“Njerëzit duhet të edukohen, një anëtar i kabinetit s’mund të thotë gjëra të tilla”
Ambasadori holandez në vendin tonë, Henk G. C. van den Dool, konfirmon pjesëmarrjen e tij në manifestimin që do të mbahet në Tiranë nga komuniteti gay më 17 maj. Në një intervistë për emisionin “Tonight” të gaz-etares Ilva Tare në Ora News, ai e quajti injorant kreun e PLL-së, Ekrem Spahia, që deklaroi se në atë paradë do t’u hyhej me dru homoseksualëve.
Më 17 maj, Dita Ndërkombëtare Kundër Homofobisë, ju do të merrni pjesë në një manifestim në Tiranë. Çfarë do të ndodhë ekzaktësisht atë ditë?
Besoj që ju e dini që Ambasada dhe unë person-alisht kam qenë shumë aktiv në promovimin e të drejtave të njeriut, sigurisht edhe të drejtat e minoriteteve seksuale. Unë kam qenë në Shqipëri për katër vjet dhe kam qenë aktiv në një sërë mënyrash në këtë fushë. Ajo që unë e gjej shumë interesante është se ajo çka do të ndodhë javën tjetër, do të jenë një sërë evenimentesh të organizuara nga organizata shqiptare, jo nga ne, por organizata të cilat punojnë për të drejtat e njeriut. Unë jam i kënaqur që do të marr pjesë në to dhe do të tregoj mbështetjen time.
Ajo që dua të theksoj është se këto janë aktivitete të organizuara nga shqiptarët dhe jam i sigurt që tri apo katër vite më parë, një gjë e tillë do të kishte qenë e pamundur. Dhe unë shoh se ka një rrugë për të bërë. Ka lëvizje. Ka homoseksualë shqiptarë, të cilët janë tani të gatshëm të thonë se “unë jam gay”. Ajo që më duket shumë interesante është se kur para disa javësh ka pasur një deklaratë nga një zëvendësministër shqiptar në lidhje me homoseksualitetin, nuk ka pasur reagime vetëm nga komuniteti ndërkombëtar, por edhe nga komisionerja për antidiskriminimin, zonja Baraku, Avokati i Popullit, zoti Totozani, madje edhe nga Kryeministri. Pra ne nuk jemi atje ku duhet, por unë jam optimist.
Po deklaratën e zoti Spahia, si e cilësoni? Mendoni se ka njerëz të tillë që mendojnë si ai?
Me siguri që ju e keni parë reagimin publik të BE-së, pjesë e së cilës kam qenë edhe unë. Nuk dua që të harxhoj shumë kohë me këtë, por më lejo të them që injorantë ka gjithandej. Unë ndiej që njerëzit duhet të edukohen në lidhje me këtë. Është e rëndësishme që njerëzit të informohen, të edukohen. Dhe ajo që unë e gjej fare të papranueshme dhe prandaj besoj se ka qenë arsyeja që ne e iniciuan atë reagim është kur një gjë e tillë del nga goja e një zyrtari të kabinetit qeveritar, sigurisht të gjithë kanë të drejtën të kenë opinionin e tyre, por duke qenë në pozicionin e një anëtari të kabinetit qeveritar, që aspiron për t’u bërë vend anëtar i BE-së, nuk mund të thuhen gjëra të tilla.
A mendoni se mënyra apo procesi se si do të zhvillohet zgjedhja e Presidentit të Republikës do të ndikojë në dhënien apo jo të statusit?
Mendoj se po, dhe nuk besoj se jam i pari që po e them këtë gjë. Besoj se një numër kolegësh të mi, madje edhe Komisioni Europian, e ka bërë këtë gjë shumë të qartë, sepse ne jemi shumë të interesuar për mënyrën se si procesi do të marrë formë dhe do të eci. Ne kemi thënë që i gjithë procesi që çon te zgjedhja e Presidentit, nuk po flasim për njerëzit, sepse nuk besoj që BE-ja do të favorizonte njërin apo tjetrin kandidat. Procesi është ai që do të tregojë një lloj maturie të partive politike në Shqipëri, prandaj është dhe një kohë shumë interesante. Unë jam shumë i kënaqur që po shoh zotin Meta që po takohet me zotin Rama, PD që po flet me partitë e tjera, sepse ne do të ndienim që Kushtetuta shqiptare preferon një president konsensual, një kandidat që do të merrte sa më shumë vota që do të ishte e mundur. Ne mendojmë se do të ishte tregues për një pjekuri demokratike të partive, për të arritur në një kandidat të tillë dikë që e ka mundësinë të përfaqësojë unitetin e Shqipërisë si një vend dhe gjithashtu mund të mbrojë Kushtetutën shqiptare.
Ambasadori amerikan u shpreh se preferohet një president në raundin e parë, çka do të thotë konsensual. Qeveria holandeze e ka një preferencë të tillë, apo mund të arrihet edhe në mënyrën tjetër kushtetuese, 71 vota?
Unë do të preferoja një president në raundin e parë me 140 vota, sepse një president me një maxhorancë sa më të madhe të jetë e mundur, do të ishte mënyra e vetme për të përfaqësuar unitetin e këtij vendi dhe sipas kushtetutës presidenti, nuk është një institucion politik dhe prandaj do të ishte e mrekullueshme, në qoftë se ky Parlament do të kishte mundësinë t’i kalonte ndryshimet politike dhe të gjenin një personazh që nuk do të ishte vetëm i pranueshëm, por të kishin një njeri që të rrinte mirë në karrigen e Presidentit. Kushtetuta parashikon 4 raunde, nëse tri të parat dështojnë, është edhe variant i fundit me një zgjedhje me shumicë të thjeshtë votash.
Por sigurisht, unë nuk mund të komentoj për këtë gjë, por kjo mund të jetë një parashikim i zgjuar në Kushtetutë, në mënyrë që të përjashtohet një tmerr pa fund, sepse vendi ka nevojë për një President, por, me sa kuptoj unë, Kushtetuta është e shkruar në frymën e një presidenti të zgjedhur me një numër sa më të madh votash. Unë nuk dua të hyj me emra konkretë, por mendoj se në Shqipëri keni emra të tillë. Duhet të jetë dinjitoz. Do të ishte shumë mirë që ai mos të kishte një profil shumë të lartë politik, mos të ishte i lidhur me regjimin e së kaluarës. Do të ishte vërtet shumë mirë në qoftë se ai do të ishte përmbi çdo lloj dyshimi në lidhje me korrupsionin, integritetin e tij.
Ka një kërkesë nga partitë e vogla për korrektimin e sistemit aktual zgjedhor, por, me sa deklarohen nga këto parti, nuk ka vullnet nga forcat kryesore. Cili mendoni se do të ishte një sistem i mirë për Shqipërinë?
Besoj që shqiptarët duhet ta zgjedhin vetë sistemin e tyre, nuk më takon mua të bëj rekomandime. Ajo që mund të them është që ka disa mënyra dhe modele për ta bërë ketë gjë. Unë ju përmenda që në Holandë kemi një sistem proporcional, gjë që sjell 10 – 11 parti në Parlament, por që i bën dhe koalicionet shumë të rëndësishme. Ajo që unë shoh me interes dhe me kënaqësi njëkohësisht, që pamja e partive politike në Shqipëri është duke ndryshuar, e gjithë dinamika. Përveç faktit që nëse unë jam dakord apo jo, nuk ka rëndësi. Po shohim parti të reja që po lindin, si Aleanca Kuq e Zi, apo Fryma e Re Demokratike dhe ende ne nuk i njohim me detaje, por të paktën ato u japin alternativa të reja votuesve, ndryshe nga tradicionalet e mëdha, për të cilat njerëzit kanë votuar deri tani.
Spahia: Mençuria s’ka të bëjë me prapanicën
Kryetari i PLL, njëherësh zv.ministër i Mbrojtjes, Ekrem Spahia, reagon pas deklaratës së mbrëmshme të ambasadorit holandez në Tiranë për paradën e komuniteti gay. I pyetur nga gazeta “Panorama” mbi qëndrimin e diplomatit Henk G. C. van den Dool, Spahia tha se “nuk e kam dëgjuar ambasadorin për këtë prononcim, por nëse dikush mendon që mençuria, kultura apo civilizimi kanë të bëjnë me prapanicën, them me bindje të plotë se është jashtë realitetit të shumicës absolute të shoqërisë shqiptare. Për paradën e gay-ve do të dal në një konferencë të posaçme për shtyp”. Pak javë më parë, kreu i PLL-së u përfshi në një debat publik me komunitetit gay në vendin tonë për shkak të një deklarate të tij mbi paradën e paralajmëruar për më 17 maj në Tiranë. “Ne jemi parti konservatore shqiptare, vlerësojmë trashëgiminë shqiptare si vlera të rëndësishme për një komb. Unë s’kam ndonjë koment tjetër, vetëm t’i ‘kap me hu ato’. Hu është fjalë dialektore, por besoj se kuptohet, ose thënë ndryshe: shkop gome”. Kjo deklaratë e Spahisë bëri që të reagonte menjëherë edhe Bashkimi Europian, ndërkohë që Kryeministri Sali Berisha e quajti të papranueshëm këtë qëndrim. “Aleatët kanë bërë deklarata të papranueshme. Aspak përgjigje mbretërore reagimi i zotit legalist, se dhe vetë janë parti e tolerancës dhe e kanë faktuar këtë dhe tani ka qenë një teprim se nuk mund të bëhet fjalë”, tha Berisha.