Nëse dikush do të vendoste për të pasur në vëmendjen këto biseda të tyre në rrjet, atëherë do të magjepsej dhe do të çuditej me motivet e punës dhe të kërkimeve të tyre. Nëse do t’i thuash dikujt fjalën “haker”, atëherë personit i vjen menjëherë nëpër mend, ose i del para sysh ndonjë dhomë e errët me një adoleshent brenda saj, që gjatë gjithë kohës është i zhytur te kompjuteri.
Në këtë kuadër, figura e një filozofi nuk do t’i dilte përpara askujt me përmendjen e këtij emri, por në fakt, edhe pse mund të duket e çuditshme, e pamundur, hakerat modernë të ditëve të sotme harxhojnë një pjesë të madhe të kohës duke filozofuar për jetën, qëllimin e saj dhe gjithçka që ka të bëjë me misterin e madh. Secili prej tyre ka një filozofi të vetën në lidhje me këtë tekë dhe mbi të gjitha ka dëshirën e madhe dhe të papërmbajtshme që ta parashtrojë dhe ta diskutojë këtë pikëpamje me të tjerë.
Zakonisht këto debate ndodhin në dhomat e chat-it. Eva ka një punë interesante dhe jo shumë të lehtë. Ajo është punonjëse në një formë sigurie IT dhe detyra e saj është që të gërmojë gjithë ditën nëpër dhoma chat-i, me qëllim që të gjejë individë pas të cilëve fshihen hakera të vërtetë, të kuptojë se me kë ka të bëjë dhe më pas të përpiqet që të futet në bisedë dhe në lidhje me individë të tillë.
Qëllimi është që të mësojë sa më shumë për psikologjinë dhe botën e brendshme të kësaj kategorie njerëzish që operojnë në zonën “gri” të rrjetit dhe pse jo të arrijë që të zbulojë identitetin e vërtetë të personave të tillë. Një nga qëllimet e punës së saj është që përmes krijimit të lidhjeve të arrijë të kuptojë se cilat janë motivet që i bëjnë hakerat të veprojnë. Eva harxhon shumë kohë në rrjet për të “peshkuar” individë, me të cilët më pas, në bazë të një përzgjedhjeje, krijon lidhje dhe i vazhdon e i thellon ato. Sipas saj, bëhet fjalë për një botë të mjegullt, por që shpesh pa një përshtypjeje paraprake jo të mirë nis të të mrekullojë. Kështu, sipas përvojës së saj, në një grup me të cilin ajo krijoi lidhje flitej shumë për çështje që do të kishin ngjallur zilinë edhe të filozofëve dhe shkrimtarëve më të zotë e mendimtarëve. Ajo është befasuar kur anëtarët e kësaj dhome nisën që të diskutonin për rrymat e ndryshme e kryesore filozofike, për filozofë të caktuar, çka tregonte jo vetëm një shkallë të lartë të njohjes ndaj këtyre filozofëve, por edhe një inteligjencë të madhe analitike, sepse ata nuk mjaftoheshin vetëm me perifrazimin e veprave të tyre, por edhe me kritikën dhe analizimin e saj.
Në diskutime të tjera mes hakerave hasen edhe çështje të përdorimit të përditshëm. Për shembull, ata e pyesin njëri-tjetrin se cila do të ishte çanta më e mirë e veglave për një haker në arrati. Këto janë pak a shumë çështje profesionale që kanë të bëjnë me sende dhe materiale, për të cilat kanë njohuri një numër i kufizuar personash dhe për të kuptuar domethënien duhet që të kesh njohuri të thellë paraprake. Jo rrallë bisedimet nga grupi kalojnë në një sferë më personale dhe u referohen çështjeve që kanë të bëjnë me ta.
Në këtë pikë bëhet fjalë për jetën e tyre dashurore, për ndjenjat, ëndrrat, dashuritë, lidhjet reale dhe platonike që kanë për të dashurit e zemrës dhe për atë se si do i dëshironin. Madje ka shumë nga ata që hiqen me përvojë dhe japin këshilla se si të bësh për vete njeriun që të pëlqen, si ta ftosh për një darkë. Hakerat janë shumë të dhënë edhe për temat që kanë të bëjnë me fenë. Madje ka shumë forume në të cilat përpiqen që të gjejnë se cila është feja e anëtarëve të forumit.
Ata hedhin dhe presin këshilla edhe për letërsinë, për librat e preferuar dhe për ata që kanë dalë së fundi në treg. Titujt që diskutojnë janë nga më të ndryshmit, duke filluar nga klasikët e deri tek autorët modernë të librave fantastiko-shkencorë e romancave rozë. Përveç këtyre çështjeve bëhen edhe diskutime serioze biznesi në forume.
Ato madje u ngjajnë paksa seminareve të universitetit, që janë vende ku lulëzojnë idera nga më të ndryshmet në lidhje me çështje ta caktuara. Shpesh mësojnë edhe mënyra të reja për të përditësuar teknikat e tyre. Komuniteti i hakerave është një komunitet shumë bashkëpunues, një komunitet njerëzish që ndihmojnë njëri-tjetrin me shumë përkushtim. Dhe bëhet fjalë për grupe dhe forume që kanë një numër shumë të madh anëtarësh, ndonjëherë i kalojnë edhe të 200 mijë vetat.