Administratori Sinan Idrizi është takuar dje me trajnerin Gugash Magani. Në qendër të takimit mes drejtuesit të klubit dhe stafit teknik ka qenë merkatoja. Trajneri Magani e ka njohur administratorin Idrizi në lidhje me ecurinë e merkatos deri më tani, si dhe me lojtarët që mund të bëhen pjesë e Flamurtarit në sezonin e ri.
Pas takimit me trajnerin Magani, administratori i Klubit të Futbollit Flamurtari, Sinan Idrizi, për "Panorama Sport" tha se klubi do të ketë tashmë një strategji të re. Sipas Idrizit, trajneri Magani ka një plan pune, i cili lidhet me afrimin e sa më shumë lojtarëve me moshë të re, 17- 18-vjeçare. Administratori Idrizi tha se trajneri peqinas ka dëshirën për ndërtimin e një ekipi me vlonjatë.
"Siç e dini ju, ne kemi nënshkruar një kontratë afatgjatë 3-vjeçare me trajnerin Gugash Magani. Një gjë të tillë e kemi bërë për një erë të re në Vlorë dhe në strukturat e klubit. Trajneri ka një strategji ndryshe. Magani kërkon që të ketë në ekip lojtarë të rinj të moshës 17-18-vjeçare. Trajneri i do lojtarët vlonjatë, por të parët do ta kenë shansin futbollistët e rinj", tha fillimisht Idrizi.
Menaxherët
Një risi tjetër e Klubit të Futbollit Flamurtari është politika me menaxherët. Kryemenaxheri do të jetë trajneri Gugash Magani, ndërsa do të ketë edhe menaxher bashkëpunues. Administratori Sinan Idrizi zbulon për gazetën se do të ketë bashkëpunim me 10 menaxherë për të afruar lojtarë të rinj.
"Për ndërtimin e ekipit të ri vendos vetëm trajneri Magani. E përsëris ai është edhe menaxher dhe është i plotfuqishëm në vendimmarrje. Por do të kemi bashkëpunim edhe me 10 menaxherë të tjerë. Ata janë emra të mëdhenj të futbollit shqiptar. Do të marrim prej tyre propozimet për lojtarë dhe më pas do të jetë trajneri Magani ai që do të vendosë", vijoi administratori.
Altin Lala
Ish-kapiteni i ekipit kombëtar, Altin Lala, do të jetë menaxher i Klubit të Futbollit Flamurtari. Lajmi konfirmohet nga administratori Idrizi. Lala nuk do të marrë pozicion drejtuesi në klub, ashtu sikundër flitet, por do të ketë edhe rolin e menaxherit. Pritet që ishkapiteni i Kombëtares të takohet me Idrizin në ditët në vazhdim. "Altin Lala do të jetë menaxher i klubit tonë. Së shpejti pritet që të kemi një takim me Lalën për të diskutuar rreth disa lojtarëve që ai do të më propozojë", tha Idrizi.
Merkato
Administratori Sinan Idrizi thotë për gazetën se klubi nuk do të nxitohet me ndërtimin e ekipit të ri, për shkak se nuk dëshiron që të përsëriten gabimet e së shkuarës te Flamurtari. "Janë disa emra që qarkullojnë si afrime te Flamurtari. Nuk mund të konfirmoj asnjë prej tyre. Emrat që qarkullojnë në rrjetet sociale nuk janë zyrtarë. Ne nuk duam që të nxitojmë dhe të bëjmë një merkato me bujë, pasi do të përsërisnim gabimet e së shkuarës. Pra, gjithçka do të jetë e studiuar mirë nga ne", tha Idrizi.