Anagnosti dhe Wenders ne nje dite

Anagnosti dhe Wenders në një ditë

Kurse "Xhirime në Palermo" i Wim Wenders, përveçse është në konkurrim, nuk parashikon asnjë të papritur

Durrës

Këto dy ditë, programuesit e projeksioneve të filmave në festivalin e Durrësit, duket se i kanë menduar si zona më me influencë e filmave dhe e kinemasë. Shfaqja e paradites, ora 10.00, në fakt një orë e papërshtatshme, me fare pak lëvizje dhe spektatorë në teatrin "Aleksandër Moisiu" i përshtatur si kinema, është për "Gjoleka, djali i Abazit" (2006) i Dhimitër Anagnostit. Ky është seksioni retrospektivë (me një film të vetëm) për regjisorin më me peshë në historinë e kinemasë shqiptare.

Festivali Veror Ndërkombëtar i Durrësit jep një trofe karriere, një "Gladioator karriere" dhe me sa duket, sado që nuk është deklaruar, ky trofe do t'i jepet Dhimitër Anagnostit, regjisorit të filmave "Lulëkuqet mbi mure", "Vëllezër dhe shokë", "Gurët e shtëpisë sime", "Në shtëpinë tonë", "Përrallë nga e kaluara", "Gjenerali i ushtrisë së vdekur".

Në faqet e kësaj gazete, pesë vite më parë, në një shënim të gjatë për kineastin shqiptar dhe raportet e tij me artin e kinemasë dhe ideologjinë, do të theksonte: "Dihet që nuk ekziston kohë që nuk prodhon vlera, ndaj, regjisorët e talentuar, edhe në realitetin e egër të kontrollit të krijimtarisë artistike që aplikoi shteti i diktaturës në Shqipëri dhe filmi ishte arti më i kontrolluar, ditën të krijojnë vlera të qëndrueshme e të gjithëhershme, filma që e mbijetuan kohën e tyre, që pasuruan thesarin kulturor e shpirtëror të popullit tonë. Mendoj që në këtë thesar është edhe kontributi im."

"Gjoleka, djali i Abazit", një histori shqiptare në një fshat të izoluar në jug të vendit, në panoramën e viteve tridhjetë, është filmi me të cilin Anagnosti pati deklaruar se po e mbyll karrierën.

I realizuar 18 vjet pas "Gjeneralit..." ai nuk pati nga publiku pritjen e një filmi bërë nga Anagnosti. Në kohën kur kinematografia shqiptare nuk mund të kuptohet pa bashkëprodhimet me të huajt, ky regjisor arriti të bënte, edhe në këtë aspekt, atë që donte të bënte, një film tërësisht shqiptar.

Me aktorët Artur Gorishti, Marjana Kondi, Myzafer Zifla, Enxhi Agushi, Roza Anagnosti etj.
Po sonte, projeksioni i orës 20.00 i është rezervuar një emri të famshëm të kinemasë botërore, Wim Wenders.

Filmi i tij "Xhirime në Palermo", bashkëprodhim gjermano-franko-italian, (2008, 124 min.), u shfaq premierë në Cannes International Film Festival 2008, në konkurs, por që pavarësisht emrit që gëzon Wenders, kjo vepër e tij mbeti krejt jashtë vëmendjes së kritikës dhe jurisë.

Wenders, që është edhe bashkëskenarist i "Xhirime në Palermo", vjen me historinë e Finit, një fotografi me karrierë ndërkombëtare, fotografitë e të cilit shfaqen në muzetë e galeritë e tërë botës. Me fjalë të tjera, është një rock star i botës së artit. Por Fini e di që diçka i mungon jetës së tij.

Gjatë një procesi fotografimi në Palermo, ai përjeton një udhëtim sureal në Ferr, teksa jeta e tij shkrihet me artin dhe përfundon në një gropë të zezë. Pastaj një engjëll, në formën e Flavias, një bukuroshe misterioze, hyn në jetën e tij, e cila e ndihmon të përballet me armikun kryesor të çdo artisti...

Interpretojnë aktorë të njohur nga të tri vendet Dennis Hopper, Giovana Mezzogiorno, Lou Reed etj.

Regjisori i filmave "The Million Dollar Hotel", "Buena Vista Social Club", "Paris-Texas" etj., aktualisht president i Akademisë Evropiane të Filmit, mendohej të ishte një herë i pranishëm në Shqipëri, i ftuar nga Akademia e Filmit "Marubi" apo edhe tek ky edicion i Festivalit Veror Ndërkombëtar të Filmit në Durrës. "Palermo shooting", i cili është një ndër nëntë filmat konkurrues të programit "Vizione bashkëkohore", do ishte një motiv i mjaftueshëm për ardhjen e regjisorit gjerman.

Me sa duket, nuk ka më kohë që organizatorët t'i lënë vend ndonjë surprize të orëve të fundit të ditës së sotme.
Projeksioni i radhës, në orën 22.00, është një tjetër film i programit "Vizione bashkëkohore".

Kur Keti, një grua e zakonshme, takohet me Pakon, një burrë i zakonshëm, ndodh diçka magjike, e mrekullueshme: ata bien në dashuri. Nga dashuria e tyre lind një bebe e jashtëzakonshme: RIKI. Ky është titulli i filmit dhe e përmbledhur në dy fjalë, kjo është historia e "Rikit", i regjisorit François Ozon (France, 2009, 90 min.), i shfaqur premeirë në Berlin International Film Festival 2009.

Edhe filmi i mesditës, ora 12.00 "Përgjithmonë", i regjisorit Damjan Kozole (Slloveni, 2008, 82 min.), konkurron tek "Vizione bashkëkohore".

Ndërsa në ekranin veror të vendosur në amfiteatrin romak, mbrëmja e sotme vazhdon në orën 20:00 me filmin "La pivellina" të regjisorëve Tizza Covi/Rainer Frimel dhe në orën 22:00 "Motra e Katias", i regjisores Mijke de Jong.

Nesër

Theater "A. Moisiu"

10:00 - "Gomorrah" Matteo Garrone, Itali, 2008, 107 min. (Takime të ngushta)
12:00 - "Mali përballë" Vassilis Douros, Greqi, 2008, 105 min (Botë Ballkanike)
18:00 - "Tre majmunët" Nuri Bilge Ceylan, Turqi/Francë/Itali, 2008, 109 min. (Botë Ballkanike)
20:00 - "Gjallë!" Artan Minarolli, Shqipëri/Austri/Francë, 2009, 90 min. (Botë Ballkanike)
22:00 - "Karamazovët" Peter Zelenka, Çeki/Polani, 2008, 100 min. (Vizione bashkëkohore)

Amfiteatri romak

21:00 - "Tre majmunët" Nuri Bilge Ceylan
23:00 - "Gjallë!" Artan Minarolli

 

 

Gazeta Shekulli



Artikujt e fundit


Reklama

Reklama