Anglezi qe pa koken e Ali Pashes...Dhe pak biznes kokash

Anglezi qe pa koken e Ali Pashes...Dhe pak biznes kokash

“Ngaqë Aliu kishte qenë pasha, koka e tij qe trajtuar me respektin që i takonte rangut që kishte pasur. Në vend që të vihej te porta e Sarajit, siç veprohej zakonisht, ajo ishte vendosur në një legen mbi një shtyllë mermeri pak të lartë, ku i ngjante pikë për pikë kokës së prerë të Gjon Pagëzorit. Mbi të ishte vendosur një shkrim me akuzën ndaj tij. Një bostanxhi i rrinte anash me një shufër në dorë: kur mbërrita unë, më hapën vend që të mund ta kundroja atë spektakël.


Turqit janë shumë ekspertë në artin e përgatitjes së kokave që i ekspozojnë kështu. Forma e jashtme, tiparet, shprehja e fytyrës ruhen sikur koka të mos ishte prerë nga trupi. Fytyra e Aliut ishte trashaluqe dhe jo vetëm që s’mbante gjurmët e një moshe të shtyrë, por kishte një shprehje madhështie e energjie: tiparet e tij ishin të mëdha, të pëlqyeshme, dhe dëshmonin për një burrë që duhej të kishte pasur pamje hijerëndë. I dalloheshin shenjat e çiltërisë e të haresë, nën të cilat gjithsesi ai kishte fshehur një zemër mizore e të pabesë. Ballin e shogët e kishte mjaft të gjerë, majë kokës kishte një tufë flokësh simbas zakonit të shqiptarëve modernë dhe të grekëve të vjetër të të njëjtit vend. Mjekrën, të hirtë në argjend, nuk e kishte fort të gjatë. Shumë veta lexonin me vëmendje të madhe shkrimin e vendosur mbi kokën e Aliut; i thashë jeniçerit që më shoqëronte se do të më pëlqente ta kisha kur ai mbishkrim të mos duhej më dhe, duke qenë se turqit bëjnë gjithçka për parà, i premtova një shpërblim të mirë. Ai ia tregoi dëshirën time bostanxhiut dhe, mbas disa ditësh, ma solli atë mbishkrim, të cilit po i bëj këtu një facsimile me përkthimin fjalë për fjalë.


Ali Pasha kishte tërhequr vëmendjen e mbarë Europës dhe sidomos të Anglisë. Një tregtari nga Stambolli i tha mendja se do të bënte allishverish të mirë po ta blinte kokën me gjithë legenin në të cilin kishte qenë e ekspozuar dhe t’ia dërgonte një tregtari tjetër në Londër për ta ekspozuar edhe aty në publik për kureshtarët. Më tha që kishte ofruar një shumë të konsiderueshme, mirëpo nuk kishte qenë ky fati i mbetjeve të Ali Pashës. Sulejman Dervishi, njëri nga kolegët e tij të vjetër, që i kishte shërbyer si agjent konfidencial në shumë negocime të rëndësishme, hartoi një plan më fisnik, ndonëse edhe ai musliman i mirë e kishte pësuar prej Aliut [...]. Nga përmbaruesi publik i ngarkuar me ekspozimin ai e bleu kokën e Aliut me një çmim shumë më të lartë nga ai që ofronte tregtari. Mandej bleu edhe kokat e tri bijve dhe një nipi të Pashait të Janinës, të cilat gjithashtu u prenë me shkase të ndryshme. I vendosi ato përkundrejt Portës së Selivries dhe u vuri përsipër nga një gur varri. Udhëtarët që hyjnë në Stamboll nga kjo Portë mund t’i shohin këto monumente dhe të mësojnë se cili qe fati i kokave që ndodhen brenda tyre. Mbi varrin e Aliut Sulejmani porositi e u gdhend ky mbishkrim:


“Këtu prehet koka e fort të shkëlqyerit Tepedelenli-Ali-Pasha, qeveritar i sanxhakut të Janinës, që për më shumës se pesëdhjetë vjet punoi për pavarësinë e Shqipërisë”.”
Nga: Robert Walsh, Narrative of a journey from Constantinople to England, London, Frederick Westley and A. H. Davis, 1828.

 


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama