Analiza - Serafina Topia

Serafina Topia dhe Skënderbeu i Pafat

Veprat kryesore poetike të De Radës janë "Këngët e Milosaos", "Serafina Topia„ dhe "Skënderbeu i pafat". "Këngët e Milosaos„ ishte një poemë lirko-epike, ku frymëzimi i poetit ka qenë tepër i kulluar dhe është arritur harmonia midis brendësisë dhe formës. "Serafina Topia„ dhe "Skënderbeu i pafat„ janë poema me vëllim të gjerë, të cilave poeti u kushtoi pothuajse tërë jetën. Në këto vepra është forcuar epizmi dhe është rritur thellësia e problematikës në krahasim me krijimet e rinisë. Ideja patriotike që ishte si një rrymë e nëndheshme tek Milosaoja këtu ka dalë në plan të parë. Poeti ka synuar të japë tabllo të gjera të kohës së Skënderbeut. Skenat e betejave alternohen me skena intime, që të jepet kështu sa më i plotë shekulli XV në Shqipëri. Këtu është forcuar edhe përpjekja për ngjyrim historik… Poeti shpreh frymën heroike të kohës në mënyrë madhështore te "Skënderbeu i pafat", nëpërmjet skenave të heroizmit masiv dhe atij të veçantë, siç janë skena e betejës së Shkodrës, skena e vrasjes së pashait turk nga Astriti, një trim shqiptar, dhe skena e ndeshjes së Skënderbeut me dy tartarët. Epoka e Skënderbeut këtu pasqyrohet në përpjestime të mëdha vigane. Në veprimin e poemës marrin pjesë jo vetëm individë të veçantë me veti të jashtëzakonshme, po gjithë kombi, si masat popullore, ashtu edhe aristokracia. Këto poema dallohen për shkrirjen e epizmit, lirizmit, dhe dramatizmit, këtu poeti i jep jetë një galerie të pasur personazhesh, midis të cilëve spikatin Skënderbeu, që është i pranishëm në të dyja poemat, dhe Serafina Topia, protagonistja e poemës, "Një pasqyrë e jetës njerëzore„ që shfaqet edhe te "Skënderbeu i pafat„. Skënderbeu mishëron idealin e udhëheqësit -si ushtarak dhe burrë shteti,- por De Rada ndalet edhe në anën e tij thjeshtë njerëore të tij. Serafia Topia mishëron idealin e gruas shqiptare dhe njëkohësisht idealin e njeriut të zhvilluar në mënyrë të gjithanshme. Romatizmi i De Radës merr në këto poema ngjyra të forta, heroikja ndërthurret me tragjiken. Problematika patriotike (çështja e çlirimit me luftë të armatosur, problemi i bashkimit të shqiptarëve, çështja e udhëheqjes) në këto poema është në qendër të vëmendjes, por shoqërohet edhe nga një larmi problemesh shoqërore, morale dhe filozofike, siç janë: shfrytëzimi feudal, e drejta e njeriut për të vendosur për fatin e vet, çështja e së mirës dhe së keqes, e drejta e njeriut për lumturi. Këto probleme mishërohen te personazhe nga më të ndryshmet. Poeti shfaq një thellësi të veçantë zhbirimi në botën e brendëshme të krijesave të veta. Veçanërisht të gjalla janë figurat e grave, si: Imotea, Agata, Frosina, Vantisana, te "Skënderbeu i pafat"; Serafina, Evoda, Parayllja, Olimpia te "Një pasqyrë e jetës njerëzore".
"Skënderbeu i pafat" shkrin elementë të eposit me elementë të poemës kombëtare-historike dhe të poemës filozofike. "Një pasqyrë e jetës njerëzore"është edhe ajo origjinale për nga lloji, shkrin llojin e poemës shoqërore-psikologjike me llojin e poemës epiko-heroike.
Të dyja poemat kanë marrë nga poezia popullore hiperbolizmin e figurave të kreshnikëve dhe pasurinë e figuracionit. Vargu afrohet me vargun e lirë.


De Rada mbetet poeti që hodhi themelet e letërsisë me të vërtetë artistike arbëreshe, dhe dha një ndihmesë të madhe për tërë letërsinë kombëtare. Ai qe i pari që ngriti në art epokën e lavdishme të Skënderbeut. Duke pasqyruar "Motin e madh", kohën e "Skënderbeut". De Rada hodhi kushtrimin për luftë të armatosur kundër zgjedhës osmane. Ai është njëkohësisht i pari që çeli traditën e mbështëtjes së letërsisë arbëreshe në poezinë popullore. De Rada qe edhe lëvruesi i parë i poemës epiko-lirike, i novelës në vargje dhe i poemës epike. Gjithashtu ai ka meritën që lëvroi deri diku poemën shoqërore, ndonëse nuk i kuptonte deri në fund kontradikatat klasore. Poeti ka simpati për njerëzit e thjeshtë, pasqyron me dhembje mjerimin dhe shfrytëzimin, ka besim të madh te njeriu dhe te mundësitë e tij, megjithatë deri diku ndikohet nga fatalizmi dhe misticizmi, që vende-vende ia dëmtojnë krijimtarinë nga ana ideore, madje edhe estetike. Në thelb vepra e De Radës i përket romantizmit përparimtar, një romantizmi veçanërisht origjinal, që nuk i këndon vetëm të jashtëzakonshmes, por zbulon edhe poezinë e së zakonshmes. De Rada është mjeshtër i stilit të përmbledhur dhe tepër shprehës, i përdorimit të figuracionit, që dallohet për freski dhe ndikim të fortë emocional. Gjuha me të cilën shprehet De Rada, është e pasur, por disi e errët, Poeti pati një ndikim të madh në veprat e shkrimtarëve arbëreshë dhe një ndikim më të vogël te shkrimtarët e tjerë të Rilindjes.


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama