Anastas Kostandini Besoj ne nje art kombetar

Anastas Kostandini: Besoj në një art kombëtar

"Tirana është arena e vetme ku prezantohet arti. Nuk ka ndonjë seriozitet të madh në provincat e Shqipërisë në mënyrën se si konsumohet apo përcillet piktura", thotë ai. "Në qytetin ku ndodhem jam disi i futur në botën time personale dhe ndonjëherë pa dialog", vazhdon Taso.

40 pikturat që tashmë janë vendosur në sallën e vogël të galerisë për t‘u parë nga publiku sjellin një botë përfytyrimesh, legjendash dhe rrëfenjash që nuk i gjejmë dot në metropolin ku zien jeta jonë. Ndoshta kjo është ajo çfarë e bën pikturën e Kostandinit të jetë ndryshe, ndjeshmëria që ato mbartin. Taso mund të flasë gjatë për secilën nga ato piktura, duke rrëfyer me fjalë sikur të jetë duke i dhënë formë një telajoje. Historitë që ai rrëfen për secilën prej tyre në thelb janë të njëjta. Jeta në provincë, kureshtja që zien në çdo lagje për të zbuluar misteret që vijnë nga e shkuara, thashethemet aq të dashura nga të gjithë, mëngjeset e zhurmshme dhe netët e qeta... Janë të bukura netët kur jeta jote ecën sipas një trajektoreje të njohur dhe ke diku atë cepin tënd të ëndërrimit. Është një botë e tërë në këto piktura që zbulohen para teje si në ekranin e një filmi. Në tablonë "Wine day", e cila çel dhe serinë, piktori prezanton veten në qilarin e verës dhe rakisë, në dehjen mes natës e ditës. "Ndërsa te ‘poeti‘ çlirohet efekti i dritës që luan me blunë e ujërave të liqenit si simbol. Në fakt, liqeni është një tjetër çelës që të ndihmon për të zbërthyer pikturat e tij. Veprat e prezantuara janë në teknikën e vajit dhe akrilikut. Njëzet e pesë prej tyre kanë forma të njëjta të një madhësie të konsiderueshme.

Pse "Wine day"?

Ekspozita ka karakter shumë tokësor dhe sjell një botë provinciale me të gjitha bukuritë e ngjyrave, të thashethemnajës, të nënkuptimeve, legjendave, përjetimeve personale, apo familjare. Në thelb "Wine day" nuk është një fjalë e huaj nëse sheh brenda pikturave të ekspozuara. Ky titull lidhet dhe me një pikturë timen. "Wine day" është dita e të pirit dhe nëse sheh tablotë e mia, të gjitha skenat janë në prag të humbjes së vetëdijes. Ky titull është për të justifikuar disi stilin me të cilin ato janë realizuar.

Në tablo shihet një përthyerje e dy realiteteve që janë pranë nesh, e legjendave, rrëfenjave dhe përjetimeve që nuk janë thjesht personale. Shpesh më duket se përjetimet e mia janë të afërta me përjetimet e gjyshërve të mi, që kanë jetuar kohë më parë. Piktura ime nuk është krejtësisht "e sotme". Mua më duket sikur nëpërmjet imazheve dhe ngjyrave jap llogari për të parët e mi. Ky rrëfim imi është krejt i zakonshëm në provincë, ku ekziston jo vetëm dialogu me të tashmen, por dhe një dialog me të kaluarën.

Cili është ky raport që ju mbani me të kaluarën?

Kam një raport tepër të përgjegjshëm me të kaluarën. Për shembull, nëse flasim në sferën e artit, unë jam shumë i përgjegjshëm në raport me artin tonë kombëtar. Unë jam nga ata artistë që besojnë se ka një art kombëtar. Raporti im me këtë art ka nisur të ekzistojë që kur unë isha një nxënës, kur mundohesha të kopjoja veprat e mjeshtrave tanë, të hidhja në një tjetër letër stilin dhe mënyrën e tyre. Kështu që e konsideroj tepër të rëndësishme të kaluarën tonë artistike, ata që kanë ekzistuar para nesh. Mendoj se një vepër arti nuk mund të tregojë vetëm të tashmen, pasi nuk do të ketë kuptim. Rrëfimet e realitetit në thelb janë tepër personale. Secili ka perceptimin e tij mbi atë që ndodh. Por unë jam përpjekur të jem tmerrësisht i qartë në këtë gjuhë.

Meqë në veprat tuaja ndihet "dita e pijes", ju çfarë marrëdhënieje keni me pijen?

Unë nuk shquhem si pijanec. Nëse do të bëja një jetë më të thjeshtë dhe nuk do të kisha këtë vetëpërgjegjësi edhe mund të kisha rënë në kurthin e njerëzve të thjeshtë që e pijnë verë, luajnë bilardo, bëjnë loto sporti etj. Prej vitesh unë ruaj një distancë nga këto gjëra. Megjithëse në kujtimet e mia ka kujtime me këtë pije. Familja ime, si çdo familje pogradecare, bënte verë. Në Pogradec të gjithë bëjnë verë, si myslimanët, ashtu edhe të krishterët. Madje unë kam realizuar një tablo simbol të kësaj çfarë thashë. Në tablo dallohet një kishë dhe një xhami që duket sikur janë dhe ato në qejf, dhe poshtë në qytet nuk bëhet gjë tjetër veç zihet raki...

Nënteksti i kësaj tabloje është se jeta nuk është aq monumentale saç jemi mësuar ta shohim nga artistët ose politikanët. Njerëzit shpesh duan ta fusin jetën si në një libër, duke artificializuar gjithçka. Ndaj, nëpërmjet artit tim, që shpesh mund të duket si i zhurmshëm apo i rrëmujshëm, dua të sjell atë vlagën e së vërtetës absolute. Një e vërtetë që mbase unë kam të drejtë ta pretendoj, pasi jam duke arritur të 55-at dhe pas një rraskapitje të vërtetë, çoroditje për të gjetur veten tim në art, qoftë në stile, qoftë në referenca kulturore, e pretendoj se këtu kam sjellë diçka në përputhje me atë që unë jetoj dhe si e përjetoj unë jetën.

Si do ta gjykonit jetën tuaj mes dy periudhave, atë para viteve ‘90 dhe pas saj?

Unë mezi i kam pritur vitet ‘90, duke menduar se do të bëja një lloj revizionimi të plotë, të rihapja gjithë kohën e humbur. Por kohë më pas nuk më rezultoi kështu pritja, pasi shumë përjetime të asaj periudhe që ekzistonin në studion time, në nivele të vogla, siç është vizatimi, gjëra të cilat unë i bëja për qejfin tim, por që nuk mund t‘i shndërroja në atë që quhej vitrinë e realizmit socialist, nuk mund t‘i ekspozoja dot, dhe pas kësaj ka qenë liria maksimale e të shprehurit, qoftë në rrafshin e domethënies, qoftë në rrafshin e stileve. Pas viteve ‘90 unë kam provuar shumë stile, por sërish nxori krye ai damari im i vjetër si kubist. Në vitin 1973 bëja pjesë në atë grup studentësh në Akademinë e Arteve, që e donim këtë rrymë dhe kërkonim t‘i ngjanim asaj, duke e ndjerë veten aty, madje për këtë e kemi pësuar rëndë, duke u përjashtuar nga akademia në ato vite të errëta.

Tani endem lirshëm në të gjitha gjërat që kam njohur. I takoj shpesh rrugës, pasi nuk është se unë kam mohuar totalisht diçka dhe kam pranuar të tjerat. Të gjitha gjërat që kam njohur dikur i takoj shpesh gjatë rrugës sime. Të gjitha ekzistojnë tek unë. Në thelb besoj se artisti s‘mund të jetë sistematik sa t‘i nxjerrë gjërat nga vetja me plan.

Çfarë është komunizmi?

Unë e kam konsideruar Shqipërinë të ndarë në dy etapa. Shqipërinë natyrale, e cila erdhi deri në vitin 1944, ku të gjithë lumenjtë rrjedhin natyrshëm drejt detit dhe periudhën e socializmit ndodhi e kundërta, nga deti lumenjtë përpiqeshin të ngjiteshin nëpër male, gjë që është një jonatyrshmëri. Mendoj se tani jetojmë në një epokë ku gjërat kanë shkuar në normalitetin e vet. Nuk përdoren fuqi të mëdha, siç mund të jetë "shpërthimi i një mali" për të hapur rrugën. Gjërat janë fare të natyrshme tani...

Thatë se pas viteve ‘90 nxori krye ai damari juaj si kubist i vjetër. Kë keni dashur më shumë nga kubistët?

Ka qenë viti 1973 kur Pikaso vdiq dhe ne si studentë e përjetonim diçka të tillë nën tavolinë. Në fakt unë i afrohesha asaj rryme pasi kishte lidhje me konstruksionin, me mënyrën e re të të ndërtuarit të sendeve. Mua më pëlqen që sot të bëj këtë gjë, sasia e madhe e asaj që unë dua të them ndonjëherë është shumë e rëndë, pasi ne vuajmë nga një trashëgimi e letrarizmit, ku letërsia ka sunduar të gjitha artet dhe ka përcaktuar domethëniet e tyre. Unë kam besuar gjithmonë se arti figurativ ka një gjuhë krejtësisht të vetën, dhe për këtë shkak domethënia duhet të jetë në raport shumë të ekuilibruar me stilin dhe plasticitetin e pikturës. Unë besoj që kam arritur një lloj ekuilibri të tillë.

Çfarë është liria për ju?

Nuk kam abuzuar kurrë me lirinë, kam qenë shumë i kujdesshëm dhe kam pasur shumë frikë. Ajo çfarë ka karakterizuar në periudhën e komunizmit ka qenë frika deri në palcë që unë kisha ndaj të gjitha gjërave që ndodhnin. Babai im, i cili ishte një njeri i aneksuar, më këshillonte që duhet të kisha shumë kujdes dhe duhet të ruhesha vazhdimisht. Kjo ndjenjë në mënyrë graduale filloi të zëvendësohej nga një lloj lirie brenda zonave shumë të njohura të miat. Unë isha i lirë brenda gardhit tim. Tani mund të ndjehem relativisht i lirë në vendin tim. Nuk mund të them plotësisht pasi ka shumë gjëra që të kondicionojnë të sillesh në një mënyrë krejt tjetër. Por mendoj se liria duhet kërkuar. Sigurisht që liri absolute nuk ka. Mjaft të flasim për lirinë familjare, e cila është një raport dhe ka kuptim të përbërë. Por unë lirinë e gjej edhe jashtë. Udhëtimet e mia janë një triumf i lirisë. Më pëlqen të vizitoj muze të ndryshme, pavarësisht se më duhet të numëroj mirë paret për të shtyrë ditën. Megjithatë në këto udhëtime gjej lirinë.

Unë mund të them që tani jam i lirë të shpreh atë që mendoj. Natyrisht ka disa zona të errëta në Shqipëri të cilat me vështirësi mund të shprehësh, siç janë prejardhja e komplikuar e kombit tonë në periudha të ndryshme, ngatërresa e popujve për shkaqe dyndjesh, kështu që s‘mund të flitet për gjëra krejtësisht të pastra. Megjithatë është e rëndësishme të kesh dhe disa tabu, qofshin këto dhe kombëtare. Unë i përmbahem një prirje. Dua të nënvizoj dhe besoj në një koncept kombëtar të gjërave, të një shpirti kombëtar, që është krejt i ndryshëm nga popujt e tjerë. Unë jam në një proces të ashpër vetëbisedimi dhe shpesh kam kontakte me kolegët e mi në Ballkan. Ballkani është një terren ku mund të verifikohet më lehtë ajo se çfarë jemi ne. Shpesh ne na pëlqen për shkak të ambicieve të nervozizmit tonë në mbyllje të diktaturës për të takuar më të mirën. Ndaj shpesh bëjmë krahasime me botën perëndimore, por në fakt mirë është të matemi edhe me veten tonë, me fqinjët tanë. Dhe unë këtë e bëj. Ndoshta kjo bën që në ekspozitën time të ndjehet një frymë ballkanike.

Si lindi kjo ekspozitë dhe pse e sollët në Tiranë?

Ku ta sjell tjetër. Sigurisht që Tirana është arena e vetme. Nuk ka ndonjë seriozitet të madh në provincat e Shqipërisë, në mënyrën sesi konsumohet dhe përcillet arti. Mendova ta sjell këtu, pasi kam dëshirë të dëgjoj dhe reagime. Jam disi i futur në një botë personale dhe ndonjëherë dhe pa dialog aty ku ndodhem.

Çfarë e ka karakterizuar pikturën tuaj vitet e fundit?

Janë tri gjëra që më tërheqin gjithmonë. Natyra, e cila është thelbi i gjërave. Nuk mund ta lë këtë zakon që të pikturoj peizazhin aty ku është. Më pëlqen gjithmonë të pikturoj për të dhjetën herë pamjet. Tjetër gjë është realiteti i dikurshëm dhe i sotëm që vjen në mënyrë indirekte tek unë. Unë reagoj nëpërmjet kompozicioneve të mia. Është një pikturë tjetër që unë e përftoj nga reagimi dhe influenca që e quaj shumë të rëndësishme të artit të sotëm botëror. Këtë gjë e gjej kur shikoj muze, kur udhëtoj. Jam njeri i përfshirë nga ndikimi dhe ndjehem shumë mirë që jam i ndikuar. Ndikimi edhe mund të shndërrojë dhe të vejë në pikëpyetje. Shpesh jam vënë përballë dilemave të rënda. Në fakt artistët shqiptarë janë përpara një detyre shumë të rëndë, duhet të mbajnë gjithë gurin e peshës në kurriz të tyre. Një pjesë të këtij guri duhet ta mbajë dhe kritika. Por për fat të keq kritika këtu hesht, ose është inekzistente. Por edhe kur shfaqet ndonjëherë, është shumë konformiste.

Ç‘mendoni për kritikët?

Për fat të keq në Shqipëri nuk ekziston kritika. Gjatë kohës së realizmit socialist ka ekzistuar, por tashmë jo më. Ka pasur një raport jo të keq në atë kohë midis kritikës dhe veprës. Kurse tani, për fat të keq, nuk ka më reagime serioze nga kritika. Unë as që i njoh emrat e kritikës shqiptare.


 

Gazeta: Shqip


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama