Mjeda, Migjeni, Kuteli dhe Kadareja "rrëfehen" këtë herë në kinema "Agimi", duke e zgjuar hapësirën e fjetur që pas viteve '90 shërbeu si hapësirë "erotike" dhe "filmash për arte marciale".
"Andrra e jetës" vjen në skenën teatrale e zbërthyer në personazhe, (Trina, Zoga dhe Lokja), në elementë vizualë, "të përshtatur mes një kohe të shkuar dhe të tashme".
Një "andërr" që ka shumë dhimbje, mjerim dhe... mjegull. Mjegull për gjendjen e përgjumjes së varfërisë, mjegull për "pafuqishmërinë".
"Jetojmë edhe sot në një ambient ku nuk mungon varfëria. Ku ka njerëz të izoluar pa mbështetje dhe në varfëri, deri atje sa nuk kanë as për të ngrënë. Ka aktualitet", shprehet regjisori Kaca, duke shpjeguar pse zgjodhi Mjedën në teatralizimin e tij, si ka punuar me vargjet e tij dhe si "ka shkrirë" në një autorët, pavarësisht të veçantave të tyre. "Gjithë puna me Mjedën ka qenë vizuale dhe muzikale. Janë përzgjedhur elementë vizualë nga poema "Andrra e jetës". Është aq e pasur gjuha e këtij poeti me të cilin kam përshtypje se ka ndodhur njëlloj si me Lasgush Poradecin në kohën e Hoxhës. Askush nuk e di është gjallë apo i vdekur një poet si Mjeda, askush nuk e di çfarë poeti ka qenë. E njohin vetëm ata që merren me letërsinë", vijon Kaca, ndërsa shton se duhen hedhur më tepër sytë te ato që i quajmë gjuhë apo hapësira "të vdekura". Në fund të fundit, aty do të gjejmë atë që lidhet me gjenezën, aty do të komunikojmë me tradicionalen tonë të pastër...
Mjerimi bëhet më i lehtë atëherë kur e njeh. Kur nuk ke frikë "të rrëmosh" brenda tij për të njohur të vërtetën.
Rovena Lule, Loredana Gjeçi, Adelina Muça, Orjon Halili, Esmeralda Metka, Armela Demaj, janë aktorët e rinj që interpretojnë në "Andrra e Jetës", vënia skenike e së cilës është mbështetur nga Teatri i Metropolit dhe Kiço Londo.
Pas "Udhëtimet e Lizës" ju shfaqni për publikun, po në këtë linjë por me elementë të ndryshuar, një tjetër pjesë teatrale, "Andrra e jetës". Në ç'formë vjen poezia këtë herë?
Liza fillonte e dhunshme, pak lart dhe vazhdonte pjesa. Kishte nevojë për pak anë poetike. Mënyra e ndërtimit këtu bëhet më e butë. E bën të tillë muzikaliteti i vargut, pasuria gjuhësore. Edhe Migjeni, edhe Kuteli kanë tekste të pasura nga ana gjuhësore. Ajo çfarë "tërheq" është gjuha tradicionale shqiptare. Janë zgjedhur shumë elementë vizualë. Nga ana vizuale dhe muzikale, Mjeda është shumë i pasur. Nga ana poetike ai është po ashtu i tillë, veçse ka ngelur pak në hije si Lasgush Poradeci në kohën e Hoxhës. Mjeda është poetik. Kam punuar me poezinë e tij, një poetikë me imazhe.
Përveç këtyre, pse Mjeda?
U punua duke pasur ndjesi të anës sociale; në një ambient ku nuk mungon varfëria, ku ka njerëz të izoluar pa mbështetje dhe në varfëri, deri atje sa nuk kanë as për të ngrënë. Ka aktualitet. Edhe sot, ashtu si në kohën e Mjedës, gjen fshatin me tym e shtëpi të varfra. Është një formë e çuditshme ku jetojmë, e ndërthurur mes së kaluarës dhe të tashmes. Nuk mungon as natyra poetike e vendit, puna muzikore nëpërmjet peizazhit.
Ju e vendosni pjesë në hapësirat e kinema "Agimit", që hap dyert e saj për aktivitet artistik pas tetë vjetësh. Pse pikërisht në këtë ambient?
Doja të ishte një hapësirë e tillë. Për Lizën shfaqja ishte një shtrirje nga ana gjeografike. Njerëzit pyesin ç'bëhet tek kjo kinema, a vazhdon të funksionojë. Është folur se s'ka salla të teatrit. Synimi është të shfrytëzohen hapësirat e vdekura urbane. Këto hapësira nuk shfrytëzohen jo se s'dinë apo s'duan. Gjithë problemi është se institucionet që i kanë në varësi ambiente të tilla publike të krijojnë shanse t'i shfrytëzojnë të rinjtë.
Ku do të "prezantoheni" më tej me "Andrra e Jetës", pas shfaqjes në këtë kinema?
Shfaqja do të vijojë edhe sot dhe më 1 maj dhe do të shëtisë më tej në tumat e Kamenicës, Muzeun Etnografik të Beratit, kalanë e Gjirokastrës, pikërisht në ato vende ku ka "fije" kulture tradicionale.
Bisedoi: Blerina Goce : Gazeta Metropol