Jurgen Klisman është njëri ndër kandidatët më favorit për të marrë drejtimin e stolit të Anglisë. Sipas "Sky Sports News", legjenta e futbollit gjerman ka hedhur kartat në lojë pas vendit vakant që Roi Hoxhson la me dorëheqjen e tij.
Ky i fundit u tërhoq nga drejtimi i kombëtares pas eliminimit në Europian nga Islanda në takimet e vlefshme për 1/8-at.
Duke folur për "Daily Mail", Jamie Carragher ka mbështetur idenë e një trajneri të huaj për drejtimin e kombëtares angleze, sidomos kur bëhet fjalë për një figurë si Klismani.
"Nuk do të isha kundër idesë për të nominuar Jurgen Klisman, që ka qenë në gjysmëfinale të Kupës së Botës me Gjermaninë dhe në gjysmëfinale të Kupës së Amerikës me SHBA-në dhe për më tepër, njeh lojën tonë",-ka thënë ai.
Por anglezët duket se kanë ndryshuar qëndrimin e tyre për drejtimin e kombëtares së futbollit. Administraroti i FA-së Martin Glenn, hapi dyert që trajneri i ardhshëm të jetë i huaj.
"Po kërkojmë personin më të mirë, jo anglezin më të mirë",-ka thënë ai.
Klismani ka fituar Kupën e Botës si futbollist me Gjermaninë në vitin 1990 dhe ka zënë vendin e tretë në Botërorin e 2006-s si trajneri i kësaj kombëtareje.
Ndërkaq, "The Sun" shkruan se edhe emra të tjerë kanë shfaqur interes për drejtimin e "Tre Luanëve" si: Gareth Southgate, Glenn Hoddle, Eddie Hoëe e Alan Shearer.