Analiza e Staroves Memushaj lider u shperblye katenaco

Analiza e Starovës: Memushaj lider, u shpërblye katenaço

Specialisti i futbollit Sulejman Starova analizon për "Panorama Sport" fitoren e parë të kuqezinjve në finalet e një Europiani.

Starova vlerëson Memushajn si liderin e ndeshjes, ndërsa për trajnerin De Biazi shprehet se ia njeh meritat me paraqitjet e treguara në "Euro 2016".

starova

Analiza e plotë e Sulejman Starovës:

Shqipëria ia doli me meritë të marrë një fi tore historike në finalet e një Europiani. Por ia doli edhe sepse ishin lojtarët e duhur në fushë.

Memushaj ishte njeriu kyç i ndeshjes dhe në këtë Europian i ka dhënë një "leksion" edhe vetë De Biazit, i cili në fakt thuajse gjatë gjithë eliminatoreve e uli në stol duke preferuar një katenaço të pastër. Dje Memushaj tregoi se ç'brumë ka dhe çfarë futbollisti është.

Ndeshja

Shqipëria ishte shumë e ndrojtur për 30 minuta dhe Rumania, megjithëse fare e paqartë në fushë, arriti të na mbante në tension, por menjëherë pas 30 minutave Rumania pësoi një rënie drastike. Shqipëria gjithsesi mbetet fanatike e skemës së saj defensive, por me ndryshimin që nuk e lejon kundërshtarin të hyjë me top deri në zonë. Mbrojtja bën presing lart dhe Ajeti tregohet i pamëshirshëm me sulmuesin kryesor të Rumanisë.

13495056_1160338617352316_1509089963777101119_n

Abrashi është unik në stilin e të bërit rolin e shkatërruesit dhe pa mëdyshje mund të themi se ai është Gatuzo i Shqipërisë. Nga ana tjetër, kishim Bashën në hije, sepse edhe Rumania bënte presing me shumë forca në mesfushë dhe në disa raste doli fitimtare, por ishin kaotikë në mënyrën se si e donin golin dhe kjo për meritë edhe të Shqipërisë.

Shqipëria shënoi një gol me vlera dhe nuk është rastësi që shënon Sadiku, njeriu që ka rendimentin më të lartë para portës në radhët e kuqezinjve.

Ai u tregua një bomber race dhe nuk e neglizhoi atë gjysmë mundësie që i krijoi Memushaj me atë pasim milimetrik. Ekzekutimi dhe këndi ku e çoi treguan se lojtari ka bërë përparim gjigant në sulm dhe nuk është rastësisht titullar.

Memushaj lider

Një pjesë e parë shumë e vuajtur për vlonjatin, por tregoi se ka shumë karakter. Nuk u dorëzua asnjëherë, ndonëse e markonin rreptësisht rivalët. Në fillim jep një shkëndijë me aksionin ku Lenjani nuk e shfrytëzon dot, më pas bën atë pasim alla Pirlo për Sadikun. I dha shpresë gjithë skuadrës se Rumania nuk është e pathyeshme dhe as më e mirë. Goli që u shënua në fund të pjesës së parë i dha zemër skuadrës dhe kjo u pa edhe në startin e pjesës së dytë, pasi ishte Shqipëria ajo që bën ligjin në fushë.

Aty më pas Memushaj dhe Abrashi vendosin të bëhen monumentalë. Sigurisht të ndihmuar edhe nga një repart mbrojtjeje në lartësinë e duhur. Katërshja e prapavijës nuk gaboi asnjëherë, ndërsa Abrashi me Lilën janë shumë të zotë në presingun për topin e parë, duke mbuluar edhe rënien e dukshme të Bashës.

Memushaj vesh petkun e liderit dhe mbron topin si duhet, shfrytëzon hapësirat e ngushta, shërben dhe fiton faulle. Pikërisht ajo çka i duhet një skuadre që e bazon lojën te katenaço, pra thyerjen e aksioneve dhe ia dorëzon topin pikërisht njërit si Memushaj që mbron topin, fiton kohë, jep pasime të sakta dhe vrapon si i çmendur kur nuk e ka topin. Fantastik në mbrëmjen e djeshme!

Ndërrimet

Nuk më pëlqen që shumë lojtarë të dalin jashtë roleve natyrale si Lila mesfushor krahu apo Roshi i majtë. E megjithatë De Biazi fitoi një ndeshje të madhe dje dhe sigurisht duhet ta respektojmë dhe t'ia njohim meritat.

Rumania nuk është një kundërshtar komod dhe ne nuk jemi ekspertë të këtij kompeticioni, ndaj vërejtjet duhet t'i mbajmë në sirtar dhe të respektojmë fituesin. De Biazi ia doli mirë dhe Shqipëria ka shanse të kualifikohet, edhe pse nuk jemi favoritë. Uroj shumë t'ia dalim që kjo mbrëmje historike të pasojë edhe me kalimin e turit. Përfundimisht, Shqipëri dinjitoze!



Artikujt e fundit


Reklama

Reklama