KUKES, 28 Tetor/ATSH/- Ambasadori i SHBA-së në Shqipëri, Donald Lu zhvilloi një vizitë në Kukës ku u prit nga Kryetari i Bashkisë, Bashkim Shehu.
Në bashkëbisedimin me ambasadorin Lu, kryebashkiaku Shehu, e njohu me situatën aktuale në të cilën ndodhet komuniteti i kësaj zone dhe potencialet zhvillimore të Kukësit.
Duke e falenderuar për mbështetjen dhe bashkëpunimin e deritanishëm, Bashkim Shehu theksoi se Bashkia e Kukësit është shumë e interesuar për zgjerimin e këtij bashkëpunimi me Ambasadën e SHBA-së. "Kukësi po përballet me mjaft problem sociale, si papunësia, përkujdesja jo e duhur nga shteti, largimet masive të azilkërkuesve drejt vendeve të BE-se por edhe rikthimi i tyre", tha Shehu duke shtuar se është me mjaft interes mbështetja dhe ri-integrimi i atyre që kthehen nga këto vende.
"Mikrokreditë dhe mbështetja për krijimin e minifermave, bimët medicinale dhe arsimi profesional, janë disa nga prioritetet për t'i dhënë zhvillim ekonomive familjare. Turizmi malor është një tjetër potencial i rëndësishëm mbi të cilin po synohet të ndërtohet një qëndrueshmeri. Ky sektor i rëndësishëm kërkon edhe mbështetje për rigjenerimin e vlerave të trashëgimise kulturore e të traditës", tha kryebashkiaku i Kukësit.
Ne si bashki - theksoi më tej kryetari Shehu - jemi njohur me thirrjen e fundit për turizmin të mbështetur nga USAID dhe kemi projekte konkrete për të aplikuar në këtë program.
Shehu, kërkoi nga Ambasadori Amerikan Donald Lu ndikimin e tij për të shtrirë edhe projektet e bashkëpunimit ndërkufitar me Kosovën për shkak se USAID dhe Departamenti i Shtetit të SHBA-së implementojnë prej vitesh projekte të tilla në disa komuna të Kosovës.
Po kështu u fol edhe për zhvillimin e industrisë minerare dhe shfrytëzimin e këtyre pasurive. Kryetari Shehu tha se mundësitë e një ekonomie të qëndrueshme janë nëse këto pasuri shfrytëzohen me kriter dhe bashkia të përfitojë renten minerare me një rritje jo në këtë masë sa është e përcaktuar.
Kryetari i Bashkisë e falenderoi edhe për Këndin Amerikan në Kukës njëri prej tre të tillëve në Shqipëri, duke i kërkuar njëkohësisht zgjerimin e kapaciteteve të tij dhe ambienteve për një përfshirje më të madhe jo vetëm të fëmijëve dhe të rinjëve por edhe grup moshave të ndryshme të shoqërisë.
Kryetari Shehu, në takimin me ambasadorin Lu shprehu edhe shqetësimet që lidhen me reformat e qeverisë qoftë atë të ndarjes teritoriale, për më tepër për mënyrën e veprimit në vjeljen e detyrimeve vendore të taksapaguesve apo edhe nisma të tjera më aksione për energjinë elektrike dhe ujin e pijshëm, duke kërkuar në të njëjtën kohë që qeveria shqiptare të jetë më sociale në këtë drejtim dhe t'u krijojë mundësi ankimimi e reflektimi bizneseve pasi pjesa më e madhe e bizneseve në Kukës nuk e kanë atë konsolidim financiar për të përballuar nisma të tilla.
Ambasadori amerikan, Donald Lu falenderoi kryebashkiakun Shehu për pritjen e veçantë që iu rezervua në Kukës.
Ambasadori Lu tha se do të jetë gjithmonë bashkëpunues dhe i gatshëm për të mbështetur nisma zhvillimore dhe projekte konkrete për Kukësin duke theksuar se potenciale të tilla në këtë vend janë shumë interesante e si të tilla do të jenë në vëmendjen e tij.
Ambasdori Lu u interesua edhe për mënyrën e funksionimit të bashkisë së re pas ndarjes teritoriale, për menaxhimin e buxhetit dhe aplikimin e paketës fiskale për taksat dhe tarifat vendore.
Ambasadori amerikan Donal Lu u shpreh shumë i lumtur me këtë vizitë, duke e cilësuar të parën por jot ë fundit,madje duke premtuar se shumë shpejt do të rikthehet në Kukës për një vizitë së bashku me familjen e tij.
Në respekt të traditës mikpritëse, kryetari i Bashkisë i dhuroi punimet artizanale të Kukësit, qeleshen dhe çorapet e krahinës. /a.gegvataj/