Përpara duelit me Mançester Sitin e Pep Guardiolës (sot, në orën 20:30, në "Allianz Arena"), Karlo Ançeloti mbyll merkaton e Bajernit dhe jo vetëm për sa i përket gjetjes së një zëvendësuesi për Arjen Robenin pas dëmtimit (do mungojë 6 javë dhe humbet fillimin e sezonit të ri).
Trajneri italian, i cili do të debutojë gjithashtu në "Allianz Arena", thotë se Bajerni nuk do të hyjë në merkato për ta zëvendësuar holandezin, sepse ai rikthehet shumë shpejt, ndërkohë që ekipi sipas tij është i kompletuar dhe nuk ka nevojë për asnjë përforcim: "Skuadra jonë është shumë mirë, nuk ka nevojë për përforcime. Është e plotësuar në të gjitha pozicionet. Nuk na duhet lojtar tjetër për këtë sezon". Gjatë konferencës për shtyp për miqësoren e luksit, ai lavdëron rivalin që i ka lënë këtë skuadër fantastike.
"Duhet të marrim parasysh se miqësorja me Sitin është një ndeshje që do t'u shërbejë të dyja skuadrave për t'u përgatitur mirë për sezonin. Është një miqësore ku ne duam të bëjmë më të mirën tonë. Të gjithë duan të fitojnë, por rezultati është gjëja më pak e rëndësishme. Mua do të më mjaftonte të shikoja skuadrën time të luante mirë dhe kaq.
Koha e Guardiolës në Mynih ishte shumë pozitive. Unë shpresoj që lojtarët të mos e harrojnë këtë, sepse ishte një përvojë shumë e mirë për ta. Çdo trajner ka stilin e tij dhe unë këtë vit dua të importoj idetë e mia. Por mendoj se puna që ka bërë Guardiola këto 3 vitet e fundit këtu do të jetë gjithashtu e rëndësishme për këtë sezon".
Si është gjendja e Arjen Robenit?
Nuk jam me shumë fat, sepse e humba në ndeshjen time të parë, por unë shpresoj që ai të jetë përsëri gati për fillimin e sezonit.
Po kërkon Bajerni një lojtar për ta zëvendësuar? Sane është një alternativë e përfolur si pasardhësi i tij.
Skuadra jonë është shumë mirë, e plotësuar në të gjitha pozicionet. Nuk na duhet më asnjë lojtar tjetër këtë sezon.
Bashkë me Mançester Sitin rikthehet shumë shpejt edhe Pep Guardiola në "Allianz Arena". Çfarë marrëdhënieje keni ju të dy?
Kemi një marrëdhënie të shkëlqyer. Ai ka bërë një punë fantastike. Unë i uroj gjithë të mirat atij dhe skuadrës së tij të re.
Keni folur me të për skuadrën e Bajernit?
Deri tani jo, por nesër (sot) do të flas me të me kënaqësi, por jo për skuadrën. E njoh ekipin shumë mirë dhe nuk kam pyetje.
Çfarë prisni nga ndeshja me Sitin?
Duhet të marrim parasysh se miqësorja me Sitin është një ndeshje që do t'u shërbejë të dyja skuadrave për t'u përgatitur më mirë për sezonin. Është një miqësore dhe pa dyshim që ne duam të bëjmë më të mirën tonë. Të gjithë duan të fitojnë, por rezultati është gjëja më pak e rëndësishme. Mua do të më mjaftonte të shikoja skuadrën time të luante mirë dhe kaq.
Mendoni se Guardiola do të luajë me Sitin me stilin e Bajernit?
Të presim ndeshjen dhe ta shohim.
Cilat janë përshtypjet tuaja për testin e parë kundër Lipshtadit?
Jam i kënaqur me paraqitjen në pjesën e parë, sepse i pashë idetë e mia të shpalosura në fushë. Në pjesën e dytë, pas shumë zëvendësimeve nuk ishim më përcaktues.
Kur do të firmosë Gëce me Dortmundin?
Nuk ka të reja dhe ai është ende një lojtar i Bajernit. Kur të kthehet nga pushimet, do merremi me këtë çështje. Gëce është një lojtar fantastik dhe këtë mund ta tregojë te Bajerni.
Do ta ndryshoni stilin e lojës që ka lënë Guardiola?
Stili që ka lënë Pep është shumë i mirë dhe unë shpresoj që këtë lojtarët të mos e harrojnë. Unë sjell idetë e mia këtu, por sezoni i shkuar ishte shumë i rëndësishëm.
Po hasni vështirësi në përgatitjet tuaja me lojtarët e kombëtares ende me pushime?
Jo, nuk është e vështirë. Klubi është i mirorganizuar. Unë dua që ata të rikthehen të çlodhur dhe më pas do të kemi kohë për të kapur ritmin në stërvitje. Edhe pse ata do të mungojnë për një kohë të gjatë në këtë fazë përgatitore, unë mendoj se do të jemi gati për startin e sezonit.
Po dëmtimi i Kostës si po shkon, kur rikthehet?
Pas dëmtimit të tij muskulor, duhet të pushojë edhe për 20 ditë përpara se të rikthehet në stërvitje.
Jeni i lumtur që këtë verë do të ndesheni dhe me dy ish-klubet tuaja, Realin dhe Milanin?
Sigurisht, po i pres me emocione këto ndeshje. Me zemër jam ende tifoz i Milanit.
Përgatiti: ANDROKLI DRALO