Ambasadori Arvizu Shqiptar vepro tani

Ambasadori Arvizu: Shqiptar vepro tani
Promovohet nisma ”Vepro tani!”. Kadare: “Një tjetër greminë morale është humbja e besimit te drejtësia. Nuk duhet lejuar kurrsesi” . Ambasadori amerikan, Aleksandër Arvizu në bashkëpunim me shoqërinë civile ka promovuar nismën “Vepro tani!”. Në fjalën e tij diplomati vuri në dukje disa prej shqetësimeve apo ngjarjeve që has populli shqiptar.

“Duke dalluar progresin, të ndalojmë në realitetin e vështirë dhe të zymtë ku përballen 365 ditë të vitit shqiptarët. Vepro Tani! është për çdo qytetarë të Republikës. Është për ndryshimin që çdo njeri kërkon, ndryshimin për të cilin flasin të gjithë. Për çdo cep të kësaj toke të bekuar. Gjendet në hidhërimin në Elbasan tek viktimat e aksidentit, dhe në Dukagjin ku një familje humbi vajzën, si pasojë e një dhune të pakuptimtë. Gjendet në zemërthyerjen e banorëve të Sarandës, ku qyteti piktoresk ka humbur shumë prej hijeshisë së tij dhe është transformuar në beton. Gjendet në zemërthyerjen e Gjirokastrës tek shohin që nga neglizhenca shemben shtëpitë historike. Tek Tirana ku lëvizja e makinave është kaotike dhe e rrezikshme për këmbësoret. Është koha për të vepruar tani, në këtë çast”- u shpreh Arvizu.

Me një fjalim të ndjerë, Ambasadori amerikan  i bëri thirrje sot shoqërisë civile shqiptare të mos ndalet, por të luftojë për hapësirat dhe të drejtat e saj. “Jam i bindur që shumëkush nga ju në këtë sallë thotë me vete, i shkreti z. Arvizu, ndoshta e ka për mirë, por kjo është Shqipëria, gjërat janë ndryshe këtu. Por unë nuk mendoj se duhet të jetë kështu!”, u shpreh diplomati amerikan.

Më anë të një video-konference, nismën e përshëndeti dhe shkrimtari i shquar Ismail Kadare. Në mesazhin e tij Kadare shprehu shqetësimin për humbjen në sistemin e drejtësisë. ”Veshët na janë mësuar me fjalë: luftë për mbrojtjen e mjedisit, kafshëve. Kanë ekzistuar edhe më parë: “duajini lepujt”, “mbroni kafshët”, “duajeni natyrën”, por njerëzimi ka ecur në kah të kundërt. Kjo luftë, që dukej e vogël, tani ka marrë peshë dramatike, tragjike, përmasa botërore. Një bregdet, peizazh i shkatërruar është si pas një lufte, bombardimi. Ka probleme në dekulturimin e vendit, prishje të sistemit arsimor.

Ka 1 milion njerëz, fati i të cilëve varet nga kjo gjë. Dhe njerëzit duhet të japin mendimin e tyre, energjinë e tyre. Një tjetër greminë morale sot është humbja e besimit të drejtësia. Nuk duhet lejuar kurrsesi. Është katastrofë e vërtetë. Këto duken probleme të ndryshme, por kanë lidhje kauzale mes tyre. I uroj ambasadorit, që ta zhvillojë këtë nismë, siç duhet! Të përfshijë sa më shumë qytetarë, njerëz, ide!”, ka thënë Kadare.

Nisma “Vepro Tani” u drejtua nga gazetari e shoë-meni Adi Krasta dhe u përshëndet nga ish-Presidenti i vendit Alfred Moisiu, këngëtarja përfaqësuese e Shqipërisë në Eurosong 2012, Rona Nishliu, etj.

Artikujt e fundit


Reklama

Reklama