Ikona e Gjermanisë, akualisht trajner i porterëve në Kombëtare, Andreas Këpke, ka analizuar duelin e çerekfinaleve kundër Italisë. Ai nuk pret surpriza në këtë sfidë, edhe pse ka pranuar që janë përgatitur për gjuajtjet e penalltive. Sipas tij, janë informuar se kush prej kundërshtarëve do gjuajnë 11- metërshat nëse 120 minutat përfundojnë në barazim, edhe pse uron që të mos jenë të nevojshme. Ndërkohë, ka refuzuar që të bëjë diferencime midis dy gardianëve, Bufon e Nojer, pasi i vlerëson si më të mirët e kompeticionit...
Si e pret Gjermania ndeshjen kundër Italisë?
Jemi në humor të mirë. E dimë rëndësinë e saj, por nuk mendoj se ka arsye për të qenë nën presion. Futbollistët janë në formë të mirë fizike. Vetëm Hektor ka pasur një shqetësim, por që nuk mendoj se është diçka serioze. Kemi luajtur shpeshherë kundër Italisë dhe nuk mendoj se do ketë surpriza.
Cili është më i mirë midis Nojerit dhe Bufonit?
Të dy janë portierë të nivelit maksimal, më të mirët e turneut. Ata komandojnë mbrojtjen dhe janë dy figura të rëndësishme në secilën skuadër. Dua t'i ngre kapelën Xhixhit për qetësinë që transmeton duke ditur që është diçka mjaft e rëndësishme për shokët e ekipit. Manuel Nojer e interpreton lojën ndryshe, ndaj është e vështirë t'i krahasosh. Të them të drejtën, nuk besoj në renditje futbollistësh.
Si është të punosh me Manuel Nojerin?
Ai dëshiron që të përmirësohet gjatë gjithë kohës. Gjithnjë ka detaje që duhen përmirësuar, sado futbollist i mirë të jesh. Manuel bën gjithnjë autokritikë pas çdo ndeshjeje.
E keni menduar skenarin që ndeshja kundër Italisë të shkojë me penallti?
Ne do jemi plotësisht të përgatitur nëse shkon me penallti. Kemi informacion se kush do jenë futbollistët që do gjuajnë 11-metërshat për Italinë. Gjithsesi, nuk kemi pasur gjuajtje të penalltive që prej vitit 2006 dhe do isha i lumtur që të mos ishte e nevojshme edhe të shtunën.
Cilët do përzgjidheshin nga Gjermania për të ekzekutuar 11-metërshat nëse 120 minutat mbyllen në barazim?
Nuk ka shumë për të fshehur. Ka dy apo tre që janë të vendosur, ndërsa të tjerët mund të zgjidhen mes lojtarëve ose në varësi të ecurisë së ndeshjes. Unë nuk jam i mendimit që ekzekutuesit e penalltive duhet të mbahen sekret. Është një moment shumë i ndërlikuar, për të menduar se ke parashikuar saktë se si mund të gjuajnë.
Gjermania ka vuajtur me Italinë në ndeshje zyrtare...
Ne kemi lojtarë që kanë luajtur kundër tyre edhe në vitin 2012, ndaj e dimë se çfarë na pret. Mendoj se është momenti i duhur për të fituar, pa u kushtuar rëndësi statistikave.
Ju ndodh ta kujtoni shpesh "Golden goal" të vitit 1996?
Është një histori që na jep shumë kënaqësi, por edhe gjithçka që na bashkon. Fakti që ishim kompakt na bëri kampionë të Europës.