Alzhemier luftohet duke mbajtur trurin ne pune

Alzhemier luftohet duke mbajtur trurin ne pune
Njerëzit që e mbajnë “të mprehtë” trurin e tyre gjatë gjithë jetës përmes leximit, shkrimit, luajtjes së lojërave të ndryshme kanë më pak mundësi që të shndërrohen në viktima të depozitimit të proteinave në tru si në rastin e Alzhemierit...

Bëhet fjalë për një studim të fundit në fushën e aktivitetit të trurit dhe parandalimit të sëmundjeve përmes vënies së tij në funksionim në mënyrë të vazhdueshme. Studime të mëparshme kanë sugjeruar se njerëzit që janë të shkolluar mirë dhe qëndrojnë deri në fund të jetës mendërisht aktivë, krijojnë rezerva trunore që u lejojnë atyre që të jenë të mprehtë, edhe nëse depozitimi i dëmshëm i proteinave të quajtura ‘beta’ në tru, do të kalojë masën e duhur.

Ndërkohë, studimi i fundit, bazuar në një kërkim që i është bërë këtij organi kaq të rëndësishëm, sugjeron se njerëzit që janë të angazhuar mendërisht në mënyrë të vazhdueshme dhe që e kanë bërë një gjë të tillë që nga fëmijëria e tyre, kanë më pak shanse për të pasur të ashtuquajturin krijim i pllakave amiloide në tru. “Ne nuk po flasim në këtë rast për reagimin e trurit ndaj amiloidit. Po flasim në lidhje me akumulimin e kësaj lënde”, - thotë një nga mjekët e Universitetit Berkley, në Kaliforni, studimit të të cilit i referohet ky shkrim. Studimi tregon se nisja e vënies në funksionim të trurit sa më hershëm dhe mbajtja e tij në aktivitet të plotë në mënyrë të vazhdueshme edhe gjatë jetës, është një mënyrë për të parandaluar shkaqet që çojnë në sëmundjen e Alzhemierit. Aktualisht nuk ekzistojnë mjekime që parandalojnë këtë sëmundje, e cila sipas mjekëve, thuhet se nisi që të dëmtojnë organizmin 10 deri në 15 vjet para se të shfaqen qartazi tek pacienti problemet me kujtesën.

Në të gjithë botën, aktualisht, sipas një studimi të kryer nga zyra për sëmundjen e Alzhemierit, ka 36 milionë të prekur nga kjo sëmundje. Ndërsa popullsia e botës sa vjen e po plaket për shkak të uljes së numrit të lindjeve dhe shtimit të jetëgjatësisë, pritet që numri të shkojë në 66 milionë në vitin 2030 dhe në vitin 2050 mund të ketë 115 milionë të prekur nga kjo sëmundje e rëndë dhe e pashërueshme deri më tani. Një javë më parë, qeveria amerikane publikoi një projekt me rekomandime për një plan kombëtar në lidhje me këtë sëmundje që bën thirrje për gjetjen e trajtimeve apo të strategjive parandaluese të kësaj sëmundjeje deri në vitin 2025. Në qendër të studimit ndodhet shkaktarja e sëmundjes, amiloidi ‘beta’, proteina që thuhet se nis edhe sëmundjen e Alzhemierit. Kjo proteinë vendoset me shumicë dhe në formë pllakash në tru dhe shkakton sëmundjen.

Studimi ka pasur në qendër të tij 65 njerëz të shëndetshëm dhe normalë të moshës 60 vjeç, dhe madje edhe të tjerë më të mëdhenj në moshë. Pjesëmarrësit në këtë studim u pyetën për një sërë çështjesh që kishin të bënin me aktivitetin e tyre në jetë, pra me aktivitetin trunor, kryesisht duke filluar që nga mosha 6- vjeçare e në vijim. Pyetjet përfshinin nëse ata kishin lexuar rregullisht gazetat, kishin shkuar në librari, kishin shkruar letra apo e-maile më pas dhe a kishin luajtur lojëra të ndryshme, kryesisht shah. Ndër të tjera, ata iu nënshtruan edhe disa testimeve për të vlerësuar gjendjen e kujtesës dhe aftësitë e të menduarit dhe gjatë këtyre proceseve truri i tyre u skanua  përmes përdorimit të një mjeti të ri që konstaton depozitat amiloide në tru. Grupi i punës së këtij eksperimenti krahasoi skanimet e trurit me ato të 10 pacientëve me Alzhemier deri 11 personave të shëndetshëm në moshën 20-vjeçare. Ata zbuluan se njerëzit që kishin qenë më aktivë mendërisht gjatë jetës së tyre, duke e nisur këtë aktivitet që në moshë të hershme, kishin sasi më të vogla të amiloidit ‘beta’ krahasuar me të tjerët që kishin qenë më pak aktivë në jetë.

Njerëzit në studim që kishin nisur të aktivizonin trurin e tyre në një moshë më të avancuar, por jo vetëm në të ritë e tyre, nuk kishin ndonjë përfitim të dukshëm në pakësimin e sasisë së kësaj lënde në tru. “Ajo çka sugjerohet nga të dhënat tona është se nëse gjatë gjithë jetës truri është aktivizuar me punë dhe me ushtrime të ndryshme si leximi, loja e shahut e të tjera, shanset për prekjen nga sëmundja e Alzhemierit janë më të pakta”, - thotë një nga kërkuesit e universitetit. Sipas saj, amiloidi ka shumë mundësi që të fillojë që të akumulohet shumë vite para se të shfaqen simptomat e para të sëmundjes tek njerëzit dhe në momentin akut nuk mbetet shumë për t’u bërë për pacientët. Sipas saj, koha për të ndërhyrë dhe për të marrë masa parandaluese duhet që të nisë shumë më parë në jetë. Në këtë kuadër, këshillohet një higjienë trunore gjatë gjithë jetës, pra një aktivitet i vazhdueshëm i këtij organi të çmuar, që nëse sëmuret, na shndërron tërësisht si njerëz.

Artikujt e fundit


Reklama

Reklama