Amendamenti i propozuar nga SHBA 15 vite burg kush nxit rekrutimin per ne Siri

Amendamenti i propozuar nga SHBA: 15 vite burg, kush nxit rekrutimin per ne Siri

Shtetet e Bashkuara të Amerikës i sugjerojnë Kuvendit të Shqipërisë që në projektligjin për dënimin e personave që marrin pjesë në një konflikt të armatosur në një shtet të huaj të parashikohet dënimi me 15 vite burgim për nxitjen dhe furnizimin me pajisje e mbështetje materiale.  

 

Në rekomandimet e hartuara nga misioni OPDAT i Departamentit të Drejtësisë së SHBA-ve sugjerohet po ashtu që të kriminalizohet edhe pjesëmarrja në trajnime të organizuara nga organizatat ushtarake ose paraushtarake të përfshira në një konflikt të armatosur. 

 

Një tjetër rekomandim është edhe ristrukturimi i neneve në mënyrë që situatat e përjashtimit nga përgjegjësia penale të renditen në mënyrë të veçantë dhe të jenë më të qarta. 

 

"Ne mendojmë se është e domosdoshme të bëhet më e qartë se personi duhet të jetë, në të njëjtën kohë, shtetas i një shteti të huaj që është në konflikt dhe pjesëtar zyrtar i forcave të armatosura të këtij shteti, në mënyrë që të përjashtohet nga përgjegjësia penale. Gjithashtu në lidhje me përjashtimet nga përgjegjësia penale, ne sugjerojmë që të shtohet edhe një përjashtim i katërt që lidhet me ushtarakët shqiptarët që shërbejnë në misione jashtë vendit, në përputhje me ligjin e brendshëm”, citohet nga raporti i misionit OPTAD që mban firmën e këshilltarit ligjor rezident në Shqipëri, Michael Vaccaro. 

 

Në funksion të të njëjtit qëllim, deputetëve shqiptarë iu rekomandohet që në projektligj "termi i përdorur 'luftarake' të zëvendësohet me 'ushtarake', si edhe të shtohet edhe ‘paraushtarake’. 

 

Në raportin që i është dërguar Kuvendit të Shqipërisë nuk mungon as përgëzimi për grupin e deputetëve që morën iniciativën ligjore për të parashikuar dënimin me burgim të personave që marrin pjesë në një konflikt të armatosur jashtë territorit të Shqipërisë. 

 

"Ne i përgëzojmë anëtarët e Kuvendit që morën iniciativën për të hartuar tre dispozitat e propozuara, të cilat mbushin boshllëqe të identifikuara tashmë në legjislacionin penal dhe u përgjigjen me shpejtësi prirjeve të aktivitetit kriminal. Ne mendojmë se këto dispozita janë në përputhje me standardet ndërkombëtare dhe përshtaten mirë me legjislacionin penal ekzistues në Shqipëri”, shprehet misioni OPDAT. 

 

Rreth një muaj më parë një grup deputetësh të PS-së, LSI-së e PDIU-së depozituan për miratim në Kuvend një projektligj që parashikon dënimin me burgim nga 3-8 vjet për pjesëmarrje në një konflikt të armatosur që zhvillohet në territorin e një shteti të huaj si edhe dënimin me 5-10 vjet burgim kur kjo vepër penale kryhet me qëllim përmbysjen e rendit kushtetues ose shkeljen e integritetit territorial të një shteti të huaj. Ndërkohë që nxitjen, rekrutimin apo financimin për pjesëmarrjen në këto veprime luftarake propozohej të dënohen nga 5-15 vjet burg. 


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama