Amaneti i Safos Mos me ngjisni lajmerim vdekjeje

Amaneti i Safos: Mos me ngjisni lajmerim vdekjeje
U shua mbrëmjen e së dielës në moshën 86-vjeçare piktorja Safo Marko. U përcoll nga pak familjarë e miq në banesën e fundit, në të njëjtin varr me djalin e saj, poetin Madu, ndarë nga jeta thuajse një vit më parë. Pa homazhe e pa zhurmë, piktorja autodidakte, gruaja e Petro Markos la këtë jetë

Të bijës: Pikturat e mia shiti kur të mbetesh pa bukë

Safo Marko

Në orët e para të mëngjesit të djeshëm, poshtë shtëpisë ku banonte deri më sot familja e Petro Markos, në bulevardin “Zogu i I” ka pak lëvizje. Lajmi i ndarjes nga jeta të piktores Safo Marko kishte qarkulluar në media. Arianita, përveç dhembjes, e ngarkuar me fatin tragjik të përcjelljes së njëpasnjëshme të njerëzve të dashur, mbante në dorë një kurorë me lule. Sipër mbishkrimi: “Mamit të shtrenjtë e të dashur; nga vajza Nita”. Ngjitim shkallët e pallatit dhe dera është hapur për mort. Është po ajo shtëpi modeste, pa as më të voglën shenjë të luksit, por e mbushur brenda me dëshmi arti. Arkivoli është vendosur në dhomën e ngushtë, ku deri një vit më parë qëndronte Maduja, djali i familjes Marko, një tjetër personazh tragjik që mbylli sytë pas një dhimbjeje të gjatë. Është përshtatur disi për këtë përcjellje të fundit. Muret e shtëpisë së vjetër, do të rënkonin po të mundnin nga historia e kësaj familjeje.

Në mur janë të varura gjithandej pikturat e Safos: figura femërore, lirike, tragjike e dramatike, që i dallon stili i saj. Safo Marko u shua në moshën 86-vjeçare. Prej disa vitesh nuk ishte më e kthjellët. Në arkivolin e saj mori me vete disa penela, lapsa, një batanije(besonte se atje ku do shkonte bënte ftohtë) dhe një kalvar të tërë vuajtjesh. Histori burgimi, përndjekje, tragjedia e Madusë dhe një jetë e shtrënguar ekonomike, deri në kufijtë e të skajshmes pas viteve ’90. Arianita, qëndron mes pak familjarëve e mikeshave që janë qark arkivolit të Safos.

Për vite me radhë ka mbajtur peshën e asaj që ka ndodhur me familjen e tyre. Nuk di çfarë të dallosh në sytë e saj. Prej disa vitesh ajo ishte kujdestarja e vetme e Safos dhe e Madusë. “Po të ishin edhe njëherë, po njëlloj do të kujdesesha”, thotë ajo. I shpëton herë pas here ndonjë psherëtimë e pastaj edhe ndonjë fjalë në formë revolte, kur kujton të ëmën dhe jetën e saj. “Sa u fejua, u fut në burg; sa iu rrit djali, që e kishte të talentuar e të bukur, u fut në burg; sa u rregulluan me shtëpi, iu dogj shtëpia me gjithë gjërat që kishin; erdhi në Tiranë, u dogj edhe shtëpia këtu. Janë fatalitetet e jetës. Këto nuk mund t’i kuptojë dot njeri, janë në shpirtin tim. Të gjitha shtëpitë kanë tragjeditë e tyre e nuk i transmeton dot te të tjerët”, thotë Nita. Në dhomë gjendet një portret i Petros dhe një fotografi e hershme familjare. Në cep edhe dy rafte me libra.

“Ja këto më ka lënë, librat dhe pikturat”, thotë Nita teksa pëshpërit se ka shumë punë për të bërë. “Janë librat e babit, të Madusë…”. Ul kokën dhe pason heshtja. Tashmë as ajo nuk di ç’të bëjë me kohën e saj pas vitesh të tëra të mbushura me shqetësime, ku përveç fatkeqësisë së shëndetit të Safos dhe të Madusë, kushtet ekonomike e kanë vënë jo rrallë në sprovë. Por mes dhimbjes ajo gjen forcë të flasë për familjen, atë të Petro Markos së njohur, se sa punonin ata të dy, burrë e grua. Pastaj sheh pikturat dhe thotë se Safoja kishte një lidhje të veçantë me to. “Pas vdekjes së babait dhe aksidentit të Madusë, mamaja ra në gjendje shumë të keqe. E vetmja gjë që e ndihmonte ishte piktura. Unë e lija të punonte. Nuk kishim mundësi financiare dhe i blija pak ngjyra, madje as kanavacë nuk i blija dot. Harxhonte gjithë kohën duke punuar. Jo rrallë i ka mbuluar disa nga pikturat që ishin për të bërë mbi to të reja.

Nuk kishte ku të pikturonte”, thotë Arianita dhe tregon disa të varura në mur. Ekspozita e fundit ku Safoja mundi t’i shihte veprat e saj të varura në mur ishte ajo e vitit 2008 në galerinë “Zenit”. Në shtëpinë e saj kanë mbetur pak piktura. Në ditë të vështira u është dashur t’i shesin. Së fundmi, ka shitur 25 të tilla, të vjetra e të reja, që do të qëndrojnë në muret e një banke. “Ajo thoshte që nuk kishte çfarë të linte tjetër dhe më la pikturat. ‘Kur të jesh keq dhe pa bukë, të shesësh punët e mia’, më thoshte. Kjo ishte pasuria që më la. Një pjesë unë i shita që tani.

Në një farë mënyre ajo mbajti veten”, thotë vajza, e cila po ashtu deshi pikturën, por u detyrua ta braktiste. Safoja, disa kohë më parë, kur ishte ende në gjendje, kishte nisur të shkruante kujtimet, të cilat më pas i kishte ndërprerë. Poshtë pallatit apo aty gjetkë nuk gjen asnjë lajmërim vdekjeje. Safoja(emri i së cilës ishte Safije, por i kishte mbetur Safo ndër vite) e kishte lënë amanet të mos ngjisnin të tilla dhe as të mos shtronin drekë pas varrimit. E bija, ashtu si shumë fëmijë të tjerë arti është e lënduar për vlerat që nuk u janë njohur. Safo Marko nuk mori asnjë çmim të lartë dhe dje u përcoll në banesën e fundit, në varrezat e Sharrës nga pak miq e familjarë. Nuk u bë asnjë homazh e nuk pati asnjë angazhim institucional, ndonëse në emër të Ministrisë së Kulturës, zvministrja Suzana Turku mbajti edhe fjalën e përcjelljes.

“Kanë mbetur aq shumë gjëra në këtë shtëpi, një shënim i babit diku, diku tjetër një dedikim. Janë gjëra të vyera për ne, por që hë për hë nuk kanë vlera për të tjerët. Është problem i gjithë krijuesve. Më vjen keq kur i shoh e nuk di çdo të bëhet me to”, thotë Arianita, e vetmja e mbetur e familjes Marko. Pas ceremonisë së varrimit ajo u kthye sërish në shtëpinë modeste, aty ku jashtë dritares shënohet: “Këtu ka banuar shkrimtari Petro Marko”.

Biografi

Safo Marko lindi në Selanik të Greqisë, më 28 Mars 1926. Ishte në moshën 4-vjeçare kur familja e saj u kthye në atdhe. Safo i kreu studimet në Institutin Femëror “Nëna Mbretëreshë”. Me çlirimin e vendit, fillimisht punoi si spikere në Radio Tirana dhe gradualisht u aktivizua si piktore në organet e shtypit. U shqua në pllakatet festive që afishoheshin në kryeqytet dhe në të gjithë vendin. Ka punuar si piktore krijuese për abetaren e parë dhe revistat për fëmijë, me kopertina dhe ilustrime, që nga numri i parë e në vazhdimësi. Në rrethet intelektuale u njoh me shkrimtarin Petro Marko, në atë kohë drejtor i gazetës “Bashkimi”, me të cilin u martua dhe pati dy fëmijë: Jamarbërin dhe Arianitën. Që nga viti 1956 ka marrë pjesë në të gjitha ekspozitat kombëtare të Arteve Figurative në vend dhe jashtë tij. Në Galerinë Kombëtare gjenden 21 punime të saj. Ka qenë piktore krijuese derisa doli në pension në Shtëpinë Botuese “Naim Frashëri”. Nga duart e saj kanë dalë mbi 1000 kopertina origjinale librash të letërsisë për fëmijë e të rritur, si dhe një numër i pallogaritshëm ilustrimesh. Shkrimtari Odhise Grillo ka thënë se me ilustrimet e krijuara nga Safo Marko mund të krijohet një unazë rreth e qark Tiranës me fëmijë, lule, zogj e flutura.

Për krijimtarinë e saj artistike është vlerësuar me dekoratën e lartë “Çmimi i Republikës”, si dhe shumë çmime në konkurse nga organe të ndryshme, p.sh. për ciklin grafik “Heroinat” me rastin e 30-vjetorit të Çlirimit të atdheut, kopertina të revistës “Fatosi”, të revistës “Yllka”, seri vizatimesh “Nga aksionet e rinisë”, etj. Duke qenë e martuar me shkrimtarin Petro Marko, jeta e tyre pati shumë peripeci e hidhërime, si ajo e shumë artistëve të tjerë në atë kohë. Ajo nuk mori asnjëherë vlerësimin e duhur zyrtar me ndonjë titull, megjithëse ishte shumë e vlerësuar dhe e kërkuar për krijimtarinë e saj.

Kujtimet
Mesazhet që Petroja dërgonte në enët e burgut

Ai ishte në burg. Ditët kalonin. Nëna ime e veshur si gjithmonë me të zeza për vdekjen e babait tim lëvizte nëpër dhomën e vetme që kishim, si hije, pa zhurmë. Gjente përherë një punë për të bërë, por asnjë fjalë për të thënë. Ishte viti 1947. E vërteta e pabesueshme, e pamohueshme ishte e qartë: ai, Petroja ishte i mbyllur përsëri në burg. Unë e lirë përjashta. Çfarë lirie? Nëna përgatiste ushqimin e paktë (ishin kohë të vështira) në tasat e vegjël prej alumini dhe dy feta bukë të zeza, të cilat do t’i çoja unë në orën 12.30 në burg për Petron, të dashurin, shokun tim, luftëtarin e Spanjës, poetin, gazetarin, të internuarin në ishullin e Ustikës nga fashizmi italian, djalin shqiptar, bregdetasin, që në prag të çlirimit u kthye në atdhe me një tabor shokësh e miqsh, grumbulluar në Bari e Romë pas çlirimit të Italisë nga fashizmi, të gjithë dalë nga burgjet dhe internimet larg atdheut, nga lufta në male e në tokë të huaj me kërcënimin e vdekjes këmba-këmbës, Por ata u përpoqën e duke u bashkuar me shokët mbritën në brigjet e atdheut me përpjekje mbinjerëzore, për të marrë pjesë në çlirimin e tij pranë shokëve partizanë, që të inkuadruar në armata luftuan dhe e arritën qëllimin e tyre, duke mos kursyer as jetën. Sado të sfilitur, ata hodhën hapat e para në brigjet e vendlindjes, të pritur nga vëllezërit dhe motrat partizane, të pritur nga populli që i dha jetën luftës për çlirim.

… Enët prej alumini me ushqimet e pakta e të thjeshta, mbajtur me kujdes, një çadër të vjetër, hapur mbi mua e mbi ushqimin që i shkonte Petros në qeli, unë nisesha në rrugën e Burgut të Ri në shi e në borë, me këpucët e vjetra e të përdorura e me një pallto ngjyrë kafe të errët, e përdorur dhe ajo – ndihma nga populli amerikan – mes baltës së rrugës e dhembjes në shpirt për të arritur në orar në derën e hekurt të burgut, brenda të cilit dergjej i dashuri, i miri im Petro, të cilin nuk e takova kurrë, kurrë, asnjë herë, asnjë çast në ato tre vjet!

Për të qenë e sinqertë, duhet të shtoj se Ministri i Bujqësisë, nëpërmjet Kin Dushit, njeriut të luftës – partizanit, luftëtarit, zemërbardhit, shkrimtarit, bëri të mundur që unë të punoj shumë, të mbaj shtëpinë me bukë dhe mbi të gjitha, të mbaj Petron në Burgun e Ri që ishte mbushur me intelektualë e ish- luftëtarë të lirisë, një numër i konsiderueshëm miq të tij.

Petroja e gjeti mënyrën se si të komunikonte me mua: Ai gërvishti mbi kapakun prej alumini të enëve të ushqimit, duke më informuar gjendjen e tij dhe duke më pyetur në se kishte ndonjë të re jashtë. Tepër i shqetësuar për fatin tim të zi, për ato që mua më duhej të përballoja më kërkonte që edhe unë të shkruaja me gjëlpërë mbi ata kapakë ndonjë të re, ndonjë shpresë…

Unë u trondita, por bëra ashtu si deshi ai. Kështu ne komunikuam mjaft herë.

Tre vjet të kaluar ashtu janë shumë të gjatë! Një kohë që dukej pambarim pa u parë asnjëherë dhe me ankthin e përhershëm se si do të ishte fati i jetës sonë. Ndërkohë unë isha vazhdimisht e ngarkuar me punë krijuese. Unë e quaj një “favor” që më bëhej mua, për të cilin u isha mirënjohëse.

… Në ato tre vite mbaj mend vetëm një stinë: Dimër. Nuk i vura re pranverat. Nuk e vura re gjelbërimin dhe lulet nuk i pashë asgjëkundi. As ngrohtësia e diellit nuk ekzistonte. Bënte vetëm ftohtë, më ngrinin duart dhe lotët nuk më pushonin. Dëborë në shpirt. Ngricë në shpirt. Stinët ishin marrosur!

… Fati i bardhë-dhe fati i zi më bënë të njoh e të lidhem me atë djalë patriot, gazetar, luftëtar, poet, të shkathët e simpatik. Ai ishte vërtet “I pastër si kristali” ashtu si më tha me plot gojën në mesin e natës së zezë, kur erdhën dhe e arrestuan në dhomën tonë të thjeshtë, ku u ndamë të habitur e me lotë në sy, për ata tre vite të rëndë, ata vite të zeza që pasuan. Ishte ndërhyrja e Nesti Kerenxhit, mik i tij që në vitet e rinisë në Korçë, që bëri t’i ndërpriten torturat çnjerëzore në birucën e Burgut të Ri. Petroja mundi të jetojë e të ballafaqohet me “drejtësinë” në një gjyq ushtarak, qesharak e formal në të cilin u pranova si dëgjuese edhe unë. Akuza dhe vendimi ishin të tmerrshme, poshtëruese për një idealist si ai: “Armik i popullit dhe fajtor për veprën e spiunazhit në favor të të huajve”

……………Në 15 maj 1950, kur ai doli nga dera e burgut, tek e prisja, pashë një skelet të gjallë të vinte drejt meje. Ishte Petroja. Që aty shkuam në shtëpinë tonë të vogël e të varfër që na kishte dhënë Këshilli i Frontit të lagjes pas arrestimit të tij.

Artikujt e fundit


Reklama

Reklama