Tinguj romantikë e njëkohësisht ekzotikë. Koncerti i fundit për piano i kompozitorit francez, Saint Saens, do të interpretohet për herë të parë për publikun shqiptar nga pianistja Ana Kaçinari. Mbrëmjen e së premtes, bashkë me Orkestrën Simfonike të RTSH-së do të ngjiten në skenën e Akademisë së Arteve, në një koncert të dirigjuar nga Bujar Llapaj. I rikthyer për të disatën herë nga Kanadaja, Llapaj ka zgjedhur një program me vepra që nuk janë interpretuar më parë nga Orkestra e RTSH-së:
Karnavalet romane nga francezi Berlioz, tinguj ekzotikë nga Saens dhe një vepër e ripunuar e kompozitorit shqiptar, Thoma Gaqi, interpretuar vetëm një herë në maj të vitit 1988 nga Orkestra e Akademisë së Arteve, drejtuar edhe atëherë nga Llapaj. “Mendova që repertori të jetë i veçantë dhe i paluajtur më parë nga orkestra. Janë vepra me kërkesa profesionale dhe virtuoze. Karnavalet romane tregojnë aftësitë e një orkestre, koncerti egjiptian është një vepër sa melodike, teknike dhe jo aq e thjeshtë sa mund të mendohet, ndërsa Thoma Gaqi vjen me këtë vepër ku janë të qarta motivet shqiptare folklorike.
Do të jetë një koncert interesant për të gjithë ne”, thotë dirigjenti Llapaj. Referuar paraqitjes së orkestrës në këtë koncert, drejtori artistik, David Tukiçi thotë se “Orkestra është mësuar me sfida, kërkon nga vetja dhe do të ecë përpara me të gjitha kërkesat që ka Europa për muzikën simfonike. Bujar Llapaj është dirigjent i mirënjohur, një nga më të mirët që kemi dhe kemi një pianiste të re, por me eksperiencë. Do të jetë një koncert shumë romantik dhe i këndshëm”. Pianistja Ana Kaçinari, pjesë e një familje artistësh, tregon eksperiencën e saj, në të dytin bashkëpunim me Orkestrën e RTSH-së.
Të premten, do të ngjiteni në skenën e Akademisë së Arteve për të interpretuar si soliste në piano me Orkestrën e RTSH-së. Si vjen për ju ky bashkëpunim?
Është i dyti bashkëpunim me Orkestrën Simfonike të Radiotelevizionit Shqiptar, pas koncertit të vitit të shkuar, ku unë interpretova një vepër të panjohur të Rachmaninoff. Këtë radhë do të sjell sërish një vepër premierë për publikun shqiptar. Koncerti për piano e orkestër i No.5 i Saint Saens, i njohur si koncerti egjiptian, më është propozuar nga dirigjenti i këtij koncerti, Bujar Llapaj, i cili ka ardhur posaçërisht nga Kanadaja. Ky është koncerti i fundit për piano që Saens shkroi gjatë periudhës që ka qëndruar në Egjipt. Një vepër e veçantë me motive orientale dhe mjaft e kapshme nga publiku.
Fakti që zgjedh vepra të painterpretuara më parë, të jep garanci për sukses apo të vë para përgjegjësisë?
Unë kam zgjedhur vepra që në një farë kuptimi janë popullore dhe lehtësisht komunikuese me publikun, por kjo nuk do të thotë se ato nuk janë impenjative artistikisht.
Ke filluar shumë e vogël të studiosh piano. Si ka qenë rruga e rritjes tënde artistike?
Është një rritje graduale. Unë kam nisur të studioj piano që në moshë fare të vogël, kur isha 5 vjeçe. Koncerti im i parë me orkestër ka qenë në moshën 9-vjeçare dhe tashmë për mua skena është e njohur, po ashtu publiku dhe është kënaqësi e madhe që arrij të ngjitem herë pas here në të, me hapa të vogla, por mendoj të suksesshme.
Ju jeni vajza e kompozitorit Alfred Kaçinari. Besoj se ka pasur një ndikim të pamohueshëm në rrugën që keni zgjedhur?
Gjithë familja ime. Edhe vëllai i vogël ka ndjekur rrugën e artit. Sigurisht që unë kam qenë shumë e vogël dhe shtysa për të studiuar piano ka qenë e prindërve, por dëshira për të vazhduar dhe vendimi ka qenë i imi. Kam studiuar shumë në piano, kanë qenë vite impenjative, por është një punë që t’i sjell më pas frytet.
Ne njohim Kaçinarin si një artist me gjykime të prera. Ka qenë edhe një mësues i tillë për ty?
Nuk ka qenë mësues, por prind kërkues. Ka kërkuar disiplinë ashtu siç kërkon dhe instrumenti që unë kam zgjedhur. Më ka drejtuar në rrugën që ka nevojë t’i tregohet një instrumentisti. Fëmijë këtë nuk ke mundësi ta kuptosh.
Ke menduar ndonjëherë ta braktisësh pianon?
Po, kam menduar jo vetëm të ndryshoja instrument, por të vazhdoja një rrugë tjetër. Por pianoja është një tërheqje e madhe për mua, ndihem shumë mirë dhe mund të jap maksimumin. Nuk mund të ndodhte me ndonjë instrument apo profesion tjetër. Kam provuar të eksperimentoj, kam menduar seriozisht të vazhdoj diçka tjetër, por kam mbetur te pianoja.
Sapo keni mbaruar specializimin në Romë për pianoforte. Periudha të tilla janë shpesh vendimtare për të vendosur se ku do ta zhvillosh karrierën. Ka ndodhur e njëjta gjë me ty?
Unë nuk kam kaluar një kohë të gjatë në Itali, por ndihem mirë këtu. Mendoj se Shqipëria në tranzicion ka më shumë nevojë për artistët e rinj, për të zhvilluar më tej artin sesa këto vende që janë të plotësuara në këtë pikëpamje. Sigurisht që jashtë të ofrojnë më shumë terren, më shumë mundësi punësimi, por ambiciet e mia janë këtu.
Pas këtij koncerti, ka ndonjë projekt të afërt?
Ende nuk ka diçka konkrete, por në dëshirat e mia, do të doja që në sezonin e ardhshëm artistik të realizoja një recital timin, pa pjesëmarrjen e orkestrës.