TIRANË, 24 Korrik/ATSH-Gjergji Mima/ -Ambasadori i Gjermanisë në Tiranë, Hellmut Hoffmann vizitoi sot, bashkë me Zëvendësministren e Brendshme Elona Gjebrea pikën e kalimit kufitar me Greqinë në Kakavijë.
Për momentin, në këtë pikë të kalimit kufitar dhe në pikën e Kapshticës bashkëpunojnë ngushtë punonjës të Policisë Gjermane Federale me Policinë e Shtetit Shqiptar me objektivin për të luftuar migracionin e paligjshëm.
Qëllimi i vizitës ishte të krijohej një ide rreth problemeve që lindin në këto pika kufitare nga migracioni me synim azilkërkimin dhe rreth punës së përbashkët të punonjësve të Policisë Federale dhe të Policisë Shqiptare të Kufirit.
"Është një shenjë e mirë që ne punojmë në konsolidimin e përpjekjeve të përbashkëta për të luftuar kundër migracionit të paligjshëm", u shpreh Ambasadori Hoffmann. Kjo do të ishte në interes të të dy shteteve".
Që prej datës 16 korrik 2015 janë vendosur në Shqipëri dymbëdhjetë punonjës së Policisë Federale, të cilët kryejnë shërbimin e tyre së bashku me kolegët shqiptarë në pikat e kalimit të kufirit me Greqinë, si Kapshticë dhe Kakavijë.
Qëllimi i misionit është shkëmbimi i përvojave dhe mbështetja e policisë kufitare shqiptare. Punonjësit e Policisë Federale mbështesin me konsulencë kolegët e tyre shqiptarë në mënyrë të veçantë gjatë mbikqyrjes dhe kontrollit në kufi, me qëllim luftën e migracionit illegal dhe krimit ndërkufitar.
"Nisur nga numri në rritje i azilkërkuesve shqiptarë në Gjermani - vetëm në qershor të këtij viti kanë paraqitur kërkesë për azil rreth 5.900 shqiptar - pala gjermane dhe shqiptare po intensifikojnë përpjekjet e tyre në luftën kundër migracionit të paligjshëm. Krahas kësaj Ambasada Gjermane hedh dritë mbi situatën ligjore. Azil për arsye ekonomike nuk ka. Ndaj aplikimet për azil të shqiptarëve praktikisht nuk kanë asnjë shpresë për tu njohur si të tilla në Gjermani apo në ndonjë vend tjetër të Bashkimit Evropian", thekson ambasada gjermane.
/f.n/