Nëse është e vërtetë se abuzimi me alkoolin kontribuon pak a shumë drejtpërdrejt në 4 për qind të vdekshmërisë në botë dhe se është një nga shkaqet kryesore të problemeve të rënda me shëndetin, është njëlloj e vërtetë se një sasi e vogël e tij çdo ditë mund të sjellë plot anë të mira për organizmin. Le ta nisim pikërisht nga jetëgjatësia që e konfirmon plotësisht një studim që vjen nga Greqia, një vend me një regjim ushqimor të ngjashëm me atë italian, d.m.th. vend që aplikon dietën mesdhetare: e pasur me karbohidrate, fruta, perime dhe që tradicionalisht përfshin një konsum të verës mes vakteve.
Ky studim përfshiu 23 qendra në dhjetë vende europiane, me qëllimin e vlerësimit të impaktit të faktorëve biologjikë, dietikë, ambientalistë dhe stilin e jetesës në shkaktimin e sëmundjeve të tilla si kanceri apo sëmundje të tjera kronike. Kërkimi konfirmoi aftësinë e dietës mesdhetare për të reduktuar vdekshmërinë e popullsisë, por shtoi edhe disa të dhëna të reja mbi efektet mbrojtëse të dietës tipike të vendeve në jug të Europës. Ai tregoi se çdo ushqim ndihmonte në reduktimin e vdekshmërisë, ndërsa alkooli ishte ai që na ndihmonte të jetonim më gjatë. “Kjo shihet kur pimë verë gjatë vakteve, si një traditë e vendeve mesdhetare”, thonë autorët. Vetëm pas tij renditeshin konsumi i moderuar i mishit dhe ai i sa më shumë frutave e perimeve.
Një studim ky që nuk është se na befasoi shumë. Në të njëjtën ditë u publikua në “Journal of epidemiology and commmunity health” një kërkim i gjerë i zhvilluar në Holandë, ku të dhënat i referoheshin popullsisë së lindur në fillim të shekullit të shkuar. Rezultati? Konsumi i moderuar i alkoolit për një periudhë të gjatë kohe ul rrezikun e vdekshmërisë dhe rrit pritshmërinë e jetës. Në rastin e verës kjo vihej re pas një konsumi 5-vjeçar të saj dhe efektet pozitive regjistroheshin në sistemin kardiovaskular me një reduktim të infarktit dhe iktusit. Me pak fjalë duhet të pimë alkool për të jetuar sa më gjatë? Por në çfarë sasie? “Vite më parë shtronim problemin se cili ishte impakti i konsumit të alkoolit mbi shëndetin tonë”, tregojnë ekspertët e studimit. “Na interesonte të dinim nëse efektet pozitive në sistemin kardiovaskular nuk ishin zbehur nga dëmet e mëlçisë, nga rritja e përqindjes së tumoreve apo vdekjeve prej aksidenteve. Për më tepër na interesonte të dinim se në çfarë dozash mund të merrje nga alkooli vetëm efekte pozitive”.
Kështu, pasi u analizuan të dhënat nga 34 studime të vlerësuara më parë në fushën ndërkombëtare, që kishin përfshirë të paktën 1 milion individë, u pa se “sasia e alkoolit që mund të na bëjë mirë, ashtu siç besoj se e kemi kuptuar të gjithë, nuk duhet të jetë e madhe. Efektet pozitive arrihen nga doza shumë të vogla, d.m.th. 40 gramë në ditë për meshkujt dhe 25 për gratë. Vetëm në këtë sasi alkooli provokon një ulje të vdekshmërisë me 18 për qind”. Sigurisht një e dhënë e rëndësishme, por vetëm për të gjithë ata që dinë ta ruajnë këtë prag. “Tek alkooli gjenden disa përbërës që ndalojnë koagulimin e gjakut dhe rrjedhimisht edhe infarktet dhe iktuset. Pastaj nuk duhet harruar edhe efekti i substancave antioksiduese, siç janë polifenolet”.
Mbi këtë pikë mbërrin një hipotezë e propozuar kohët e fundit në një studim të publikuar në “Journal agricultural and food Chemistry”, që i përket verës. Efekti antioksidues i pijes, sipas kërkuesve, do të shpjegohej mbi të gjitha në stomak, që funksionon si një lloj “bioreaktori”. Aty, përbërësit antioksidues të sjella përmes verës, janë në gjendje të neutralizojnë efektet e dëmshme të yndyrave të oksiduara, të pranishme në ushqime, të njëjtat yndyra që i janë atribuuar aretereoskerozës, kancerit, diabetit apo parkinsonit. Por kjo nuk është gjithçka. Një tjetër mekanizëm duket se shpjegon efektet pozitive të alkoolit: një tjetër studim ka treguar se konsumi i verës është i lidhur me rritjen e plazmës dhe membranave qelizore të acideve yndyrore omega 3.
Kjo të ndihmon për të shpjeguar efektet pozitive në sistemin kardiovaskular, sipas kërkimeve të zhvilluara deri më tani. Hipotezat shtohen, por në fakt, kërkuesit jo për çdo gjë bien dakord: nëse ka një efekt të pijeve alkoolike mbi sistemin kardiovaskular, kjo i detyrohet alkoolit në vetvete, që ndihmon edhe në uljen e kolesterolit”. Por, pavarësisht se mbrojnë me forcë sasinë që duhet konsumuar, shkencëtarët vënë vazhdimisht theksin te rreziku që na vjen nga abuzimi me të. Në fund ata thonë se nuk duhet të harrojmë se është pija fisnike që na shoqëron në çdo festë, ngjarje të rëndësishme, apo thjesht në ditët e zakonshme të jetës, përveçse aleatja më e mirë e shëndetit. Nuk ka njeri që nuk ka dëgjuar për vetitë “çudibërëse” të saj.
Pjesë e çdo studimi, që nga e kaluara, tani të gjithë e dimë se një gotë verë në ditë ndihmon në parandalimin e infarktit dhe shumë sëmundjeve të zemrës, kancerit të prostatës, apo rrezikut të Alzhajmerit, ndërkohë që jo pa të drejtë e kanë cilësuar si “eliksir i jetëgjatësisë”. Shkencëtarët, kudo nëpër botë, thonë se kanë gjetur arsyen përse vera e kuqe parandalon rrezikun e sëmundjeve të zemrës dhe, sipas tyre, i gjithë sekreti qëndron te një substancë kimike, e cila parandalon bllokimin e enëve të gjakut, shkaktarët kryesorë të këtyre sëmundjeve. Sipas tyre, janë pikërisht substancat e quajtura polifenole që gjenden në lëkurën.
Në Amerikë, një rritje e madhe e konsumit të verës së kuqe u pa më 1990-n. Tashmë është e qartë se konsumi i rregullt gjysmë gote në ditë ul vdekshmërinë dhe mundësinë e sëmundjeve të zemrës për njerëzit mbi moshën 35 vjeç. Sidoqoftë, me sasi më të mëdha të konsumuara, ky efekt balancohet me mundësinë e rritjes së sëmundjeve të lidhura me konsumin e alkoolit, si për shembull kanceri i gojës, probleme të frymëmarrjes dhe eventualisht ceroza e mëlçisë.