Qyteti i Amantias u është shtuar zonave që Këshilli Kombëtar i Arkeologjisë miratoi për të bërë gërmime gjatë vitit 2013. Projekti për të “zbuluar Amantian” do të nisë në qershor dhe pritet të eksplorojë qytetin në të gjitha drejtimet. Duke qenë se gjendja e tanishme është e pamundur për të filluar gërmime në sit, puna do të nisë ngadalë. Qëllimi i projektit është identifikimi i të gjitha elementeve arkitektonike të të gjitha periudhave të shpërndara në sit, brenda fortifikimit dhe të ripërdorura në muret e banesave. Drejtues të projektit Amantia do të jenë dr. Elio Hobdari dhe Jamarbër Buzo.
Gërmime gjatë këtij viti do të vazhdojnë edhe në zonën e Butrintit, në fshatin Kodër të Tepelenës, në luginën e Langaricës në Vjosën e Sipërme. Projekti “Neoloti i hershëm në Shqipëri” i nisur si bashkëpunim me Universitetin e Cincinatit SHBA, do të vazhdojë gërmimet në Vashtëmi, për mbylljen e gërmimeve në këtë vendbanim dhe kryerja e vëzhgimit dhe e gërmim kontrolli në Dajlanin e Ri në Treport, ku janë evidentuar gjurmë të një vendbanimit neolitik. Gërmime do të ketë në anën jugore të liqenit të Maliqit, në Apoloni. Në këtë të fundit ato do të jenë të përqendruara në dy sektorë, në sektorin e banesave romake G dhe në agoranë e qytetit, të cilat kanë si qëllim studimin e unitetit urbanistik të qytetit në periudha të ndryshme të jetës së qytetit. Gërmime do të ketë dhe në Hadrinopol, Foinikë, Rorumin romak të Butrintit, Antigonea, Dimal, Orikum, Shkodër, Bylis, Lezhë, Koman.
Të gjitha këto gërmime, përveç arkeologëve shqiptarë, drejtohen dhe nga arkeologë të huaj. Gërmimet arkeologjike në qytetin e Orikumit, të cilat janë përqendruar në zonën pranë murit në afërsi të lagunës, i konsideruar si muri i portit të qytetit dhe në nekropolin e qytetit, do të drejtohen nga dr. Saimir Shpuza prej Institutit të Arkeologjisë dhe prof. Jean Paul Descoeudres nga Universiteti i Gjenevës, Zvicër. Shpuza dhe Descoeudres do të drejtojnë edhe gërmimet në Shkodër. Monumenti i 40 shenjtorëve në Sarandë do të jetë sërish objekt i gërmimeve, kryesisht në ambientet jashtë kishës: gërmime në pjesën perëndimore të kishës: pjesa e jashtme e sterna 5 dhe 6, shkallarja veriore e jugore dhe dokumentimi grafik e përpunimi i materialit arkeologjik. Interesante janë edhe gërmimet në Lezhë, në varreza dhe kala, të cilat do të drejtohen nga dr. Etleva Nallbani (Shkolla franceze e Romës) dhe dr. Elvana Metalla (Instituti i Arkeologjisë). Fortifikimi i qytetit të Durrësit në periudhën e vonë antike, do të jetë sërish objekt studimi. Këtë vit, gërmime me karakter sondazhi do të fokusohen në anën e brendshme të murit rrethues pranë portës së mundshme të kullës trekëndore.
Shqipëria e pasur nën ujë
Bregdeti shqiptar është konsideruar gjithnjë si një hapësirë e madhe, e cila fsheh thesare nën ujë. Sipas drejtorit të Institutit të Arkeologjisë, Luan Përzhita, “së shpejti do të jetë gati harta e të gjitha qendrave arkeologjike që janë nën ujë, anije të mbytura etj., të cilat në shumë vende të botës shfrytëzohen për turizëm”. Harta arkeologjike nënujore e bregdetit shqiptar do të realizohet nën drejtimin e Adrian Anastasit, njohës i mirë i arkeologjisë nënujore dhe dr. Jeff Royal nga Fondacioni “RPM Nautical”, Universiteti i Karolinës Lindore dhe SHBA. Sipas përfaqësuesve të këtij projekti, do të kryhet jo vetëm skanimi i zonave me potencial të lartë arkeologjik nga Gjiri i Vlorës deri në derdhjen e Shkumbinit, por edhe testime në breg, ku do të përqendrohen në bregdetin e Jonit, i cili ka qenë objekt i skanimeve gjatë viteve të shkuara.
Samimi: Pasuria jone nen toke
Genc Samimi, njohës i mirë i trashëgimisë kulturore, mund të flasë gjatë për “Mozaikun e Tiranës” ku në vitin 1987 do të niste punë për të mos u larguar më deri sa doli në pension. Vetëm nëntë vjet nga zbulimi i tij, ajo çfarë sot reflekton hapësira përreth mozaikut është falë përkushtimit të Samimit. Teksa flet për zbulimet e tjera të bëra gjatë viteve në këtë zonë, Samimi ndalet pikërisht në vitin e zbulimit të këtij mozaiku më 1972, ku sipas tij, gërmimi nuk është bërë i plotë. Gjatë viteve 2003-2004, punimet e sistemimit të rrugëve dhe instalimeve të ndryshme të bllokut “Partizani” zbuluan pranë rrethimit të monumentit pjesë të tjera të kompleksit. Më kryesoret këtu ishin vaskat e fermentimit të mushtit të rrushit, por edhe pjesë të tjera muresh në dy pika të ndryshme.
Brenda këtij kompleksi u zbuluan tri stela varresh të periudhës romake. Gërmimet e fundit përforcuan mendimin se kemi të bëjmë me një vilë fshatare, ndërkohë që nuk është gjetur asnjë e dhënë për transformimin në bazilikë paleokristiane të mbështetur nga autorët e gërmimit të parë të viteve ’70. Duke u nisur nga ky sit arkeologjik, që sipas Samimit fsheh ende një pasuri nën tokë, që mund ta bënte më të plotë historinë e së shkuarës së qytetit, gërmimet arkeologjike janë të rëndësishme jo vetëm për të mësuar të shkuarën, por dhe për të pasur një portret të plotë të kulturës sonë. “Gjithë pasuria jonë është nën tokë.
Por askujt s’i ka interesuar të bëhen gërmime”, thotë Samimi. Sipas tij, interesat e vogla meskine të njerëzve që kanë në dorë këtë punë, kanë sjellë që shumë zbulime të mos vazhdohen më tej. Shqipëria është një territor i ri për sa u përket gërmimeve arkeologjike, duke qenë se gjatë komunizmit harta e zonave ku bëheshin gërmime ishte e kufizuar, dhe një pjesë e gërmimeve nuk vazhdoheshin. Duke qenë se në qytete ndërtimet kanë humbur gjurmët e zonave të cilat mund të gërmoheshin, sitet arkeologjike, apo zonat e shpallura monument kulture duhet të vazhdojnë të hulumtohen nga arkeologët. Sipas Samimit, shteti duhet të ketë një strategji për sa i përket trashëgimisë kulturore.