Andis Harasani Do te ndertoj ne Manhatan

Andis Harasani: Do te ndertoj ne Manhatan
Ish-deputeti socialist thyen heshtjen për herë të parë mbas dorëzimit të mandatit të tij. Shpjegon arsyet e ikjes dhe jetën e re në SHBA. Një sërë konsideratash për të djeshmen dhe të sotmen e tij dhe të politikës që ka lënë pas, dashuritë dhe zhgënjimet që e detyruan të thotë: mjaft më! Por flet edhe për raportet e tij me politikanët dhe vetë politikën. Rama e Berisha, si i sheh sot ish-deputeti socialist.

Më shumë se intervistë, ky material është një bisedë e gjatë dhe shpesh edhe nervoze në Scype. Nga ana tjetër e Oqeanit, në SHBA, ndoshta edhe për shkak të largësisë, Andis Harasani vendos të përgjigjet sipas një mënyre të ndryshme me atë që bënte dikur rëndom në Tiranë. Me disa kilogramë më pak në trup, por me më shumë qetësi se më parë, ai përdor fjalën me një peshë tjetër. Qoftë dhe kur tenton të vejë, sipas mendimit të tij, diagnozën e sëmundjeve që ka shoqëria shqiptare. E bën tashmë pa kompleksin e politikanit që ndruhet sesi do të gjykohet një ditë më pas, e bën si qytetar që me ikjen nga Kuvendi, ka rifituar lirinë dhe vetveten

Në një kohë kur shumëkush ka nisur të mendojë për listat partiake të kandidatëve për deputetë, ju hiqni dorë papritur nga mandati juaj i deputetit. Pse ndodhi, çfarë ju shtyu të merrnit këtë vendim?

Papritur? Por edhe nëse një akt të tillë do ta merrja nesër apo në fillim të qershorit të vitit të ardhshëm, sërish besoj se do të thoshit: hiqni dorë papritur nga mandati! Dhe përsëri do të hamendësohej për arsyet. Do të hamendësonin ata që janë të interesuar për një gjë të tillë, për aq sa janë të interesuar dhe për sa kohë do të vazhdojnë të jenë të interesuar.  Nëse heqja dorë vullnetarisht nga mandati, në atdheun tonë të çudirave do të konsiderohej si çudi, shpresoja shumë që tre ditët e jetës së saj do të kishin mbaruar tashmë. Po më çudisni juve që më pyesni për këtë pjesë të së shkuarës, ndërkohë që mund të flisnim fare mirë për të nesërmen. E nesërmja nuk dëshmon.  Në pritje të ardhjes së saj, siç ndodh shpesh në shoqëri me kujtesë të shkurtër si jona, harrohet shpejt çfarë kemi thënë në të tashme.
 
Mos ishte kjo përgjigje një mënyrë për të mos dhënë përgjigje për pyetjen që u bë?

Faleminderit që insiston. Atëherë po përgjigjem ndryshe. Çdo punë, çdo aktivitet, edhe vetë jeta, ka fillimin dhe fundin e saj. Politika, në bindjen time është një nga profesionet më të sofistikuar, një nga “zejet” më të mrekullueshëm që ka shpikur njerëzimi. Fatkeqësisht, dhe jo vetëm në Shqipëri, profesionistët dhe zejtarët e vërtetë të politikës, janë bërë një racë e shpallur në kërkim. Jo nga policia sepse ne në atdhe, edhe policinë e kemi të politizuar. Eshtë shpallur në kërkim nga njerëzia. Sot, statura e politikanit është më tepër se investim individual e kolektiv, është një sipërmarrje forme. Shpesh edhe formë pa thelb. Ka gjithmonë “hije” nga pas politikanit / politikanëve që të zgjedhin modelin e flokëve, ritmin e të folurës apo dhe atë se çfarë duhet të flasësh apo si të heshtësh. Politikani sot më shumë është aktor skene sesa aktor në politikëbërje. Ndodh një metamorfozë e çuditshme, mes grimit të studiove televizive dhe buzëqeshjes së porositur përpara njerëzve që denatyron individin, që e shndërron atë deri në pikën që harrohet thelbi. Për mua, thelb është shërbesa. Në Shqipëri, ku fenomenet shkojnë shpesh në ekstrem, një deputet, për shembull, bën as më pak dhe as më shumë, me gjithë respektin e nevojshëm ky konstatim, punën e një kryetari komune.

Atij i duhet të interesohet për urën e fshatit, për ujësjellësin e kanalizimet, për ndihmën sociale dhe për sherret në familje duke harruar se si ligjvënës, ai duhet të punojë për të ngritur atë ngrehinë ligjmërie që do të zgjidhte problemet me urat, kanalizimet e varfërinë. Në Shqipëri, politika është bërë teatër, një teatër absurd me një distancë gjithmonë e më të frikshme mes votuesit dhe atij që votohet, mes zgjedhësit dhe atij që zgjidhet. Gjithmonë e më tepër e gjeja vetën jashtë këtij rrethi hipokrizie. Mund të qëndroja dhe të isha hipokrit, të ndjehesha i “nderuar”, i mikluar, i respektuar në këtë lloj distance, në këtë lloj kompromisi që politika bën me të vërtetën. Nuk e bëra. Bëra të kundërtën sepse po kuptoja që po humbisja pak nga pak veteveten.

Këto janë disa nga arsyet e mia. Pjesa tjetër, ajo që nuk më përket aspak, është përgjithësisht teori konspiracioni e llojit, ky i tha, ai i tha. Ndershmërisht dhe përfundimisht: doja të provoja veten, të riprezantohesha me veten, doja ta provoja veten në një hapësirë më të madhe se Tirana. Duke dalë prej saj, krejt papritur kuptova se bota është shumë më e madhe, qoftë dhe për ambicjet dhe dëshirat e mia të vogla. Që në thelb janë njerëzore. Janë normale. Që kapin një spektër që nis që nga vetvetja, tek femijet, njerëzit e dashur e përfundon deri tek të panjohurit.
 
Mos vallë largësia nga Tirana ju detyron të kridheni në këto kuturisje gjysëm intelektuale, gjysëm filozofike?

Më vjen keq që ma thua një gjë të tillë. Ndoshta largësia apo dhe e folura në Skype mund të krijojnë keqkuptime. Bashkë njihemi mirë dhe të lutem më beso, që flas ashtu siç mendoj. Pa frerë në gojë, pa prapamendimin se çfarë do të thonë të tjerët për atë që po them. Besoj se ai akt që bëra është vetëm një hap drejt rinjohjes së vetvetes. Duke u larguar vullnetarisht nga podiumi i politikës, siç është Kuvendi i Shqipërisë, dua të dëshmoj dhe distancën time me këtë lloj politike që bëhet në Tiranë. E dini si më ngjan ajo? Si ajo loja e vjetër që luanim në fëmijëri për forcën e krahut. Politika ende bëhet me muskuj dhe gjithmonë e më tepër po vihet në gjumë “muskuli” i trurit që kërkon dialog, komunikim, kompromis.  Megjithatë, politika kërkon të trajtohet edhe si sport.

Në politikë nuk mund të jesh i përjetshëm. Unë vetë, në mënyrë modeste, duke u larguar, kam dashur të jap edhe këtë mesazh. Kam frikë se shumë nga kolegët e mi, edhe brenda PS-së, e shohin mandatin e deputetit si vend pune. Sepse nuk dinë të bëjnë gjë tjetër në jetë. Ka shumë deputetë që e shohin politiken si kooperativë. Dhe këta të fundit janë ata që flasin më shumë kundër vetë PS-së. Një gjë duhet ta kemi të gjithë të qartë, askush nuk i ka dhënë asaj partie më shumë sesa është shpërblyer. Askush! Përkundrazi, ka shumë që ka marrë prej saj dhe nuk i ka dhënë pothuaj asgjë. Do emra? Ka shumë të tillë. Por kjo nuk është biseda e fundit që bëjmë apo jo? Njëherë tjetër, nëse më pyet, flasim edhe me emra.
 
Megjithatë, po insistoj sërish. Vendimi juaj ka të bëjë me marrëdhëniet tuaja me kryetarin e partisë suaj Edi Rama? Që nga zgjedhjet e 2009-ës, marrëdhëniet tuaja kanë pasur ulje-ngritje, keni qenë kritik me të, keni qenë miqësor me të.

Edhe njëherë si përherë. Po, është e vërtetë që me kryetarin Rama kemi pasur ulje-ngritje në raportin tonë politik, por kemi qenë tërësisht konstantë në dimension njerëzor. Edhe në ditët më të ashpra mes nesh mund të ketë pasur mosdakortësi politike të plotë, të thellë dhe shteruese, por    kishte njëkohësisht edhe një kafe njerëzore e miqësore në mes të tavolinës. T’i ndaj dhe njëherë këto gjëra. Në asnjë rrethanë, në asnjë moment nuk kam pasur asgjë personale kur kam formuluar kritika për çfarë nuk më ka pëlqyer në aksionin e tij politik. Te tjeret kane qene ata qe e kane kthyer ne plane personale.  Por dua të theksoj, edhe ato kritika duhet të rivendosen në kohën kur kanë ndodhur dhe për motivet që kanë ndodhur. Nuk mund të thuhet sot, dje ke qenë kritik me të! Unë nuk kam ndryshuar mendimin që kam pasur dikur, ashtu siç kam ndryshuar sot edhe unë, edhe Rama si individë. As njëri dhe as tjetri nuk jemi ata që kemi qenë vitin e kaluar apo qoftë edhe dje; nesër nuk do të jemi ata që jemi sot. Rama sot është shumë më i pjekur në politikë sesa ka qenë. Ndonjëherë mendoj se ajo që ndodhi në 2009-ën kur fitorja ishte kaq pranë PS-së, kishte, veç të tjerash, edhe një shkak tjetër që nuk ndodhi. Atëherë Rama nuk ishte i gatshëm për të qeveriste. I mungonte stërvitja që ka bërë këto tre vjet të tjera në opozitë. Sot është.
 
Largimi juaj është përfundimtar?

Nga kush, nga çfarë jam larguar? Unë nuk kam lindur deputet dhe as kam pasur ndonjëherë idenë se do ta mbyllja jetën me mandatin e deputetit në xhepin e xhaketës. Deri më sot, nuk jam rikthyer kurrë nga një derë që e kam mbyllur njëherë, por asnjëherë kur kam dalë nuk e kam përplasur derën. Le të themi që ky është momenti për të thënë një frazë shumë, shumë të konsumuar: kurrë mos thuaj kurrë! Rrethanat që na kushtëzojnë jetën jo gjithmonë janë nën kontrollin e individit, por gjithashtu, nuk kam dashur kurrë të jem një individ i kontrolluar nga rrethanat.
 
Si e shihni gjendjen në partinë tuaj, është ajo ashtu siç e keni menduar deri dhe një vit më parë kur e shihnit në mënyrë kritike?

 Një vit në jetë ndodh që të jetë vërtetë shumë. Një vit është shumë edhe në rrjedhën e ngjarjeve në politikë. Në këtë vit që ju i referoheni, po jua përsëris, kam ndryshuar edhe unë, edhe kryetari. Shumë miq të mitë gjithashtu kanë ndryshuar. Për mirë apo për keq. Ajo që më lëndon është se jo thjesht në PS, por kudo në politikë dhe më gjerë akoma në shoqërinë shqiptare, mbizotëron filozofia e servilit. Filozofia e qengjit që urtë e butë nuk i ndan buzët nga burimi i qumështit. Mendoj se politika duhet parë si refleks i gjithë çfarë ndodh në vend, refleks i situatës që jeton gjithë shoqëria shqiptare. Shihni çfarë kundërshtie dhe shpesh helmi të pafundëm derdhin shqiptarët mbi politikanët në blogje kur fshihen mbas anonimatit. Dhe janë po këta që bëjnë fushatat e politikanëve, që sakrifikojnë për një buzëqeshje të tyre, e cila konvertohet në një vend pune, në një mundësi për të fituar para apo për hynere të tjera. Për mua është bërë e padurueshme distanca mes politikës dhe qytetarit që në kohë fushate duket sikur zhduket dhe politikani puth e përqafon gjithkënd që i del përpara sikur ta ketë minimumi kushëri të parë.

Ta përmenda më parë fjalën hipokrizi? Po ta them sërish: nuk dua të jem pjesë e hipokrizisë. Më mirë një e vërtetë e dhembshme sesa një gënjeshtër e paketuar me letër varaku dhe një fjongo sipër, qoftë rozë, qoftë blu. Vini re dhe këtu nuk bën askush përjashtim: kur një politikan ndodhet afër me kryetarin e partisë, e lavdëron atë nga mëngjezi në mbrëmje, kur marrëdhëniet e tyre thyhen, atëherë kryetari shndërrohet në njeri të lig. Shpresoj shumë t’i kem shpëtuar kësaj skeme, ikja ishte dhe një mundësi më shumë për t’i qëndruar larg asaj.
 
Për simetri të pyetjeve, po PD-ja?

Ah, kjo është histori e gjatë. Nuk do të mbaroja po të nisja të flisja. Shikoni, komunistët e 44-ës, ishin fitimtarë të luftës. Kishin premtuar ndërtimin e një shoqërie të re, ishin aleatë të angloamerikanëve e kështu me rradhë. Shpejt ata në pushtet u shndërruan në një lloj pushtuesi të vendit. U sollën si pushtues që edhe ndërton, edhe pushkaton. Ishin komunistët që ndërtuan sistemin apo ishte sistemi që i denatyroi ata, kjo është histori tjetër. Edhe PD-ja, në krijimin e saj, u shfaq si një forcë që do të ishte antiteza e asaj çfarë bënë keq komunistët në gjysmë shekulli. Por sot, heqja e paraleleve nuk është ndonjë punë e vështirë.

Njëlloj siç nuk është e vështirë të hiqen paralele mes mes kujtdo që ka qenë në pushtet në atdheun tonë.  Kryesisht në të njëjtin gjakim të pandalshëm për pushtetin dhe me pushtetin. Ne shqiptarët kemi një aftësi tragjike për të ripërsëritur gabimet e të shkuarës. Ndoshta edhe ne duhet të mbyllim atë cikël që perëndimi e ka kryer më kohë. Sot, Shqipëria është formalisht në një sistem demokratik. Ka liri fjale, besimi, inisiative të lirë. Ka treg dhe pluralizëm, por në thelb, nuk ka ndryshuar gjë e madhe nga e shkuara komuniste. Sepse ka gojë që flasin, por jo veshë që dëgjojnë, ka një parti në pushtet e të tjera në opozitë, por ka besnikë të së parës që shpërblehen me inisiativë të lirë, me sipërmarrje dhe militantë të së dytës që konsiderohen si armiq. Ajo parti dhe dje dhe sot ka fytyrën e Berishës. E kujtoni portretin e Doktorit kur hyri në politikë?

Sot ka më shumë rrudha se atëherë por është dhe shumë më i sofistikuar. Edhe ai është bërë një produkt PR-i. Nga ana tjetër, Berisha padyshim është politikani që ka mësuar më shumë se kushdo tjetër në këto vite nga ky art, nga arti i të bërit politikë. Po të jap një shembull personal, ishte nga të parët kolegë në politikë që më uroi lindjen e tim biri dhe nga të parët që më telefonoi kur lashë mandatin. E bëri nga ndonjë ndjenjë e veçantë për mua? Jo! Besoj se në të gjitha daljet e mia publike, në editoriale a intervista, kam qenë një nga opozitarët më të ashpër ndaj tij. Por, edhe në këtë rast, ai më dëshmoi se politikëbërja, ngrihet mbi emocionet e çastit, bindjet e palëvizshme dhe që në fund të fundit, reduktohet në komunikim.
 
Shoh se fole më gjatë për Berishën sesa për Ramën.

Sepse ka një diferencë të dukshme. Me Berishën mund të komunikoj nëpërmjet jush, me Ramën komunikoj sy ndër sy. Pastaj është më e udhës të flitet për kundërshtarin që të njihet edhe më mirë. Pa asnjë fyerje, po përdor dhe unë termin që më ngjan më përcaktues për Berishën: është një kafshë politike. Dhe duhet respektuar për vullnetin e egër që ka. Mendoj se për ta mundur – dhe ai do të mundet në qershorin e ardhshëm – duhet të nisemi pikërisht nga ky respekt politik.  Ai nuk do të humbë vetë. Ai nuk është i ngopur me pushtetin. Ka po aq arsye vetjake ta mbajë pushtetin në 2013-ën, sa ç’kishte arsye po vetjake ta merrte atë në 2005-ën. Kush mendon se do të ikë vetë, ose është naiv, ose “voton” për të.
 
Mund të hidhni një vështrim të shpejtë mbi vendin në këtë 100 vjetor pavarësie? Mendoni se vendi është ai që mendohej se do të bëhej në nëntorin e largët të 1912?

Eshtë shumë kjo që më kërkon sepse nuk kam një përgjigje shteruese. Ne kemi ëndërruar shumë dhe fatkeqësisht në mënyrë modeste. Për shembull dikur një shqiptar maksimumin e ëndrrës e kishte të kishte ushqim të mjaftueshëm tre herë në ditë. Pastaj ëndërronte të kishte një apartament një dhomë e guzhinë ku të mos mungonte televizori e frigoriferi, pastaj të bënte shkollën e lartë e të ishte i emëruar në Tiranë, shpesh ëndërronte të mos e “kapte lapsi” për të përfunduar në Spaç e Burrel, pastaj e pastaj të kishte Mercedes, hapësirë të bollshme në banimi në Bllok e vilë në plazh e kështu me rradhë. Ka progres padyshim, por në asnjë rrethanë Shqipëria nuk është vendi që do të duhej të ishte. Ka shumë zigzage në rrugën e historisë sonë, të shkaktuara sa nga fataliteti i të qenit vend i vogël e po aq të shkaktuara nga vetë shqiptarët. Do të veçoja vetëm dy dhurata të jashtëzakonshme të Perëndisë për Shqipërinë. Diellin dhe ujrat.

Nuk i vemë re sepse nuk na kanë munguar ndonjëherë. Për diellin kujtohemi vetëm në dimër kur secili i bën derman vetë mënyrës sesi duhet të ngrohet. Për ujin kujtohemi vetëm kur në të njëjtën mënyrë na thahen rubinetat dhe mbushim taracat e pallateve individualisht me rezervuarë uji. Eshtë një nga shpikjet më absurde tek e cila na ka çuar e keqja. Lamë pas antenat e TV-ve dhe fituam cisternat. Mendoni vetëm një çast sikur gjithë ato para të shpenzuara individualisht të ishin kanalizuar në një shpenzim të përbashkët publik për të ndrequr ujësjellësat. Ja pra, ju thashë çfarë mendoj se nuk shkon në atdhe: ka shumë shpesh individë të fortë, por që nuk dinë të krijojnë grup, nuk dinë të krijojnë ekip. Po deshe, merre këtë fjali të fundit edhe si një nga mëkatet e politikës së sotme e të djeshme në vend.
 
Përmendët diellin dhe ujin e atdheut, si po të duket uragani Sandy në SHBA?

Atëherë për të bërë një krahasim dhe për të dhënë një përgjigje indirekte. Uragani është një e keqe që i bën amerikanët të bashkohen. Edhe ne shqiptarët, kryesisht na bashkon e keqja. Ne bëhemi bashkë në funerale, por nxjerrim armët në dasma. Këtu, uragani po i bashkon amerikanët. Eshtë një situatë gati ireale. Fëmijët kanë mbetur në shkolla, diku mungon energjia, nuk ka benzinë në stacione. Por gjithkush e di që gjithçka do të rregullohet. Sepse amerikanët e dinë më mirë se kushdo tjetër punën në ekip.
 
Të mungon Tirana?

Kam udhëtuar gjatë dhe shpesh. Secili, edhe kur është larg e merr  nje copë atdheu me vete. Unë në përgjithësi nuk besoj shumë në slogane patriotike, të kohës së Rilindjes, kur Naimi, për shembull, fliste për baltë me shije mjalti ndërkohë që pinte çaj aromatik në Stamboll. T’ju jap një shembull tjetër. Në Tiranë miqtë më ankoheshin në lokal se kaloja shumë kohë në telefon. Këtu në SHBA flas tre herë më shumë, por paguaj tre herë më pak.
 
Me çfarë do të merreni në SHBA?

Mendoni se dikujt nga lexuesit tuaj do të interesonte ta dinte një gjë të tillë? Unë jam një nga qindra mijëra shqiptarët që po kërkoj të ndërtoj fatin tim jashtë vendit. Dua që të bind dhe veten se suksesi modest që kam arritur në jetë është vetëm imi dhe jo, si shumë të tjerë, që ja dedikojnë politikës dhe afërsisë me të.
 
Dhe si e shihni këtë fat personal jashtë vendit?

Kam punuar shumë që i ri. Sot kam shumë më tepër eksperiencë duke nisur që nga sistemi bankar, tek menaxhimi i një koorporate shumë komplekse si KESH-i e për të përfunduar tek politika. Në planet e mia është ngritja e një kompanie ndërtimi. Eshtë një projekt që e kam menduar gjatë dhe hapat konkretë i kam hedhur prej kohësh. Së bashkë me një mikun tim të vjetër e të ri do të merremi me ndërtimtari. Çfarë? Do të ndërtojmë! Ku? Në Manhaten. I bëra vetë edhe pyetjet, edhe përgjigjet, siç e sheh. Më besoni, ndoshta nuk ka asnjë vend tjetër në botë si SHBA-ja ku çfarë duket e pamundur, mund të realizohet duke pasur besim, forcë, ide, vullnet, por dhe kontaktet e duhura dhe pak fat. Mendoj se fati nuk më ka munguar në jetë edhe pse shpesh jam ngritur kundër tij, edhe pse shumë shpesh kam qenë kryeneç ndaj tij kur më ka marrë me shpulla. Madje, ndonjëherë, edhe i kam kthyer dorë!
 
Si e shihni nga jashtë fatin politik të Shqipërisë në zgjedhjet e vitit 2013?

Besoj, uroj, shpresoj dhe do të punoj sa të mundem që këto zgjedhje të fitohen nga shqiptarët. E them këtë pa pasur frikë se mund të duket kjo fjali si slogan. Sepse duke thënë që dua të fitojnë shqiptarët, jam i bindur se ata fitojnë duke fituar PS-ja. PS-ja e vërtetë, jo ajo pjesë e saj që bën pazare. Fitojnë duke triumfuar PS-ja që do të dëshmojë se çfarë di të bëjë më mirë dhe jo ajo pjesë e saj që ka duart pis nga e shkuara në qeverisje apo që i ka bërë duart pis në këto shtatë vjet duke nxirrë edhe ato pak punë të mbara që ka bërë qeveria aktuale.

Artikujt e fundit


Reklama

Reklama