Ambasadorja amerikane në Prishtinë, Tracy Ann Jacobson, ka publikuar në profilin e saj në rrjetin social “Twitter” një foto ku tregon lëndimet e marra në krahun e saj ditën e ratifikimit të paktit Kosovë-Serbi në Kuvendin e Kosovës. Në foto Jacobson tregon të mavijosurat në krahun e saj, të shoqëruara me mesazhin: “Po e përshtat lëndimin tim me fustanin”. Ndërkohë, Kryeministri kosovar, Hashim Thaçi, ka dënuar veprimet e aktivistëve të Vetëvendosjes, të cilët tentuan të pengonin ambasadoren amerikane të hynte në selinë e Kuvendit. Thaçi gjithashtu është shprehur se, “asnjë veprim i izoluar nga kushdo qoftë nuk do të mund të dëmtojë relacionin e përjetshëm të shtetit të Kosovës me Shtetet e Bashkuara të Amerikës”. Një ditë pas protestave të VV, Departamenti amerikan i Shtetit reagoi duke thirrur në një takim ambasadorin e Kosovës në Uashington, Akan Ismajli. Mediat kosovare raportuan se zyrtarët e Departamentit u ankuan për dështimin e shtetit të Kosovës në dhënien e sigurisë së nevojshme për ambasadoren Jacobson.