Çekët kanë vërtet diçka për të ofruar kur vjen puna te sektori i turizmit dhe pikërisht për sa i takon turizmit malor. Përgjithësisht, çekët pëlqejnë t’i ngjiten maleve dhe të kalojnë shumë kohë në natyrë dhe të kujdesen për të. Ata kanë qenë shumë të suksesshëm në shënimin e shtigjeve në Krime dhe Rumani. Kështu, ambasadorja çeke në Tiranë, Bronislava Tomasova (që i pëlqen ta thërrasin shkurt Bronia) pati idenë e transportimit të kësaj eksperience edhe në Shqipëri. “Me mendimin për ta ndarë këtë ide, unë e paraqita atë verën e kaluar, ndërsa projekti u prezantua nëntorin e kaluar. Shumë shpejt erdhi edhe inaugurimi i tij, vetëm të dielën e kaluar. Së bashku me Shoqatën Turistike Dajti Alpino, shqiptarët patën rastin të ngjisin 2 shtigje drejt majës së Malit të Dajtit”, - shprehet ambasadorja çeke për gazetën “Shekulli”. Republika çeke ka njohuri të gjera në shënimin e shtigjeve. Më 11 Maj, të vitit 1889 ose 125 vite më parë, turistë vullnetarë çekë shënuan shtigjet e para. Çekët kanë sistemin më të zhvilluar të vendosjes së shtigjeve në Europë, për sa i takon dendësisë dhe cilësisë.
Ai shënon 40.000 km shtigje për të ecur, 30.000 km shtigje për biçikletat dhe afërsisht 3.000 km shtigje për ski. Fakt tjetër interesant është se çekët arritën të shënojnë edhe shtegun e parë për invalidët, që përdorin karrige me rrota. Të gjitha këto shtigje janë rezultat i një pune vullnetare të anëtarëve të Klubit të Turistëve Çekë, e cila daton 125 vite më parë dhe që përfshin më shumë se 35.000 anëtarë në ditët e sotme. “Kur erdha në Shqipëri, vura re se shumë donatorë ndërkombëtarë kishin filluar të merreshin më shënimin e shtigjeve. Por menjëherë vura re se, ato kishin nevojë të mirëmbaheshin gjithashtu, sepse vura re se shumë prej tyre ishin zhdukur me kalimin e kohës. Kjo më bëri të mendoj se lëvizjet civile duhet të merren me shënimin e shtigjeve në Shqipëri, më së shumti njerëz që i pëlqejnë malet”, - shton ambasadorja çeke Bronislava Tomasova. Pasi bëri ca kërkime, zonja ambasadore arriti të binte në kontakt me Shoqatën Dajti Alpino Turistik, e cila ishte një shoqatë e vogël e përbërë prej disa alpinistësh shumë të zotë.
“Ne menduam t’i ndajmë projektet tona me këtë Shoqatë, me qëllim përfshirjen edhe të familjeve dhe fëmijëve përderisa Mali i Dajtit është pranë Tiranës. Në këtë mënyrë, shqiptarët mund të qëndrojnë më shumë në natyrë dhe ta përdorin atë dhe kështu mund t’i shërbejnë turizmit lokal”, - thotë ambasadorja çeke Tomasova. Ajo na rrëfen se u takua me alpinistët e rinj gjatë një fundjave në Pukë ku ata po organizonin një konferencë. “Fillimisht nuk u dukën shumë entuziastë, sepse kishin shumë punë të tyre për t’u marrë. Por gradualisht ndërsa filluan punën ata filluan të tregojnë përgjegjësi kundrejt asaj që po bënin. Ata filluan të ndanin fotot në mediat sociale, duke treguar se çfarë kishin arritur të bënin. Dhe ato arritën më shumë sesa ne kishim rënë dakord në projektin tonë”, - thotë zonja ambasadore Bronislava Tomasova.
“Tani mund ta shikosh motivimin e tyre, sapo flet me ta. Ata kanë vënë zemrën e tyre në këtë punë. Më kanë befasuar. Ky është një shembull sesi një ide dhe pak mbështetje mund të zbulojnë energjinë e fshehur tek rinia”, - shton ajo. Ambasadorja i ka ndarë idetë e saj edhe me Ministren e Arsimit dhe Sporteve, Lindita Nikolla, të cilat kanë diskutuar edhe për njohjen e fëmijëve nëpër shkolla me shënimin e shtigjeve si një mënyrë për ti ndërgjegjësuar ata për natyrën dhe sportet si dhe për njohjen e hartave. Ambasadorja çeke Bronislava Tomasova, thotë se “është bukur ta ruash natyrën”. Ndërgjegjësimi civil për natyrën është i rëndësishëm. Shteti nuk mund të bëjë gjithçka. Shoqëria civile mund të kontribuojë shumë. Këta alpinistë të rinj nuk e bënë këtë gjë për vete, por për njerëzit e tjerë, për shoqërinë. Dhe kjo është e bukura. Është një projekt i bërë nga alpinistët shqiptarë. Është njësoj si në Europë. Njerëzit me të njëjtat interesa mblidhen së bashku dhe bëjnë diçka të mirë për shoqërinë”, - përfundon ajo.