar duke pritur krahëhapur emocionet që do i dhurojnë skenat botërore në projektet e reja. Më i pari është një projekt në Francë, që Alketa e rendit mes më të rëndësishmëve për vitin që vjen…


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama