Kryetari i Bashkisë së Vlorës, Shpëtim Gjika, i akuzuar nga prokuroria për falsifikimin e dy vendimeve të KRRT-së, të cilat janë përdorur për dhënien e dy lejeve të ndërtimit, do të jetë i vetëm në përballjen me drejtësinë. Të gjithë zyrtarët pjesëmarrës në mbledhjet e datës 24.03.2010 dhe 15.07.2010 të KRRT-së, kanë deklaruar në prokurori se në këto dy mbledhje nuk është diskutuar asnjë propozim për leje ndërtimi.
Ky fakt pohohet zyrtarisht nga Prokuroria e Vlorës, e cila në akuzën e ngritur ndaj kryebashkiakut Gjika dhe shtatë personave të tjerë, një nga provat që paraqet janë edhe dëshmitë e anëtarëve të KRRT-së dhe zyrtarëve të Bashkisë Vlorë. Sipas prokurorisë mësohet se pas sekuestrimit të dokumenteve që tregonin se lejet e ndërtimit ishin dhënë një vit përpara se pronarët e tokës të fitonin të drejtën e pronësisë, janë marrë në pyetje të gjithë personat që kanë marrë pjesë në dy mbledhjet e KRRT-së. Një prej tyre, drejtori i departamentit të Urbanistikës në Bashkinë Vlorë, njëkohësisht edhe anëtar i Këshillit Teknik të KRRT-së në vitin 2010, ka mohuar në mënyrë kategorike në prokurori se në mbledhje janë diskutuar propozime për miratimin e sheshit dhe lejes së ndërtimit.
“Drejtori i Departamentit të Urbanistikës në Bashkinë Vlorë, njëkohësisht anëtar i Këshillit Teknik dhe KRRT-së në vitin 2010, ka shpjeguar se miratimi i studimit urbanistik pjesor për lagjen “29 Nëntori” Vlorë, si dhe kërkesa për shesh dhe për leje ndërtimi me pronar trualli Mustafa Tartari, Aleks Ahmataj dhe Artan Ferati, me subjekt ndërtues shoqërinë “Deco System” sh.p.k, nuk janë marrë në shqyrtim në mbledhjen e KRRT-së, si dhe nuk është shqyrtuar në Këshillin Teknik”,- thuhet në dosjen e prokurorisë. Pas tij, për llogari të hetimit janë pyetur edhe anëtarët e KRRT-së që kanë marrë pjesë në mbledhjen e datës 15 korrik 2010, ku sipas dokumentacionit rezulton se është miratuar sheshi dhe leja e ndërtimit për një pallat 13-katësh në bulevardin kryesor në qytetit të Vlorës, në një zonë që ishte përcaktuar si e gjelbër në planin rregullues të qytetit. “Anëtarë të KRRT-së që kanë marrë pjesë në mbledhjen e datës 15.07.2010, kanë shpjeguar se miratimi i studimit urbanistik pjesor për lagjen “29 Nëntori” Vlorë, si dhe kërkesa për shesh dhe për leje ndërtimi me pronar trualli Mustafa Tartari, Aleks Ahmataj dhe Artan Ferati,, me subjekt ndërtues shoqëria “Deco System” sh.p.k, nuk janë marrë në shqyrtim në këtë mbledhje të KRRT-së”,- thuhet në dosjen e prokurorisë.
Të njëjtën gjë kanë pohuar në prokurori edhe personat që kanë qenë anëtarë të Këshillit Teknik në Bashkinë Vlorë, të cilët kanë deklaruar se ky organ nuk ka shqyrtuar asnjë kërkesë për leje dhe shesh ndërtimi për pallatin 13-katësh në bulevardin kryesor të qytetit. E njëjta procedurë është ndjekur nga prokuroria edhe për pallatin e dytë që është ndërtuar në brendësi të territorit të Portit të Vlorës, ku zyrtarët e KRRT-së, si dhe anëtarët e Këshillit Teknik nuk kanë marrë në shqyrtim asnjë propozim për miratimin e sheshit dhe lejes së ndërtimit për godinën e banimit 2-6 kate plus papafingo. Sipas prokurorisë, këto dëshmi dhe provat shkresore të sekuestruara gjatë hetimit tregojnë se kryetari i Bashkisë Vlorë, në cilësinë e kreut të KRRT-së ka paraqitur të dhëna të rreme në dy vendimet e KRRT-së në bazë të të cilave ka miratuar dy leje ndërtimi për dy objekte banimi një vit përpara se pronarët e tokës të merrnin certifikatën e pronësisë.
Prokuroria: Dy lejet e ndërtimit janë shkruar nga Eleni Dardhaj
Në kërkesën për gjykim që tashmë i është përcjellë Gjykatës së Vlorës, prokuroria e këtij rrethi sqaron edhe pozicionin e të pandehurës Eleni Dardhaj, e cila akuzohet për falsifikim dokumentesh, kryer në bashkëpunim. Sipas prokurorisë, e pandehura ka qenë punonjëse në Drejtorinë e Planifikimit të Territorit pranë Bashkisë Vlorë, aty ku dyshohet se është bërë falsifikimi i të dhënave në përmbajtjen e vendimeve të KRRT-së. Për të përcaktuar se në cilin kompjuter ishin shtuar pikat që bëjnë fjalë për miratimin e lejes dhe sheshit të ndërtimit, prokuroria ka dërguar dokumentet e sekuestruara për ekspertim në Institutin e Policisë Shkencore. “Duke iu referuar aktit të ekspertimit grafik, datë 31.05.2013 të Drejtorisë së Policisë Shkencore, rezulton se pika (11) e proces-verbalit të mbledhjes së datës 24.03.2010 të KRRT-së së Bashkisë Vlorë është shkruar nga i njëjti person që ka shkruar edhe pjesën tjetër të proces verbalit të mbledhjes”- thuhet në dosjen e prokurorisë. Por sipas akuzës, gjatë hetimit të kësaj çështje ka rezultuar se pjesa tjetër e procesverbalit të mbledhjes së KRRT-së është shkruar nga e pandehura Eleni Dardhaj. “Nga hetimi rezulton se është e pandehura Eleni Dardhaj. Ndërsa në anën e majtë të proces verbalit të pikës (11) është ndodhet nënshkrimi i Kryetarit të Bashkisë Vlorë. Si rrjedhim, edhe vendimi i shkurtuar me nr.1/11, datë 24.03.2010 Bashkisë Vlorë, vendim i cili është dorëzuar nga administratori i shoqërisë “EN-BJO” sh.p.k, i pandehuri Gentian Sherifaj, është me përmbajtje të falsifikuar”- thotë prokuroria. Për të dy rastet, prokuroria ka kërkuar edhe ekspertimin teknik në fushën e urbanistikës, në bazë të dokumentacionit të sekuestruar në bashkinë Vlorë, i cili ishte paraqitur nga dy kompanitë që do të kryenin ndërtimin e dy objekteve. “Nga akti i ekspertimit ka rezultuar se në dokumentacionin e ndodhur në dosjen përkatëse të administruar nga Bashkia Vlorë nuk ka asnjë lloj dokumenti tekniko ligjor, që të mund të çojë në dhënien e lejes dhe sheshit të ndërtimit”, – kanë konkluduar ekspertët. Ky akt, sipas prokurorisë është një tjetër provë që tregon se leja e ndërtimit është dhënë mbi bazën e një dokumenti të falsifikuar dhe pa përmbushur asnjë kriter ligjor nga ana e ndërtuesve, të cilët kishin shprehur interes pranë Bashkisë Vlorë.
Zyrtarët e ALUIZNI, të përfshirë në pallatin 13-katësh
Zyrtarë të ALUIZNI-t të Vlorës, sipas prokurorisë dyshohet se janë përfshirë në aferën që ka të bëjë me njërin prej pallateve. Mënyra e përfitimit të këtyre tokave, sipas prokurorisë implikon zyrtarët e legalizimeve, të cilët kanë përfshirë në proces objektet e ndërtuara në zona që ishin përcaktuar si parqe më parë. Sipas prokurorisë, në rastin e truallit ku është ndërtuar objekti 13-katësh në bulevardin kryesor të qytetit të Vlorës, ALUIZNI ka pajisur me leje tre pronarët e tokës. “Në rastin konkret, të tria pasuritë e paluajtshme të të pandehurve Mustafa Tartari, Artan Ferati dhe Aleks Ahmataj, të kualifikuara për legalizim, janë pajisur me lejë legalizimi”,- thotë prokuroria. Por ky proces kërkon ende verifikime, pasi trualli që ndodhet në bulevardin Vlorë-Skelë, përballë Teatrit “Petro Marko”, në vendin e quajtur “Tre Racat” në Vlorë, është përfshirë në planin e miratuar me vendimin nr.5, datë 21.08.2002 të KRRTRSH-së, si dhe Rregullorja e Planit të Përgjithshëm të zonës qendrore të qytetit, i miratuar me vendim të KRRTRSH-së.
“Ky plan rregullues parashikon në zonën qendrore ndërtime deri në 12 kate, ndërsa lidhur me pasuritë konkrete të mësipërme për të cilat është miratuar leja e legalizimit, në studimin urbanistik është parashikuar që të jetë zonë e gjelbër, që do të thotë se nuk mundet të bëhet ndërtim”, – thotë prokuroria. Sipas akuzës, në këto rrethana kanë filluar hetimet edhe për shqyrtimin e këtyre situatave, ndër të cilat dyshohet se janë të përfshirë edhe zyrtarë të ALUIZNI-t Vlorë.