Ambasada Amerikane në Tiranë organizoi dje një ceremoni, me rastin e 239-vjetorit të Pavarësisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Si çdo event, ajo shërbeu për të mbledhur bashkë aktorët e politikës shqiptare. Ambasadori Donald Lu i shmangu komentet politike, duke u ndalur te njerëzit me aftësi të kufizuara. Nëpërmjet fjalës së tij, Lu inkurajoi përpjekjet e Shqipërisë në përmirësimin e jetesës së qyetetarëve shqiptarë me aftësi të kufizuara.
“Amerikanët janë më shumë se sa thjesht çizmet e kaubojsave nga filmat e Hollywood-it. Ne jemi një komb i themeluar mbi idenë e thjeshtë se të gjithë njerëzit janë krijuar të barabartë. Sot, në këtë ditëlindje të 239 të Shteteve të Bashkuara ne festojmë larminë e popullit amerikan. Anembanë Shteteve të Bashkuara ne po kujtojmë 25-vjetorin e ligjit që u garanton të drejta të barabarta personave me aftësi të kufizuara. Shqipëria dhe Shtetet e Bashkuara ndajnë bashkë vizionin që të gjithë qytetarët tanë të kenë mundësinë të shfaqin potencialin e tyre të plotë. Shpresoj se do të bashkoheni me mua në një duartrokitje për të kremtuar ditëlindjen e Amerikës dhe për të festuar arritjet e amerikanëve dhe të shqiptarëve me aftësi të kufizuara si dhe kontributet e tyre frymëzuese për të dy kombet tona të mëdha”, është shprehur ambasadori Lu.
“Top Channel” raporton se kryetari në ikje i Bashkisë së Tiranës, Lulzim Basha edhe pse ishte shumë afër me pasardhësin e tij Erion Veliaj, ngurroi t’ia jepte dorën. Ndërsa ish-kryetari demokrat, Sali Berisha e kaloi pjesën më të madhe të kohës në shoqërinë e ambasadorit francez dhe kryetares së komisionit parlamentar të integrimit, Majlinda Bregu.