Ambasadori Dashnor Dervishi tha dje se palët po punojnë në mënyrë të pavarur për të arritur një zgjidhje. “Kjo çështje nuk kushtëzon hapjen e negociatave me Bashkimin Europian”
Ambasadori shqiptar në Greqi, Dashnor Dervishi tha dje se nuk ka ende negociata mes Shqipërisë dhe Greqisë për marrëveshjen e detit. I ftuar për të raportuar në komisionin e Jashtëm, Dervishi deklaroi se dy vendet po punojnë në mënyrë të pavarur për këtë çështje. Ai e cilësoi keqinterpretim jehonën që pati deklarata e Venizellos për kufirin detar, ndërsa e konsideroi njëherë e mirë të rrëzuar nga Kushtetuesja marrëveshjen e vjetër. “Nuk ka negociata direkte për këtë çështje, ndërkohë që ka përgatitje për të gjetur zgjidhje. Në të dyja ministritë po punohet për alternativat se si mund të gjendet konsensusi”,- theksoi ambasadori Dervishi.
Pavarësisht deklaratës së ndonjë zyrtari atje apo ndonjë shkrimi në mediat e vendit fqinj se shteti grek i përmbahet marrëveshjes së nënshkruar me qeverinë ‘Berisha’, ambasadori i Shqipërisë thotë se për palën shqiptare, vendimi i Gjykatës Kushtetuese është udhërrëfyesi i zgjidhjes së kësaj çështjeje. “Në Athinë është bërë e qartë që vendimi i Gjykatës Kushtetuese së Shqipërisë është i panegociueshëm dhe Athina e ka të qartë se Shqipëria është e gatshme të rinegociojë marrëveshjen, mbi bazën e respektimit të gjithë ligjeve të vendit dhe Kushtetutës shqiptare”, shpjegon Dervishi. Për ambasadorin Dervishi, zgjidhjet e të gjitha çështjeve do të derivojnë nga heqja e Ligjit të Luftës me Shqipërinë, që Greqia ka ende në fuqi, ku në këtë drejtim ai pohon se pala greke ka avancuar në njohjen e tij si problem.
“Është një progres i dukshëm. Në qoftë se deri dje, Ligji i Luftës pëshpëritej si emërtim, sot është shtruar çështje për zgjidhje”, – shtoi ai. Diplomati ynë në Athinë hedh poshtë interpretimet që i janë bërë deklarimeve të ministrit të Jashtëm grek, Venizellos, për bllokim të hapjes së negociatave Shqipëri-BE, duke e kushtëzuar me zgjidhjen e marrëveshjes së detit: “Nuk besoj, pasi vetë integrimi nuk përmban kushtëzime dhe lëshime. Nuk shkohet me kushtëzime drejt BE-së.” Ambasadori që është thirrur për të raportuar në Komisionin e Politikës së Jashtme për çështjet e mbetura pezull mes Shqipërisë dhe Greqisë, pohoi se me qeverinë e re në Shqipëri, marrëdhëniet mes dy vendeve kanë hyrë në fazën e kërkimit të formulave të zgjidhjes, ku nuk ka më asnjë rezervë dhe tabu, por të gjitha çështjet janë të hapura. Por ajo që nuk ka përgjigje është koha e zgjidhjes së tyre, kur ambasadori thotë se në marrëdhëniet diplomatike ndërkombëtare nuk flitet me afate. “Shpresoj dhe dëshiroj që e gjithë paketa e marrëdhënieve Shqipëri-Greqi të zgjidhet dhe stabilizohet përsa kohë që unë kam mandatin në Greqi, por nuk e di a do të realizohet”, – përfundoi ai.