Në fund të janarit, në Distriktin e Dritave të Kuqe u mbyllën 350 ndër 900 vitrina prostitutash. Në fillim të marsit, ministri i Drejtësisë, Ernst Hirsh Balin, ka deklaruar se do ndalojë me ligj shitjen e farave të kanabisit, si edhe të të gjitha pajisjeve për ta kultivuar në shtëpi. I tillë do të jetë edhe fati i bareve ku pihet hashash (rreth 70 vetëm në qendër të Amsterdamit).
"E nisën duke ndaluar shitjen e pijeve alkoolike, brenda vitit 2009 do na ndalojnë pirjen nëpër bare të marijuanës. Do shohim se si do shkojnë gjërat, por duket se brenda pesë vjetësh do jemi zhdukur të gjithë", tregon Rishinel, kamerieri i lokalit "Extase", me origjinë nga Surinami, teksa sjell menynë me produkte hashashi e marijuane.
Qeveria dhe organet vendore kanë vendosur të zhdukin imazhin e një qyteti ku nuk ndalohet asgjë, të një vendi ku, me çdo kusht, toleranca është ligj, histori, traditë. "Shumë, shpjegon kryetari laburist i Bashkisë, Ob Kohen, kanë përshtypjen se distrikti i Dritave të kuqe është një lagje romantike që duhet ruajtur. Por në rast se ndonjëherë ka qenë vërtet kështu, ky lloj romantizmi ka marrë fund, pasi industria e prostitucionit dhe e bareve të hashashit ka bërë që krimi të lëshojë rrënjë thellë në qytet. Nuk mund të mbyllim më sytë përpara abuzimeve me gratë, trafikut të mishit njerëzor, riciklimit të parave të pista".
Pra biznesi duhet të limitohet në atë masë sa të mund të mbahet nën kontroll. Kjo do të ndodhë, pavarësisht masave që duhen marrë, me të mira apo me të këqija. Janë mbyllur disa nga "shtëpitë" më në zë, ku gjenden nën akuza për riciklim parash të pista disa prej sipërmarrësve më të rëndësishëm të distriktit. Është ngritur një shoqëri e përbërë nga shteti, bashkia, bankat dhe investitorë të tjerë, e cila ka shpenzuar 25 milionë dollarë në tjetërsimin e ambienteve që dikur shërbenin si bordello. Për të mos lejuar që ky lloj aktiviteti të dalë nga dera e të hyjë nga dritarja përmes emërtimesh të ndryshme e emrash të rinj, një ligj i posaçëm u jep të drejtë autoriteteve të vënë në dyshim çdo subjekt që kërkon të operojë në këtë fushë.
Por ç‘bën bashkia me vitrinat ku dikur ekspozoheshin vajzat? Janë kthyer në vitrina ku stilistë të rinj ekspozojnë punët artistike. Njëra është veçanërisht domethënëse: "Shesim funde, jo gra".
Ndoshta bëhet fjalë veç për masa ekuilibruese, në mënyrë që Holanda, nën trysninë e Bashkimit Evropian, të pranojë normat e përbashkëta? Përkundrazi. Kufizimet e ashpra që po vendosen ndaj drogës e seksit janë veç aspekti më i dukshëm i një ndryshimi shumë më të thellë të mënyrës se si holandezët kërkojnë ta paraqesin veten dhe identitetin e tyre shumë të përfolur: bëhet fjalë për ndryshime në krenarinë dhe në nacionalizmin e fshehur të atyre që përjetësisht ndihen qytetarë të botës.
"Ne, holandezët, ndiheshim të paprekshëm. A nuk është historia e vendit tonë e gjitha në favorin tonë? Një shembull tolerance e bashkëjetese që shpejt do të përqafohej dhe do të imitohej nga të gjithë? Në vend të kësaj, zbulojmë, dhe është diçka e mirë, që toleranca jonë në pjesën më të madhe është indiferencë, që pas martesave gej e bareve të hashashit fshihet një shoqëri shumë më konformiste nga ç‘duket, e disiplinuar, e strukturuar në atë formë për të vendosur rregulla mbi gjithçka - ideja protestante, sipas së cilës është e papranueshme që ekzistenca të jetë e papërputhshme me ligjin". Këto fjalë të thëna nga Pol Shefer, docent i sociologjisë në Universitetin e Amsterdamit, njëherësh edhe autor i librit "Si po e shndërron Evropën emigracioni", janë një shuplakë ndaj "modelit holandez".
Pasi elementi qendror që po e detyron Holandën të ridimensionojë identitetin e saj është diçka që shkon përtej diktatit të vendosur nga Bashkimi Evropian, është islami.
Sipas të dhënave zyrtare, gjysma e popullsisë së Amsterdamit, Hagës dhe Roterdamit, është me origjinë joholandeze dhe një e treta e tyre janë "jo-oksidentalë". Në pjesën dërrmuese vijnë nga Turqia, Maroku e Surinami, por numërohen gjithnjë e më shumë afganë e irakianë se italianë, të cilët u dyndën në këtë vend pas Luftës së Dytë Botërore.
Është e vërtetë, ekonomia vazhdon të mbajë ritëm të kënaqshëm, investimet e huaja gjatë vitit 2007 u rritën me 25 për qind dhe qeveria i shtyn të gjithë ata që i kanë lënë pas 65 vjetët të vazhdojnë të punojnë duke u garantuar pension dhe rrogë të plotë. Por, shpjegon Han Entzinger, docent i studimeve mbi emigracionin dhe integrimin në universitetin "Erasmus" të Roterdamit, "mes atyre që përfitojnë të ardhura nga asistenca publike, 4 në 10 janë jo-oksidentalë. Një situatë e tillë, kaq bujare, lidhur me ndihmën për të papunët, që të funksionojë kërkon një sistem të mbyllur, ekzaktësisht e kundërta e shoqërisë së hapur, ku i është krijuar shumë vend emigracionit".
Por shifrat nuk janë gjithçka: ligje të nxjerra së fundmi, si ai mbi "inburgering", i cili parashikon provime gjuhe apo kurse qytetarie, ose një tjetër që kërkon të ardhura të larta për të mundësuar bashkimin familjar, kanë ndalur pjesërisht flukset e emigrantëve.
Por ka edhe diçka tjetër shumë të rëndësishme: për ta kuptuar, mjafton të shkosh në Slotervart, lagje e përbërë 80% nga marokenë, periferi jo e rrënuar, por thuajse pa dyqane, e mbushur me telekamera për t‘u ruajtur nga bandat e të rinjve që janë të panumërta; me xhaminë shumë pranë rajonit të policisë, që u zu me gurë gjatë trazirave të shpërthyera nëntorin e shkuar, kur u dogjën edhe një duzinë makinash. Këtu banonte edhe Muhamed Bojeri, integralisti islamik që në vitin 2004 vrau regjisorin Teo Van Gog, autori i "nënshtrimit", krim që u pasua nga rasti aspak i hijshëm i skenaristes Ajan Hirsi Ali, e detyruar të lërë vendin nga Rita Verdonk, gruaja e hekurt e partisë konservatore "Ton, Krenar për Holandën".
Po t‘i pyesësh të rinjtë e brezit të dytë të Slotervartit, nuk përgjigjën më si etërit, jam maroken apo holandez, por thonë shkurt jam islamik. Është veç ky dhe asnjë tjetër identiteti i tyre, edhe pse imagjinar dhe i shtyrë nga të qenit jashtë kufijve të vendit të origjinës dhe më së shumti fryt i imagjinatës. Shpesh, në të kundërt të prindërve, falë zgjidhjes personale, bëhen pjesë e një fundamentalizmi që nuk e njeh individin. Të mësuar me internetin (këtë brez e quajnë ndryshe edhe "google i myslimanëve" e përdorin për të mësuar ç‘thuhet nëpër vendet e origjinës së tyre, nga ku kërkojnë edhe konfirmim për radikalizmin islamik).
Si reagon shoqëria dhe politika holandeze? Me një përzierje idesh të paqarta, nënvleftësimi e oportunizmi, ka nga ata që kërkojnë të spekulojnë, siç është rasti i deputetit populist, Gert Vilders, i cili ka deklaruar hedhjen nëpër ekrane të filmit me metrazh të shkurtër, "Fitna", një realizim kundër Kuranit, por që, duke kërkuar të drejtën e publikimit në emër të lirisë së shprehjes, megjithatë nuk pranon të tregojë kanalin televiziv ku do ta shfaqë për herë të parë. Sa për kujtesë, Vilders kërkon që të ndalohet në Holandë qarkullimi i Kuranit në cilësinë e tekstit racist.
Edhe më i paqartë reagimi i kristian-demokratëve, që qeverisin me Kryeministrin Jan Peter Balkenende, i njohur ndryshe si Herri Poter, bashkë me laburistët dhe me Unionin e Krishterë, një parti e vogël protestante mjaft konservatore mbi çështjet etike (shumë më pak se ato shoqëroret): "Disa prej tyre kërkojnë të ripushtojnë terrenin e humbur gjatë 30 viteve të fundit, duke e përdorur çështjen e islamit për llogari të qëllimeve të veta", sqaron Shefer. Pra, si një rrugë shumë të mirë për të konfirmuar konceptin se po jetojmë në një vend totalisht sekularist, por feja mbetet ende një ndër faktorët kyçë kur vjen fjala për identitetin kombëtar.
Kjo shpjegon në një farë mënyre edhe përse të nesërmen e vrasjes së Teo Van Gogut, Piet Hein Doner, atëherë ish-ministër Drejtësie, nuk propozoi që të ashpërsoheshin normat kundër propagandës fundamentaliste, por ato kundër krimit të blasfemisë. Gjithsesi nuk u mor asnjë masë dhe këto ditë Parlamenti ka diskutuar propozimin e kundërt, heqjen nga lista e krimeve të blasfemisë: edhe kësaj here pa arritur në asnjë përfundim.
Një hap para e një hap prapa. Dhe nuk duhet të habitemi shumë, sepse shoqëria holandeze është rregulluar gjithnjë në këtë formë: fillimisht një sistem "shtyllash mbajtëse" e më pas një ligj që u rrumbullakoste qoshet, një të prerë aty e një të limuar atje.
Në qershor do të hyjë në fuqi ligji për ndalimin e pirjes së duhanit nëpër vende publike; por fondi i pensioneve "Paeren Leven" sapo ka bërë publik një projekt-studim, i cili do t‘u garantojë të ardhura më të mëdha pensionistëve duhanpirës, duke qenë se parashikohet të jetojnë më pak se të tjerët. Mund të përfitojnë nga ky projekt të gjithë ata që gjatë pesë viteve të fundit kanë tymosur të paktën dhjetë cigare në ditë, apo të gjithë ata që vërtetojnë se me gjithë përpjekjet nuk kanë mundur të heqin kurrë dorë nga ky ves.
Homoseksualëve- që prej kohësh kanë të drejtë të martohen brenda kufijve të këtij vendi -një paketë masash e firmosur në fillim të marsit nga qeveria dhe organet vendore të qyteteve të mëdha, u garanton mbështetje të mëtejshme, si dhe më tepër mbrojtje kundër diskriminimeve. Në krye të kësaj lëvizjeje qëndron princeshë Maksima, bashkëshortja e trashëgimtarit të fronit. Por që nga ana tjetër nuk thotë asnjë fjalë mbi rastin e dhënies së statusit të azilantit politik për Mahdi Kazemin, i cili në atdheun e vet rrezikon vdekjen, pasi është homoseksual. As që bëhet fjalë, shumë kokëçarje dhe mund t‘u bëjë keq bizneseve. Shteti-mëmë është i arsyeshëm dhe i dhembshur, por nga ana tjetër edhe shumë i kujdesshëm kur bëhet fjalë për interesa të rëndësishme.
Por njëherësh edhe shtet shumë kurioz: më shumë se një ministri u hidhte një sy kompjuterëve të gazetarëve. Skandali i përgjimeve të organeve të shtypit shpërtheu në shkurt të këtij viti.
Edhe karshi islamit hyn në veprim ky moral i dyfishtë apo i trefishtë. Kur jep të dhënat personale në një kërkesë për punësim, mund të diskriminohesh për shkak të emrit arab që mban. Nga ana tjetër, kush kujdeset për ata 100 mijë myslimanë liberalë, tashmë e gjen veten të dëbuar nga të gjitha organizmat fetare dhe xhamitë. Në Holandën mit të lirisë, kush kujdeset për t‘i siguruar jetën studentin Ehsan Jami, i cili guxoi të fliste keq për islamin, tani kërcënohet nga fanatikët myslimanë.
Nga Gazeta shqip