Mjaft më me detaje për vrasësit e Bin Ladenit apo sulmin e njësisë speciale amerikane në qytetin e Pakistanit me emrin “Abbottabad”. Dhe nuk bëhet më fjalë vetëm për fotot, por tani nga Shtëpia e Bardhë del urdhri edhe për një heshtje-shtypi për gjithë këtë histori. Gjatë ditëve të fundit dolën shumë versione për operacionin në fjalë, shumë kontradikta dhe dyshime. Në këto rrethana “arsyeja shtetërore” ndërhyn dhe kërkon heshtje. Në epokën e “Wikileaks”, ky ndryshim i menjëhershëm i linjës së Shtëpisë së Bardhë duket paksa antihistorik, irreal. Por Amerika e Amendamentit të Parë, demokracia teorikisht më transparente e historisë, vërtitet në mënyrë të vazhdueshme në ciklet e saj historike të hapjes dhe mbylljes, me beteja të fituara dhe të humbura në luftën mes demokracisë dhe sekreteve.
Ndërsa dy ditë më parë, Obama mbante në duar një kurorë me lule, ndërsa ndodhet në “Ground Zero”, ishte e pamundur që të mos çoje nëpër mend atë që mendon 42% e amerikanëve: që komisioni i hetimit të ngjarjeve të 11 shtatorit “ka fshehur ose ka refuzuar që të hetojë në lidhje me provat kyçe që bien në kontradiktë me versionin zyrtar të sulmit famëkeq”. Dhe këtu nuk flasim për amerikanë që janë të pasionuar pas teorive të komplotit. Një nga juristët me më shumë autoritet, i cili është përfshirë në punët e komisionit, John Farmer, deklaroi se nuk dëshironte që të vinte firmën në përfundimet e punimeve dhe këtë e bëri me një deklaratë që të fut drithërimën: “Ajo që qeveria dhe ushtria i kanë thënë Kongresit, mediave dhe opinionit publik për atë që dinin për ngjarjet e 11 shtatorit është thuajse e gjitha një gënjeshtër”.
Konflikti mes demokracisë dhe sekreteve është i vjetër sa edhe vetë shteti modern. Max Weber shkruan: “Çdo burokraci do të veprojë në mënyrë të vazhdueshme për të forcuar superioritetin e pozicionit të saj, duke mbajtur të fshehta informacionet dhe qëllimet. Shteti kërkon që t’i vidhet syrit të qytetarit, sepse kjo është mënyra më e mirë për të vepruar sipas planeve dhe pa u ndjerë”. Por në historinë amerikane, tensioni mes së drejtës për informim që e kanë qytetarët dhe dëshirës që ka qeveria për të mbajtur gjithçka pas të fshehtë, ka pasur përplasje të mëdha.
Dy luftërat botërore nxorën dy presidentë demokratë dhe progresistë, e megjithatë të ndryshëm mes tyre, për sa i përket çështjes në fjalë. Woodrow Wilson nënshkroi një ligj shumë të rreptë censure, famëkeqin “Ligji i Spiunazhit”, i vitit 1918, që ka qenë në mënyrë të vazhdueshme burim i abuzimeve të rënda (qindra socialistë dhe pacifistë janë hedhur burgjeve me arsyen e vetme se kanë kundërshtuar Presidentin dhe sigurisht jo, siç pretendohej, publikuan sekrete shtetërore). Franklin Delano Roosevelt e trashëgoi këtë instrument ligjor, por i bëri një përdorim më të moderuar. Në vitin 1942, i besoi Zyrën e Censurës gazetarit Byron Price, ish-drejtori i “Associated Press”, që ishte për një autocensurë vullnetare që do të lihej thuajse tërësisht në dorën e mediave.
Kjo nuk e ndalon faktin që i dyshuari për nxjerrje sekretesh të mos dënohej edhe gjatë periudhës së Luftës së Dytë Botërore. Luftërat janë preteksti më i mirë për të sulmuar transparencën dhe për të mbjellë në vend të saj mjegull dhe errësirë dhe Amerika, për hir të së vërtetës ka kaluar nga një konflikt në tjetrin, nga një luftë në tjetrën: ato që mund t’i cilësojmë si “të nxehta”, janë luftërat e Koresë, Vietnamit, Afganistanit dhe Irakut dhe luftërat e “ftohta” me Bashkimin Sovjetik, si dhe vitet e “luftës kundër terrorizmit” sipas etiketës që i vuri Bush. Periudha e përplasjes botërore me bllokun komunist ishte ideale për lulëzimin e sekreteve: është epoka e grushteve të shteteve e të mbështetur nga CIA (ndër të shumtët ishte edhe ai i vitit 1973, kur qeveria e Salvador Alendes u rrëzua nga militantët në Kili). Eliminimi i Mosadeq në Iran që u zëvendësua nga shiitët në vitin 1953, Gjiri i Derrave në Kubë në vitin 1961 e të tjerë janë vetëm episodet e para të një serie të gjatë “sulmesh” kundër transparencës dhe triumfit të errësirës informative dhe fshehtësisë.
Dhe nuk bëhet fjalë vetëm për sferën e politikës së jashtme, apo atë të mbrojtjes amerikane, por edhe një tragjedi kombëtare, siç ishte vrasja e Presidentit amerikan, Kenedi, në vitin 1963 në Dallas. Thuajse gjysmë shekulli më pas, amerikanët vazhdojnë që të jenë të bindur që komisioni hetimor i drejtuar nga gjykatësi Earl Warren ka fshehur të vërtetën për Kenedin, pra atë që ka të bëjë me ekzistencën e një përbetimi të brendshëm kundër Presidentit. Por penduli lëviz në drejtim të kundërt në vitet ‘70. Transparenca arrin një fitore në vitin 1971 kur gazeta “New York Times” publikon të ashtuquajturat “Letra të Pentagonit”, duke kryqëzuar Shtëpinë e Bardhë për zhvillimet dhe prapaskenat sekrete të Luftës në Vietnam: “Presidenti Lyndon Jonson ka gënjyer në mënyrë të vazhdueshme para opinionit publik në Kongres për një temë të rëndësisë kombëtare”.
“Letrat e Pentagonit” janë njëherazi edhe sinjali i një metastaze të fshehtësisë, por edhe rasti për të mobilizuar antitrupat. Gjykata e Lartë mbron të drejtën e publikimit të këtyre materialeve dhe kështu tentativa për një censurë të tyre është shpartalluar. Më pas kemi dhe publikimet e skandalit të “Watergate”, që çoi në rënien nga Niksonit në vitin 1974. Më pas kemi edhe një tjetër skandal, atë “Iran-kontrast”, të furnizimit me armë të Teheranit për të paguar terroristët e së djathtës në Nikaragua që rrezikoi ta çonte Reganin në gjyq dhe në vitin 1986, Charles Krauthammer në revistën “Time” shkruan: “Demokracia amerikane ka alergji nga sekretet. Vetë ideja e sekretit çon në një dënim etik. Premtimi demokratik i hapjes nuk përputhet me mënyrën okulte të funksionimit të diplomacisë dhe intrigave ushtarake”.
Por beteja për transparencën nuk është fituar ende njëherë e mirë. Në vitin 1994, një hetim bipartizan i Kongresit Amerikan, i drejtuar nga Komisioni Moynihan, në lidhje me fshehtësinë qeveritare jep të dhëna me të vërtetë befasuese: “Çdo vit gjenerohen rreth 400,000 sekrete të reja, transparenca e të cilëve përbën rrezik shumë të madh për sigurinë kombëtare. Kjo teorikisht”. Por është një gjë shumë e vogël po të krahasohet me numrin e madh të sekreteve të Amerikës, pas tronditjes së 11 shtatorit të vitit 2001. Thuajse dhjetë vjet më pas, një hetim madhështor i gazetës “Washington Post” i titulluar “Amerika Top Secret” denoncoi “një univers të tërë të fshehur që rritet dhe zmadhohet jashtë çdo kontrolli”.
Ja disa elementë të këtij hetimi gazetaresk: 1271 – numri i organizatave shtetërore dhe 1931 numri i shoqërive private që punojnë në programe të lidhura me antiterrorizmin; 854,000 persona që “lëvizin” në sferën e botës së fshehtë. Përfundimi i këtij hetimi gazetaresk ishte shumë i prerë: “Bota okulte që ka krijuar qeveria, në kundërpërgjigje të sulmeve të 11 shtatorit, është bërë kaq e madhe dhe e fshehtë sa askush nuk di më se cila është kostoja e këtij ‘universi’, sa janë njerëzit që punojnë, sa aktivitete zhvillohen”. Një episod thelbësor i përshkallëzimit të fshehtësisë mbetet lufta në Irak “e legjitimuar” nga sekretari i Shtetit Colin Powell në Kombet e Bashkuara në shkurt të vitit 2003, me fjalimin e famshëm për armët e dëmtimit në masë të Sadam Huseinit”. Bëhet fjalë edhe në këtë rast për prova false, të cilat nuk dolën në dritë, sepse u mbuluan nga fshehtësia.
Obama shkoi në Shtëpinë e Bardhë, me premtimin se do të hidhte dritë mbi këtë botë fshehtësie, duke pretenduar se ishte mbartës i një kulture transparence. Por lëvizja e mbarë e Pendulit këtë radhë ishte e shkurtër, zgjati fare pak muaj. Në prill të vitit 2009, Obama publikon hetimet e CIA-s që konfirmonin përdorimin e torturës nga administrata e Bushit. Por në majin e të njëjtit vit, në prag të publikimit të fotove që dokumentonin dhunën e ushtarëve amerikanë në Irak dhe në Afganistan ai “rimendohet”.
Nën presion nga Pentagoni “për të mos vënë në rrezik jetët e ushtarëve amerikanë në front”, Obama shmangu publikimin e fotove. Në lidhje me hetimin e torturave, Obama tha se kishte ardhur momenti për të pranuar gabimet, për të kthyer faqe dhe për të ecur përpara. Por edhe këtë herë, fiton “arsyeja shtetërore”. Sot, sërish përballë kundërshtive në lidhje me vrasjen e Bin Ladenit, tingëllojnë më të forta se kurrë fjalët e Jonathan Schell të publikuara në vitin 1971 në “New Yorker” pas fitores së transparencës me rastin e “Pentagon Papers”: Çështja është: kush ka të drejtë që të përcaktojë atë që quhet ‘interesi i vendit’? Në një demokraci kjo i takon qytetarëve”