Amanda Knox djall apo shenjtore?

Amanda Knox, djall apo shenjtore?
Amanda Knox është lënë e lirë më në fund, pas katër vitesh burg, nga Gjykata italiane e Apelit. Tashmë ajo është liruar nga akuza e vrasjes së studentes angleze, Meredith Kercher. Po si do të jetë e ardhmja e kësaj 24-vjeçareje që ka vuajtur kaq shumë?

Për një familje nga Siatëlli ka marrë fund që prej dy ditësh ankthi të cilin kishin jetuar prej 4 vitesh. Të afërmit dhe miqtë e Amanda Knox janë duke u përgatitur që ta presin atë në gjirin e tyre pas rrëzimit të dënimit prej 26 vitesh. Për ata, lirimi i Amandës sjell fundin e një periudhe shumë të rëndë që kanë kaluar, një periudhe në kërkim të pafajësisë së të dashurës së tyre, në mbështetje të saj edhe përtej hekurave të burgut. Ata kanë bërë udhëtime të pafundme përtej Atlantikut, kanë harxhuar para për telefonata, avokatë dhe specialistë të marrëdhënieve me publikun për të mbështetur çështjen e vajzës së tyre. E gjithë media amerikane ka çuar gazetarët e vet për të marrë pjesë në dhënien e verdiktit përfundimtar, duke reflektuar kështu interesin shumë të madh që kishte për një ngjarje të tillë publiku amerikan.

Njerëzit që e njohin Amandën e dinë se ajo ka një karakter shumë të fortë, por burgu gjithsesi e ka ndryshuar dhe ajo ka dalë një tjetër njeri. Një nga shoqet e afërta të Amandës flet me superlative për të, dhe mbi të gjitha, për mbrojtjen që të gjithë do t’i ofrojnë edhe tani pas daljes nga burgu, sepse sipas tyre, Amanda është e brishtë pas një vuajtjeje dhe stresi kaq të gjatë dhe kaq të madh. Ndërkohë, sipas njerëzve të saj të afërt, ajo e ka mbajtur veten shumë të zënë me punë, me lexime, me shkrime, me joga, duke ndihmuar të burgosurit e tjerë që nuk kanë pasur mundësi të komunikonin me familjet e tyre për shkaqe të ndryshme.

Ajo luan në kitarë, ka marrë pjesë në korin e kishës dhe ka shijuar në çdo moment gjithë kohën që ka kaluar jashtë në shëtitjet e ajrosjes. Por çfarë do të bëjë tani kjo vajzë që ka tërë jetën përpara për të realizuar ëndrrat, që në një tjetër vendim të gjykatës do t’i kishin mbetur përgjysmë? Është e vështirë që të parashikosh diçka në këto momente të para të lirimit të saj, por ajo u ka thënë njerëzve të saj të afërt se ka një dëshirë të madhe dhe detyrim që të ndihmojë dhe asistojë ata njerëz ndaj të cilëve janë bërë padrejtësi, kryesisht ata që ndodhen pas hekurave të burgut të pafaj. Ajo kërkon që të përdorë përvojën e saj për të ndihmuar ata që janë më pa fat se ajo. Të tjerë mendojnë se ajo mund të merret me përkthime nga anglishtja në italisht, tani që italishtja e saj është përsosur gjatë viteve që ka qëndruar në një burg italian.

Ndërkohë, ajo ka studiuar edhe gjuhë të tjera, ndërsa ka qenë pas hekurave të burgut. Në fakt, një pjesë e madhe e mediave, përgjatë viteve e kanë portretizuar Amandën si një vajzë të papërgjegjshme, të etur për t’u dëfryer dhe për të bërë gjëra të rrezikshme seksualisht, me një anë të errët dhe të rrezikshme të fshehur brenda vetes. Por sipas miqve të saj, kjo nuk është aspak e vërtetë dhe se ata të gjithë e njohin ndryshe 24-vjeçaren e sapoliruar. Ndërkohë, media amerikane e ka paraqitur këtë çështje si një dështim të drejtësisë dhe vetë Amandën e kanë karakterizuar si një viktimë të një sistemi të vjetër dhe jofunksional tashmë.

Gazeta të tëra amerikane kanë shkruar se si një amerikane e bukur dhe e pafajshme ra viktimë e një rrethane shumë të ndyrë krimi, një krimi që mbetet ende pa autor. Në fakt, janë dy portrete të Knox; njëri ai i shenjtores dhe tjetri ai i vajzës me të fshehta të errëta brenda vetes dolën në pah edhe në gjyq, kur një gjykatës e përshkroi Amandën si një grua të dashuruar dhe besnike, ndërsa tjetri si një shtrigë të vërtetë dhe gjakpirëse. Cila është në të vërtetë Amanda? Kjo është një pyetje që bëhet nga shumëkush tani, mbi të gjitha nga familja e vajzës së vrarë, dhe që ka shumë gjasa që të gjejë një përgjigje në kohët në vijim, në jetën e ardhshme të Amandës, që tani sapo ka filluar.

Artikujt e fundit


Reklama

Reklama