Në vitin 1999, e sapomartuara me Steve Crandon mori nën kujdestari të miturin shqiptar, të paraqitur në Uells si i deportuar nga dhuna serbe në Kosovë. Julia i dha fund martesës 7-vjeçare me bashkëshortin e saj, Steve Crandon, i cili është shprehur se ndihet i shokuar për lidhjen e gruas së tij me djalin që e kishin trajtuar si fëmijën e tyre. Por jeta e re e çiftit, me diferencë moshe 13 vjet, ka filluar të trazohet nga mediat e huaja. Në raportimin e djeshëm të së përditshmes britanike “Daily Mail” rrëfehet historia e plotë e tyre, e cila pati pikën kulminante kurorëzimin në një kishë të vogël para pak ditësh.
Njohja
Në vitin 1999, Krenar Lleshi ishte vetëm 14 vjeç kur hyri në territorin anglez. Ai ishte paraqitur si shtetas nga Kosova, pikërisht në kohën e valës së dhunës serbe. Pasi është marrë për trajtim në një kamping, çifti Steve Crandon dhe Julia Gregg, të sapomartuar, kanë marrë nën kujdesje të miturin shqiptar një vit më pas. Sipas “Daily Mail”, ata e kanë “birësuar” Krenarin në vitin 2000, duke u kujdesur për veshjen, ushqimin dhe arsimimin e tij. Por me rritjen e tij, gjërat filluan të lëvizin në familjen Crandon, pasi çifti anglez kishte birësuar edhe disa fëmijë të tjerë të huaj. Ndërkohë, raportet mes Julias dhe Steve filluan të acaroheshin. “Lidhja jonë lindi pasi martesa ime mori fund. Steve më kishte kuptuar shumë mirë”, - rrëfen Julia Gregg historinë e saj të re, duke pohuar se e kishte braktisur bashkëshortin kur martesa me të kishte marrë fund dhe se më pas kishte rënë në dashuri me Krenarin.
Martesa
Larg zhurmës, në kishën e vogël të Shën Anës, në fshatin Nantyglo, Julia Gregg ka zhvilluar ceremoninë martesore me djalin që kishte “birësuar” prej 7 vitesh. Të pranishëm në kishën ku do të bëhej kurorëzimi kanë qenë dy dëshimtarë dhe vajza 1-vjeçare e Julias, Hattien, si dhe qeni i familjes. “E dija se shumë njerëz do të na përflitnin prandaj deshëm që kjo të ishte një ceremoni shumë speciale dhe tepër private”, - tha 34-vjeçarja për ceremoninë e re martesore. Më tej, ajo vijon rrëfimin: “Unë nuk u kisha thënë as motrave të mia. U çuditën kur e zbuluan atë që kishte ndodhur mes meje dhe Krenarit”. Julia shton se e dinte që shumë njerëz e kishin përgojuar. “Ka qenë ndër ditët më të gëzuara të jetës sime”, - u shpreh Julia Gregg pas martesës së re.
Reagimi
Ai që e ka përjetuar më keq këtë lidhje ka qenë Steve Cardon, ish-bashkëshorti i Julias, i cili tashmë ka mbyllur kapitullin e martesës 8-vjeçare me të, ku ndihet deri diku fajtor për fundin e saj. “Djali që unë e kisha trajtuar si një fëmijë kishte shkuar në shtrat me gruan që unë e desha”, - thotë Steve për “Daily Mail”. “U ndjeva si budalla dhe kështu fillova të mendoja për të gjitha herët që ata të dy kishin ndenjur bashkë”, - thotë Steve. Ai thotë se është shokuar kur ka marrë vesh lajmin e lidhjes mes tyre. “Besoj se dy njerëz si ata nuk duhej kurrë të bënin diçka të tillë”, - përfundon Steve.
Krenar Lleshi ndodhet në Britani që prej vitit 1999. Edhe në kohën e kujdestarisë nga çifti Julia Gregg dhe Steve Crandon, përshkruhej si një njeri model në sjellje. Krenari kishte një leje të veçantë qëndrimi në Britani nga Ministria e Brendshme e këtij vendi, pasi familja e tij e kishte braktisur vendlindjen në Kosovë dhe nuk kishte ku të strehohej.
Marre nga : Gazeta Albania