Dhe nëse dikush do të donte vërtet të zbulonte diçka për njerëzit, mjafton që të vëzhgonte zakonet e tyre kur ata janë në gjendjeje të të pirit. Sipas saj, nëse do të marrësh në dorë gazetat do të shohësh se ka shkrime, të cilat në fund dalin në një pikë të përbashkët, në atë që në Britani njerëzit pinë shumë të rinj dhe me shumicë dhe se kjo shkakton dhunë, sjellje të padenja dhe probleme të tjetra. Që britanikët kanë një problem me alkoolin është e qartë, por përse vallë? Problemi është se britanikët besojnë se alkooli ka fuqi magjike për sa i përket heqjes së ndrojtjes, por nga ana tjetër edhe shndërrimit të njerëzve në persona agresivë dhe më pas edhe të dhunshëm. Por në fakt, sipas antropologes në fjalë, nuk është tërësisht kështu. Në doza të larta, alkooli dobëson mënyrat tona të reagimit ndaj ngacmuesve të jashtëm, kontrollin muskulor, koordinimin e veprimeve, kujtesën afatshkurtër, aftësitë njohëse dhe vlerësuese dhe aftësinë për të folur qartësisht.
Por nga ana tjetër, nuk të shkatërron në atë pikë që nga një njeri i përgjegjshëm të të shndërrojë në një njeri krejtësisht të papërgjegjshëm, të pafre dhe të paprinciptë. Efektet e alkoolit në sjelljen tonë janë të përcaktuara nga normat dhe rregullat kulturore dhe jo nga veprimet kimike të etanolit. Në fakt, njerëz të ndryshëm kanë reagime të ndryshme kur ata pinë alkool. Ka disa shoqëri si Britania e Madhe, SHBA, Australia dhe pjesë të Skandinavisë të cilat sociologët i quajnë kultura alkoolike ambivalente, pra ku të pirët në disa raste shoqërohet edhe me dhunë dhe me sjellje të pahijshme antisociale. Ka shoqëri të tjera si ato latine dhe mesdhetare në të cilat të pirët jo domosdoshmërisht shoqërohet me dhunë dhe sjellje të pahijshme, kultura në të cilat alkooli është neutral për sa u përket sjelljeve morale, zbatimit të normave.
Këto njihen si kultura alkoolike të integruara. Për sa i përket antropologes, variacioni i të sjellit pas pijes ka të bëjë me besimet e ndryshme kulturore në lidhje me alkoolin, pritshmëritë e ndryshme në lidhje me pasojat e alkoolit dhe rregullat e ndryshme sociale në lidhje me komponentët e të pirit. Fakti bazë është një fakt që është provuar në mënyrë të vazhdueshme dhe jo vetëm në kërkimet cilësore ndërkulturore, por gjithashtu në eksperimentet shkencore të kontrolluara me kujdes. Për ta thënë me pak fjalë, eksperimentet tregojnë se kur njerëzit mendojnë se ata kur pinë alkool sillen keq dhe në mënyrë të padenjë ata sillen më pas sipas kulturës dhe besimeve të zakoneve të tyre. Britanikët dhe kombet e tjera ku të pirët konsiderohet si ambivalent besojnë se alkooli të shkatërron në mënyrë të tillë dhe të bën shumë agresiv, madje e pinë për t’u bërë agresivë dhe si pasojë sillen si të tillë. Besimet tona në lidhje me pasojat e alkoolit janë më shumë disa lloj gjysmë profecish. Pra ne sillemi në bazë të asaj që besojmë se do të na shkaktojë alkooli kur ta kemi konsumuar me shumicë. Dhe janë pikërisht këto besime të gabuara që përbëjnë dhe justifikimet tona për sjelljet antisociale. Nëse alkooli thuhet se shkakton sjellje antisociale, atëherë del se njeriu i pirë nuk është përgjegjës për sjelljen e tij. Kësisoj, një keqbërës mund të fajësojë alkoolin për sjelljen e tij të pahijshme, apo të dënueshme. Por kjo nuk është e vërtetë.
Ndërkohë, sipas antropologes është plotësisht e mundshme ndryshimi i kulturës së të pirit. Ndryshimi kulturor ndodh në vende të ndryshme dhe ka prova të mëdha që flasin se është plotësisht e mundur që njerëzit të ndryshojnë mendim në lidhje me pasojat e të pirit. Eksperimentet tregojnë se edhe kur njerëzit janë tërësisht të pirë nuk janë të pavetëdijshëm deri në atë pikë sa të mos reagojnë çka do të thotë se ata mund ta mbajnë veten dhe mund të mos shkaktojnë dëme dhe dhunë.