Amerika Ja si i pergatit Ajnshtajnet e vegjel

Amerika: Ja si i pergatit Ajnshtajnet e vegjel
Në Nju Jork ka shpërthyer bumi i kurseve për fëmijët, me shpresën se në të ardhmen do të jenë gjenitë që do të drejtojnë vendin. Që në moshën dyvjeçare nis leximi dhe matematika. Psikologët janë kundër këtij fenomeni.

Eze nuk ka mbushur ende 3 vjeç. Prindërit e tij njujorkezë e kanë regjistruar kur ishte vetëm dy vjeç në “Kumon Preschool Enrichment Progmram”, që është një nga shkollat private që i drejtohet një tregu të ri: përgatitja e fëmijëve para fillimit të shkollës fillore. Ky është një fenomen që po shndërrohet në shqetësues e ka zënë faqet e para të “New York Times” apo “Wall Street Journal” e që po gjeneron suplemente dhe faqe të tëra me këshilla drejtuar prindërve. Qëllimi është shndërrimi i fëmijëve në Ajnshtajnë të vegjël, që më vonë të arrijnë të kalojnë me sukses “provimet” për të qenë pjesë e kopshteve dhe shkollave të fëmijëve super të talentuar. Prej andej "mund të marrin avionin” për në shkollat private më të mira dhe në të ardhmen do të jetë më e lehtë për të synuar Harvard, Standford dhe universitete të tjera elitë. Karriera e një gjeniu programohet sapo ai nis të hedhë hapat e parë të jetës.

 “Për të filluar studimet me ne mjafton që fëmijët të kenë hequr bebelinat”, - tregon Joseph Nativo, drejtori financiar i filialit “Kumon” për SHBA-në. Ky rrjet institutesh private i specializuar në përsëritjet shkollare ka rreth 250 mijë të regjistruar në të gjithë Amerikën, por seksioni i fëmijëve në moshë parashkollore po njeh një bum të vërtetë. Vetëm në Nju Jork janë 36 filiale dhe 14 të rinj do të hapen këtë vit. Po inaugurohen më shumë ‘Kumon’ se sa kafe “Starbucks”. Programi që ndiqet është ky: dy herë në javë mësime shkrimi dhe aritmetike dhe detyra shtëpie që mund të bëhen me ndihmën e prindërve. Prindërit që çojnë fëmijët aty janë shumë të kënaqur, dhe sigurisht që synojnë më të mirën për të vegjlit e tyre.

Dëshira më e madhe është që të hyjnë në institutet që pranojnë vetëm gjeni të vegjël. “90 shumëzime në 6 minuta është një parametër i mirë për të matur atë që një fëmijë është në gjendje të bëjë para se të mbushë 6 vjeç, mosha kur nis edhe shkolla. T’i lësh të luajnë deri në moshën 6-vjeçare me kukulla apo makina apo të merren me mësimin e ndonjë gjuhe të huaj me mësues privat, nuk mjafton për këta prindër të fiksuar që gjithmonë e më shumë po përpiqen t’i regjistrojnë në shkolla vetëm për supertalentet. Emily Glklickerman, presidente e “Abacus Guide Educional Consultin”, që asiston prindërit në rrugëtimin e tyre drejt shkollave më të mira për fëmijët tregon: “në dy vitet e fundit po bëhet një punë jashtëzakonisht e madhe me fëmijët në mënyrë që të regjistrohen në shkollat për elitë”. Gjithmonë e më të shumtë në numër, gjithmonë e më të përgatitur janë fëmijët në garë për ato vende të kulmuara nga të gjithë. Por mes ekspertëve të pedagogjisë kanë nisur kritikat për këtë fiksim të prindërve.

“Në pjesën më të madhe të rasteve sforcimet janë të kota, madje mund të shkaktojnë edhe dëme. Një konkurrencë kaq e madhe në këtë moshë mund t’i bëjë më shumë keq se mirë”, - shkruan në “Wall Street Journal”, psikologu Alison Gopnik, pedagog në universitetin Berkeley, megjithatë shumë prej prindërve nuk mendojnë kështu. Gina Goldman është e sigurt që ka bërë shumë mirë që e ka regjistruar të birin në “Kumon” para moshës 5- vjeçare. “Është në interesin e tij që të mos e ndiejë veten inferior në të ardhmen, sepse kështu funksionon jeta reale. Pastaj aty fitojnë një vetëvlerësim shumë të madh për veten”. Është e vërtetë se në radhët e borgjezisë numri i “mamave-tigresha” po shtohet gjithmonë e më shumë. Ato janë të vendosura të investojnë çdo kursim financuar për t’i drejtuar fëmijët drejt rrugës që ata duan. Këta prindër nuk pritën që libri autobiografik i Amy Chua-s t’i tregonte gjithë Amerikës se sa kërkuese dhe të ashpra janë mamatë kineze. Modeli konfucian, që më përpara kishte ngjallur admirimin e elitës. Në fakt, “Kumon” është filiali amerikan i një shoqërie japoneze, numër një në botë në programet mësimore në matematikë dhe letërsi.

 Pikërisht si fëmijët e elitës kineze, koreano-jugore apo japoneze, këta fëmijë të Amerikës së kamur i janë nënshtruar një presioni thuajse vrasë: përveç mësimit të shkrimit dhe matematikës që në vitet e para të jetës, prindërit nuk kanë harruar edhe kurset e notit, pianos, arteve marciale dhe gjuhët e huaja. Psikologia Kathy Hirsh-Pasek ka shkruar një artikull për të hedhur poshtë këtë fenomen, që ajo e cilëson si çmenduri të vërtetë. “T’u imponosh fëmijëve sforcime kaq të mëdha që në moshën dyvjeçare nuk është një garanci që në të ardhmen ata do të jenë më të mirët. Një bashkëmoshatar i tyre, që e ka kaluar fëmijërinë duke luajtur në plazh me shokët dhe prindërit mund të ketë më shumë fantazi, më shumë kreativitet, më shumë talent në komunikim dhe bashkëpunim me të tjerët.

Me siguri do të jetë ai fëmija që luan me rërë shpikësi i ardhshëm i i-Padit. Këta të tjerët, që për faj të prindërve po mësojnë gjëra që nuk i kuptojnë dhe nuk duan, do të shtypen nga fëmijët kinezë dhe indianë që përpiqen akoma më shumë. Askush nuk e mohon që shkollimi është e rëndësishme për të ardhmen e fëmijëve dhe nipërve tanë, por çdo gjë ka kohën dhe vendin e duhur. Kur kanë kohën për të luajtur, duhet të luajnë të qetë”, - përfundon ajo.

Artikujt e fundit


Reklama

Reklama