Autorja i përkiste një dere nga dolën motrat Charlotte dhe Anne Brontë, shkrimtare të famshme, të cilat u kulturuan më së shumti si autodidakte; që lëvizën nga shtëpia për në Evropë sa për të mësuar gjuhë të huaja; që patën fëmini të palumtur, ndërsa Emily pati edhe rini të izoluar e shëndet të ligë. Nga ky mjedis material, shpirtëror e mendor, lindi "Wuthering Heights" (1847), personazhet Heathcliff dhe Catherine të lidhur në dashuri fatale.
Me këto dy personazhe Emily Brontë i shkoi deri në fund njohjes të së keqes, siç shkruan Georges Bataille i cili e fut me këtë roman autoren angleze në kritikat e tij me tezë "Letërsia dhe e keqja" (1957) në sërë me Charles Baudelaire, William Blake, Marquis de Sade, Jean Genet, Franz Kafka dhe pak të tjerë. Ardhja në shqipe e këtij romani është ngjarje. Prandaj u nxituam për këtë bisedë me përkthyesin e veprës, Amik Kasoruho ndërkohë që ai është në proces. Paralel punës me Emily Brontë, Kasorohuro punon, është drejt fundit, për antologjinë e poezisë së Robert Schwarz, tjetër e re e papritur për botimet.
Z. Kasoruho, mësuam se keni në dorë përkthimin e romanit të Emily Brontë "Majat e stuhishme". "Majat e stuhishme" siç e përkthejnë italianët, është një titull që mua nuk më bind. E para e punës sepse nuk flitet për maja, flitet për lartësi. Ndoshta në shqip do të ishte më mirë "Lartësitë e stuhishme". Nuk më pëlqen as mbiemri "e stuhishme". Atje flitet për një vend ku rrahin erërat e forta, erërat e dynjasë, natyrisht jo vetëm erërat e natyrës, po edhe erëra pasionesh. Kam një tundim: që ta lë titullin siç është në origjinal, "Wuthering Heights", sepse në fund të fundit është emri i një lokaliteti. Është si të themi Qafë e Shtamës. Nuk e di deri në momentin e fundit cila do të jetë zgjidhja.
Kur jeni njohur autoren?
Është një autore që e kam pas njohur që në rini. Në rininë time, ose në rininë e brezit tonë lexonim ç'na binte në dorë. Nuk kishim mundësi të zgjidhnim librat që lexonim, sepse brezi yt duhet ta dijë, në qoftë se nuk e di, se në atë kohë ekzistonte ai institucioni i famshëm i indeksimit të librave. Shumë libra zhdukeshin, futeshin nëpër bodrume dhe nuk jepeshin për të lexuar. Kështu që çfarëdo libri që të na binte në dorë për ne ishte i mirëseardhur.
Pra leximin e parë e keni bërë në rini, në origjinal?
Në origjinal.
Çfarë përshtypjesh ju la?
Njëfarë trishtimi po dhe njëfarë shprese se në këtë botë ndjenja që duhet të mbizotërojë është dashuria. Sikur të fisnikëronte ky roman. Nuk e kam lexuar më.
Vetëm njëherë?
Vetëm njëherë derisa para një viti dikush nga Tirana më merr në telefon dhe më thotë: doja që t'i futeshe përkthimit të Brontesë. Atëherë m'u kujtuan përshtypjet që kisha patur në rininë time, dhe mendova se do të ishte gjë e dobishme për një libër që nuk është përkthyer në shqip. Po edhe po të ishte përkthyer unë njësoj do ta përktheja. Jo për të bërë garë, po për kënaqësinë time. Kështu iu futa kësaj pune. Por është një punë që nuk mund ta bëj në mënyrë të pavarur. Kohët e fundit kam punuar me antologjinë me poezi të Robert Schwarz-it.
Rrimë dhe pak te Brontë.
Deri tani kam përkthyer gjysmën. Vepra është diku te 450 faqe. Unë zakonisht përkthej pa i lexuar librat.
Si pa i lexuar?
Librat që më porositen nga shtëpitë botuese, unë nuk e lexoj përpara sepse ndoshta më krijohet njëfarë frenimi. Në qoftë se nuk më pëlqen libri dhe puna e përkthimit nuk do më shkojë mirë. Kurse ata që i zgjedh vetë, dihet, janë libra që i kam shijuar, që i kam pëlqyer. Ky është një nga ata.
"Majat e stuhishme" vlerësohet si letërsi e gjithëkohshme. Ku qëndrojnë meritat sipas jush?
Romani është rrënjosur në letërsinë romantike, por çudia, sipas meje qëndron tek ajo që e ka shkruar. Brontë nuk ishte një shkrimtare e regjur, e sprovuar. Ajo kishte botuar një vëllim poezish, bile dhe atë me pseudonim sepse nuk kishte kurajë të dilte me emrin e saj. Fuqia e këtij romani qëndron se nuk ka përpjekje për të impresionuar së jashtmi, me mënyra të reja shprehjesh. Është një rrëfim që krijon përshtypjen se është jeta e atij që e lexon.
Autorja bëri një jetë të izoluar, që sidomos ishte izolim sentimental.
Dhe të mendosh Anglinë e asaj kohe, e cila edhe të tjerëve që ishin më të hapur se sa Emily Brontë, ndoshta u vinte kufij. Brontë ia ka pas vënë vetë këto kufij vetes, sepse kjo ishte jeta e saj: e mbushur me fatkeqësi, vdekur njerëzit nga turbekulozi, e megjithatë ka bërë një libër dashurie që për mua është një antologji e dashurisë.
Kush lexon këtë libër mbetet me dëshirën për të njohur një dashuri të tillë. Romani mund të kishte dhe zgjidhje tjetër, që protagonistët të bënte çiftin ideal. Por jo, ajo bën një zgjidhje që mund ta quanim realiste. Dhe ky është i vetmi moment i tillë në vepër.
Dy njerëz që bashkohen për të marrë energji shtytëse.Është në natyrën e njeriut. Në fund të fundit njeriu shpesh nuk e vlerëson të mirën që ka dhe nuk e vlerëson as të keqen. Njeriu është një çikë gjysmak. Janë të rrallë njerëzit që kanë vizionin e qartë të së mirës së madhe ose të së keqes.
Personazhet e Brontës nuk mund të ishin veçse përfaqësues të këtij dualizmi ose pasigurie në jetë. Sepse nuk kemi një të mirë të ndarë me thikë nga një e keqe të ndarë me thikë. Unë besoj se ky duhej të ishte një çelës për të lexuar "Lartësitë e stuhishme". Në leximin që i bën romanit dhe jetës së shkrimtares autores, autori francez Georges Batille thotë se Brontë është autore e rrallë që i shkon deri në fund njohjes të së keqes; dhe që dashuria dhe vdekja janë të vërtetat e njëra-tjetrës.
Shumë gjëra nuk duhen thënë, sepse do doja që lexuesi të krijonte mendimet e veta. "Wuthering Heights" nuk është një eksperiment, është një tentativë për të thënë të vërteta që deri atëherë zor se i kishte thënë ndonjë burrë e jo më një femër. Mos harrojmë që Brontë ka patur një jetë pak të thatë sentimentale. Këto më tepër janë dëshira, janë ëndrra të sajat, se sa realiteti që ka jetuar ajo vetë.
Unë kujtoj që e vërteta kryesore e këtij romani është: të duash nuk është mëkat dhe të duash është një dhuratë perëndie. Të duash do të thotë, në momente të caktuara të mposhtësh vetveten. E lidh me një thënie shumë të bukur që më ka mbetur në mend, të Eric Segalit: në dashuri nuk duhet të ekzistojë fjala më fal. Edhe Emily Brontë shkruan në këtë sens. Nuk duhen konsideruar si mëkate ato që ndodhin ndërmjet dy njerëzve që duhen, por duhen konsideruar thjesht si një jetë.
Mëkat, dhuratë perëndie, e mira dhe e keqja. Çfarë ka mistike romani?
Mundet që shpjegimi më normal i rrethanave të personazheve të jetë duke u nisur nga pozita mistike për mëkatin. Megjithatë mëkati për mua është diçka që nuk duhet bërë. Mëkati për mua është diçka që duhet ta shtyjë atë që e bën, të pendohet për atë që ka bërë. Jo të mendohet si diçka për të cilin do të vijë një dënim, një ndëshkim nga ku ta di unë se çfarë. Unë jam besimtar, por nuk besoj që perëndia të ketë kohë të merret me këto vogëlsira. Të mos harrojmë se jemi në vitin 1800. Por te Emily Brontë misticizmi nuk ka një forcë të tillë sa të bëhet determinant për jetën edhe për fatet e personazheve.
Kur do të jetë gati?
Do të doja me gjithë zemër të ishte gati për panair. Por tani po merrem edhe me seleksionimin e vjershave të Robert Schwarz-it, me të cilat jam vonuar pak. Tashti më janë grumbulluar gati 200 e ca vjersha.
200 vjersha nga Schwarz-i?
Të duket e çuditshme?
Gjë e re, ngaqë është thënë shpesh se Robert Schwarz nuk ka lënë gjëra të pabotuara. Një vit pas vdekjes së tij kam botuar një artikull për Robertin poet, sepse nuk e ka njohur njeri. Unë kam patur në shtëpi që në moshë të re, një tufë vjershash të Robertit dhe që ia ktheva para se të vdiste. Kam ruajtur në shtëpi vetëm nja 20 poezi që kanë të bëjnë me mua personalisht. I kisha thënë qysh në gjallje që t'i botonim por ai refuzonte. Shumica dërrmuese e poezive të tij është poezia klasike me ritëm, me rimë. Kishte frikë se mos stononte poezia krahasuar me atë që shkruhet sot. Unë mendoj se poezia e tij ka shumë ndjenjë.
Është një krijimtari që përket periudhës së rinisë: prej viti '56. Është ajo periudhë kur çdo i ri e ndjen veten poet, edhe ai që ka një fije talent, ka të drejtë ta quajë veten poet. Roberti ishte ndër këta edhe pse nuk e quante veten poet. Libri do të ketë si parathënie një gjysmë faqe shkruar nga vetë Roberti për poezinë dhe pse nuk ka shkruar më poezi.
Çfarë shkruan ai aty?
Thelbi është që ai nuk donte të bëhej trubaduri, të bëhej loloja i pallatit e të këndonte ashtu siç i thoshte pallati.
Dhe çfarë linje do të ruani në ndërtimin e antologjisë?
Është pika më e vështirë e kësaj pune. Roberti ka shkruar kryesisht për zemrën, për dashurinë. Ka pak meditacione. Unë jam rritur me të, kemi qenë shokë që në moshën 10-vjeçare dhe jemi ndarë kur na ka ndarë jeta.
E kam ndjerë afër Robertin edhe kur s'e kam patur afër, pikërisht për këtë shpirtin e tij romantik.
Linja? Do të bëhet një klasifikim kronologjik, sipas tematikës dhe së treti sipas dialektit të përdorur.
Ka shkruar në dialekt?
Roberti, unë dhe shumë të tjerë në atë kohë, shkruanim gegërisht, jo toskërisht, të influencuar ndoshta nga poezia e veriut. Kjo do të mund të ishte ndarja e tretë. Rendi kronologjik do të ruhet kryesisht për të parë njëfarë evoluimi të poezisë së tij, deri në vitet '80 dhe ato të viteve '90 që janë të pakta. Ju e dini se ai e shpalosi kryesisht talentin e tij me përkthimin. Roberti në poezitë e tij është ai vetë, është shpirti i tij.
Ka vjersha kundër frymës së kohës?
Jo, nuk ka asnjë, sepse e dinte që në një mënyrë ose në një tjetër vëzhgohej dhe u provua me dorëshkrimin e "Harkut të Triumfit", kur e thirrën në Komitetin e Partisë dhe e kërcënuan. Nuk ka vjersha të kësaj natyre, ndoshta dhe për faktin se nuk e konsideronte veten misionar, as hero. Ai ishte një punëtor i gjuhës dhe këtë punë e ka kryer mirë.
Çfarë titulli do të ketë?
Titullin e vëllimit e ka gjetur vetë Roberti në këto 20 rreshta që ka shkruar, i quan "Vargje të pluhurosura". Janë vargje që qëllimisht i kishte mbuluar pluhuri i kohës e që ne të tjerët po mundoheni t'i shpluhurojmë. Mendoj që në shtator do të jetë gati.
Dëshpërimi
Kur shkroi dhe botoi më 1997 "Një ankth gjysmëshekullor", një tekst ndërmjet historisë, publicistikës, sociologjisë, Amik Kasoruho jetonte në emigrim dhe ankthin nga 45 vjet diktaturë në Shqipëri e ka parë në distancë. Me vetëdije nuk e bëri lëndën kolektive po aq edhe personale, letërsi. Kur kishte ikur nga Shqipëria, Roberti Schwarz i kishte thënë: tani që po ikën në një vend ku do të mund të shkruash e të flasësh, shkruaj për ne, për jetën tonë, por shkruaj në mënyrë të atillë që jo t'i përlotësh njerëzit me vuajtjet tona, po t'u bësh të qartë se e kemi ruajtur dinjitetin tonë në tërë këtë tragjedi që ka ndodhur.
"Ishte një porosi vërtet e mençur, kështu që unë nuk duhej të bëja letërsi. Këtë kam synuar në tri librat e mi "Një ankth gjysmë shekullor", "Çmimi i një ëndrre" dhe "Midis qiellit dhe burgut"."
Pas tre librave analitikë Kasoruho shkroi një roman, megjithatë autobiografik, "Ikje nga trilli i perëndive" (2009) titull i marrë nga një poezi e Robert Schwarz-it. Aty është jeta e tij: burgosja 17-vjeçar, tre vjet më pas pushkatimi i të atit, internimi I nënës në rrethinat e Lushnjës; dhe pas daljes nga burgut, internimi i familjes së re Kasoruho, 25 vjet në Gosë të Kavajës. "Me këtë libër kam thënë atë që kam menduar se duhet të them. Ka shumë të tjerë që kanë për të rrëfyer. Çfarë ka mbetur pa u thënë? Nuk është puna te hollësirat: si më torturoi hetuesi, si më bënë këtë e atë, jo. Mendoj se ia vlejti barra qiranë të bëheshin ato sakrifica për dritën e ditëve që kanë ardhur sot. Po unë e ndjej veten krenar që diçka kam bërë për këtë ditë. E mendoj që kjo ndjenjë krenarie duhet t'i shtyjë ata që e kanë provuar në kurrizin diktaturën, të shkruajnë për atë kohë."
Shkrimtari dhe përkthyesi e quan të kryer misionin kur nëpër gazeta të mos shikohen më kujtime të njerëzve që kanë punuar për diktaturën. "Media po bën një punë shumë të shëmtuar. Duke shkruar në atë mënyrë, duke sjellë ato kujtime nuk bën gjë tjetër veçse i parapërgatit njerëzit për të thënë që këtë që dëshmojnë këta, mos e besoni. Ky është shërbimi më i shëmtuar që i bëhet demokracisë. Prandaj kam kahar me organet e medias." Shqetësimi tjetër i tij është mungesa e një vetëdije qytetare te shqiptarët për një aksion të pastrimit të figurave në poste të rëndësishme shtetërore. Nëse do të kishte hapje të arkivave, qëllimi të ishte ky. "Derisa nuk bëhet kjo punë unë besoj se shumë të vërteta do të harrohen. Anglezët kanë një fjalë të urtë: ajo që harrohet, humbet."
Amik Kasoruho u lind në Tiranë më 1932.
Është autor i disa librave: "Një ankth gjysmëshekullor" (1997), "Çmimi i një ëndrre" botuar në Itali (2000), "Midis qiellit dhe burgut" botuar në Prishtinë. Ky është një libër me kujtime për tre meshtarë që Kasoruho i ka njohur në burgun e Burrelit: At Donat Kurti, një nga baballarët e folkloristikës, At Pjetër Mëshkalla një hero i kohës dhe At Klement Miraj, një prift që ka punuar tërë jetën në heshtje.
Edhe romani autobiografik "Ikje nga trilli i perëndive" u botua në Kosovë nga "Buzuku". Pse në Kosovë? "Bëra mirë", thotë ai. "E botova në Kosovë, sepse këtu m'u la të kuptoj që duhet ta paguaj. Unë një libër timin nuk e paguaj. Kështu që iu drejtova një botuesi pa e njohur fare, Abdullah Zeneli, i "Buzukut"." nAmik Kasoruho ka përkthyer në shqip vepra nga Pirandello, Isabel Allende, Harold Robbins, Patrick O'Brian, John Selby etj. Është fitues i çmimit special të jurisë në konkursin Eks & Tra për shkrimtaret emigrantë në vitin 1999. Në 2000 ka marrë çmimin "Civitas - Arberia 2000 Calabria" për mirëmbajtjen e revistës italo-shqiptare të arbëresheve "Katundi Ynë". Jeton ndërmjet Italisë dhe Shqipërisë.