Andrea Grill dhe romani i saj per shqiptaret

Andrea Grill dhe romani i saj per shqiptaret
"Ose mësohesh që herët, ose nuk mësohesh dot më kurrë të mos iu trembesh kufijve - kishte thënë gjyshi yt. Dhe nuk është diçka që e harron lehtë. Te ti e dallon që vendi yt s'ka kufij - më ke thënë në një nga ditët e para sapo të kisha njohur. Sa fat që ke, një fat pulsues e vezullues, që të ndriçon rrugën ngado të shkosh. Çfarëdo që të bëjnë më vonë me ty, nuk ta heqin dot ndjesinë e mospasjes së kufijve - kishte thënë ai."

Me këto fraza dramatike fillon romani "Qaj e qesh" i shkrimtares austriake Andrea Grill, roman që në tërësinë e vet, edhe pse nuk tematizon thjesht historinë e një dashurie, rrëfen aventurën midis dy të rinjve, një emigranti shqiptar dhe një vajze të re austriake, pothuajse adoleshente, që për shkak të kuriozitetit, shpirtit të aventurës dhe joshjes nga e panjohura përfshihet në një histori, që e ke vështirë ta definosh nëse është histori dashurie, aventurë e provokuar nga kureshtja dhe habia para një bote të panjohur, apo një pëlqim që nuk arrin të shndërrohet në dashuri të njëmendët.

Historia e rrëfyer në roman "është në të vërtetë diçka më shumë", sepse "ne u rritem bashkë", shkruan autorja, duke iu referuar dy protagonistëve të romanit të saj: vajzës së re austriake dhe djaloshit shqiptar me emrin Galip (Fitimtar - që vetëm fitimtar nuk është!) sepse në këtë jetë nuk vijmë për të qenë as fitimtarë dhe as heronj, po thjesht qenie njerëzore që jetojnë jetët e tyre.

Dallimi i parë, esencial midis dy të rinjve theksohet që në frazën e parë të romanit, kur autorja shkruan se "Ose mësohesh që herët ose nuk mësohesh dot kurrë të mos iu trembesh kufijve." Kjo frikë nga kufijtë është dhe mallkimi që e ndjek histiorinë, e bën atë dramatike dhe komike njëkohësisht, duke sjellë fundin e saj të pashmangshëm.

Djaloshi Galip edhe pse ngjan me një yll roku, vjen nga një botë me kufij të frikshëm, që për dekada me radhë, nuk kanë kushtëzuar thjesht izolimin gjeografik të një shteti absurd, po kanë diktuar edhe kufij brenda shpirtit njerëzor kapërcimi i të cilëve është po aq i frikshëm, sa kapërcimi i kufijve shtetërorë, të ruajtur me tela me gjemba, breza "të butë" vdekjesjellës dhe karakollë të mbushur me ushtarë vrasës.

Janë këto kufij shpirtërorë të ngritur pandjeshëm në shpirtin e të riut shqiptar, që e bëjnë marrëdhënien herë komike e herë dramatike, që e ndrydhin historinë e dashurisë, e ligështojnë, e shndërrojnë atë në një barrë të mundimshme, sa secili prej të dy protagonistëve, përpiqet ta shkarkojë diku e të çlirohet prej saj.

"Po të shkruaj ty i dashur, dhe po kapërcej kështu kufirin e ndërtuar dhe ruajtur me kujdes nga ti në rrjedhën e këtyre viteve", shkruan autorja. Dhe këtë autorja e shkruan nga pozitat e vajzës austriake, që duke mos patur kufij brenda vetes, merr përsipër të tregojë jetën e tjetrit, ashtu siç ajo e njeh, ashtu siç ajo është konservuar në memorien e saj. Problemi i kufijve, i mureve, jo vetëm shtetëror po edhe brenda nesh, është një problem i vjetër njerëzor, një problem i lashtë i qytetërimit. Më shumë se njëqind vjet më parë, në vitin 1896, poeti grek Konstadin Kavafis në poezinë e tij të famshme "Muret" ka shkruar:

Whith no consideration, no pity, no shame
They've built walls around me, thick and high".

Autorja, duke shembur muret në rrëfimin e saj, duke shembur kufijtë midis "Asaj dhe Atij", po ndërkaq edhe gjithë kufijtë e tjerë kulturorë, etno-psikologjikë, nacionalë, arrin të ndërtojë një histori dhe një portret, jo vetëm të ish të dashurit dhe ish-bashkëshortit, por edhe të Shqipërisë e të shqiptarëve, që pas viteve nëntëdhjetë, me shembjen e kufijve politikë dhe shtetërorë, u ballafaquan me Perëndimin e ëndërruar, me qytetërimin europian, që në shpirtrat e njerëzve kishte mbijetuar si një iluzion, i përkryer në procesin e idealizimit të vazhduar, por që gjithashtu kishte shërbyer edhe si faktor mbijetese në epokën e errët të diktaturës.

Objekt të tematizimit të romanit është i riu shqiptar, që pas tri përpjekjeve të dështuara, në përpjekjen e katërt arrin të kalojë kufijtë dhe të mbërrijë në tokën e ëndërruar, në atë tokë ku dhe gjyshi i tij pati marrë arsimimin dhe diçka prej kulturës europiane dhe ku djaloshi Galip priste të realizonte ëndrrën e tij. Por në shtetin e huaj ai ballafaqohet edhe me zhgënjimin e parë, sepse kjo botë iluzive dhe shkëlqyese nga jashtë, nuk është aq miqësore dhe aq mikpritëse sa ç'është përfytyruar.

Përkundrazi, Europa, e sapoçliruar nga ankthi i luftës së ftohtë, nuk ndjehet përgjegjëse për dramën lindore, edhe pse kërkon të jetë në rregull me ndërgjegjen e vet: përpiqet ta lehtësojë disi dramën e individëve nga Lindja që kanë braktisur vendet e tyre dhe ikin nga sytë këmbët në kërkim të ëndrrës europiane.

Skena melodramatike, kur i riu shqiptar kërcënon se do të hidhet nga ura, nëse e kthejnë mbrapsht andej nga ka ardhur, nuk trondit gjykatësit e ftohtë, as zyrtarët e akullt të shtetit, por e nxit adoleshenten austriake t'i afrohet më pas dhe t'i lërë në dorë një kartëvizitë me numrin e telefonit, edhe pse gjatë skenës, asaj më shumë i ka tërhequr vëmendjen një emigrant rus, që as kujtohet t'i hedhë sytë vajzës që e vështron me zemër të dridhur. Çfarë ka menduar vajza e re austriake kur i riu shqiptar Dalip, kërcënonte se "së shpejti" do të hidhej nga ura?

"Së shpejti. Kur është së shpejti? Kur ndodh së shpejti? Nga ura drejt e në lumë, - the. Unë të dhashë numrin tim të telefonit, që të mund të më telefonoje. E pastaj do të vija, të të jepja lamtumirën duke të përshëndetur me dorë", shkruan Grill.

Duket si një qëndrim cinik i një çasti dramatik, por më pas ndërgjegjja e saj alarmohet, paprimtas zgjohen ndjenja të çuditshme, që kristianizmi i ka ngulitur thellë në ndërgjegjen e Europës së vjetër me doktrinën e vet të "Shpëtimtarit", madje edhe kur ky qytetar europian nuk është një besimtar tradicionalist. Autorja nga ana e vet mban një qëndrim disi më egoist çka në të vërtetë shpreh qartë mentalitetin e sotëm të Europës.

"Por nga kush donim t'ju shpëtonim? Pyetje me vend kjo. Pikësëpari, donim të shpëtonim veten nga vrasja e ndërgjegjes, nëse nuk do t'ia dilnim dot t'ju shpëtonim", shkruan Andrea Grill në romanin e saj.

Nga ky moment fillon dhe historia e rrëfyer në roman, i shkruar në formë letrash të gjata për ish-të dashurin dhe ish-bashkëshortin shqiptar, një martesë e kushtëzuar nga rrethanat dhe përpjekja për të ndihmuar njeriun e dashur që të realizojë ëndrrën e tij: të bëhet shtetas austriak. Por në ditën e martesës, atëherë kur çiftet e dashuruar betohen për përjetësi, vjen edhe paralajmërimi shokues: kjo martesë nuk duhet të krijojë iluzione.

Dhe në fakt kjo martesë shpërbëhet në çastin kur Galipi më në fund merr në dorë pasaportën austriake, në çastin kur ai bëhet shtetas i lirë i Europës së lirë, i Europës pa kufij.

Romani "Qaj dhe qesh" i Andrea Grill është ndarë në tri pjesë: në dy pjesët e para autorja rrëfen historinë me referenca të fuqishme në realitet, aq sa vetë romani ngjan me një metafiksion, ndërsa në pjesën e tretë kemi një kapitull të shkruar në formë letre me autor Galipin, personazhin shqiptar të romanit, kapitull që provon se në fund të fundit të gjithë jemi njerëz dhe pavarësisht diferencave, ndryshimeve etnokulturore e socio-politike, prapë duhet ta vlerësojmë e ta çmojmë njëri-tjetrin si njerëz.

Romani është kompozuar në formë kapitujsh të shkruar në vende të ndryshme, që autorja i përdor si pika referencialiteti: një manastir në Suedi, Hotel Grand në Upsala, apo edhe nga një garsonierë, ku autorja jeton me qira në Gjenovë.

Kjo diferencë gjeografike në një farë mënyre bën dhe diferencën midis kapitujve të romanit, midis versioneve me të cilat rrëfehet historia, sepse nuk mund të rrëfesh njësoj, me të njëjtën dritë, me të njëjtat ngjyra e me të njëjtin ritëm nga oda e vetmuar e një manastiri të lashtë që përdoret si hotel, siç rrëfehet nga një dhomë luksoze e Hotelit Grand në Upsala apo nga garsionera e ngushtë me fqinjin problematik që bën jetën e tij si një i huaj pa dashur t'ia dijë se kush jeton në banesën ngjitur, pa dashur t'ia dijë se e kujt është koka që shfaqet në dritaren që bije mbi oborrin e tij. Ky diversitet gjeografik pozicionesh në hartë, duket se ka imponuar edhe diversitetin e shkrimit të historisë, diversitetin e vështrimeve të realitetit në roman që në fund të fundit definohet me shtrimin e një serie pyetjesh dramatike: Kush jemi ne, kush jam unë dhe kush je ti?

Autorja, duke rrëfyer me një stil të lirshëm dhe nëpërmjet një faktografie të pasur, të kujton deri diku romanet e Amos Oz, në veçanti romanin "Majkëlli im" që e projekton historinë nëpërmjet fakteve të zakonshme e në dukë të rëndomtë, por që në të vërtetë janë elemente dominues të historisë së çdo jete njerëzore.

Dhe mjeshtëria e shkrimit është që të rrëfesh historinë e zakonshme në mënyrë të jashtëzakontë, të çrëndomësosh realitetin e rëndomtë, të shndërrosh faktin jetësor në fakt artistik, përvojën jetësore në realitet estetik.

Gjatë leximit të këtij Romani, vazhdimisht të imponohet pyetja: ku është kufiri midis dokumentit dhe tekstit artistik, faktografisë dhe fiksionit, botës reale dhe imagjinatës? Mirëpo në kërkim të përgjigjes për këtë pyetje, ndërsa lexoja romanin, dallon menjëherë aftësinë e shkrimtares, që siç ndodh në çdo krijim artistik të mirëfilltë, i absorbon të gjitha përvojat jetësore dhe i transformon ato në faktografi artistike, çka përbën dhe një vlerë të dukshme, një vlerë të cilësuar të këtij romani.

Grill ia ka dalë më së miri këtij misioni të vështirë të krijimit artistik, duke na dhuruar ne lexuesve të saj një roman që lexohet me kuriozitet dhe kënaqësi deri në fjalinë e fundit. Në veçanti nga ne që jemi shqiptarë e që nëpërmjet historisë së Galipit gjejmë të rrëfyer historinë tonë moderne, dramat tona ekzistenciale, strukturën tonë mentale, vizionet dhe ndjeshmëritë tona, trashëgiminë tonë pozitive dhe negative, anët komike dhe dramatike të karakterit tonë - të gjitha këto të shkruara pa mendjemadhësinë dhe arrogancën tonë tipike, por me thjeshtësinë, dashurinë dhe inteligjencën e një shkrimtareje që me të vërtetë i çmon dhe i do shqiptarët dhe falë kësaj dashurie ju dhuron atyre njërin prej romaneve të saj më të bukur.

Artikujt e fundit


Reklama

Reklama