Amb. britanike-opozites Fakto akuzat per Crown Agents ose terhiqu

Amb. britanike-opozites: Fakto akuzat per 'Crown Agents' ose terhiqu

Opozita duhet të faktojë akuzat për praktika korruptive nga kompania britanike, “Crown Agents” ose në të kundërt t’i tërheqë ato. Ky ishte reagimi i ashpër i Ambasadës britanike në Tiranë, pas akuzave të kryedemokrati Lulzim Basha, ditën e djeshme.

Ambasada kujton se, korrupsioni në biznes, përfshirë edhe kompanitë britanike, që punojnë jashtë Mbretërisë së Bashkuar, klasifikohet si krim dhe hetohet nga policia britanike.

“Gjatë ditëve të fundit, disa politikanë dhe komentues shqiptarë kanë artikuluar në shtypin e shkruar dhe atë elektronik, akuza të rënda për praktika korruptive ndaj një kompanie britanike, Crown Agents.

Qeveria britanike i trajton çështjet e korrupsionit me shumë seriozitet. Korrupsioni në biznes, përfshirë edhe kompanitë britanike që punojnë jashtë Mbretërisë së Bashkuar klasifikohet si krim sipas UK Bribery Act (legjislacionit britanik mbi mitmarrjen). Çdo provë për korrupsion të kryer nga një kompani britanike duhet të sillet në vëmendjen e Policisë Britanike, qoftë drejtpërdrejtë, qoftë përmes kësaj Ambasade”, thuhet në deklaratën e Ambasadës britanike.

Në stafin e “Crown Agents” dhe një ministër britanik

Në deklaratën e saj Ambasada thekson se, në stafin e kompanisë britanike ndodhen zyrtarë të lartë, mes tyre edhe një ministër. Në këtë mënyrë ky institucion lë të kuptohet se, akuzat ndaj kompanisë janë njëherësh edhe akuza ndaj qeverisë britanike.

“Crown Agents është një kompani e respektuar britanike, e cila ka qenë më parë një agjenci e qeverisë britanike dhe shumë nga stafi i saj janë ish-zyrtarë të qeverisë. Një prej ministrave në qeverinë e tanishme është pjesë e Bordit Menaxhues të Crown Agents”, thuhet në deklaratë.

Ambasada: Sillni prova ose tërhiquni

Ambasada vë në dukje se akuzat e publikuara, politika asnjëherë nuk i ka faktuar. Ajo kërkon që nëse nuk mund t’i vërtetojnë akuzat, atëherë t’i tërheqin.

“Nga ana tjetër, politikanë të caktuar shqiptarë kanë hedhur vazhdimisht që prej shtatorit 2013, akuza për korrupsion ndaj Crown Agents. Gjatë gjithë kësaj kohe, ata asnjëherë nuk i kanë mbështetur akuzat e tyre me fakte konkrete. Në këto rrethana, gjëja e duhur për t’u bërë është ose faktimi akuzave ose tërheqja e tyre. Në fakt, duket qartë që këto akuza nuk janë të besueshme dhe duhet të mos merren parasysh nga Parlamenti dhe opinioni publik”, përfundon deklarata.

Kryetari i PD-sw Lulzim Basha kërkoi dje ndërprerjen e kontratës me kompaninë britanike “Crown Agents”, që mbikëqyr doganat shqiptare. Arsyeja sipas tij, lidhet me 150 milionë dollarë që mungojnë në arkën e shtetit.


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama