Anglezja qe kerkon udhen e Durhamit

Anglezja që kërkon udhën e Durhamit
Një dashuri alla Durham, që duket se nuk e ka zhgënjyer. Së fundmi, qëllimi i etnologes Antonia Young është krijimi i një programi për ndihmën e fëmijëve shqiptarë të zonës veriore, dhe përpjekja për ta integruar, një areal krejt të harruar nga qeveria qendrore me kërkesat turistike të Qytetërimit të sotëm. “Shpresa e Programit të Verës, Thethi, është ai që do të mundësojë sa më shumë njerëz të jetë e mundur të kenë fatin të vinë në këtë vend dhe të shfrytëzohet edhe avantazhi i madh-që ne kemi prej një grupi vullnetarësh entuziastë anglishtfolës-që janë nga Anglia dhe disa të rinj shqiptarë Ambjentalistë që mbartin njohuri të gjëra për vendet e tyre të mrekullueshme dhe dëshirën për t’i mbrojtur dhe për tu kujdesur për to…., që të kthejnë shpresën këtu”, shprehet ajo. Fjalë të bukura dhe ide të mëdha. Realizimi i mbetet kohës, por më shumë ideve të qytetarëve britanikë që do të gjenerojnë në të ardhmen në këtë vend të mrekullueshëm dhe kaq të veçuar në Alpet tona në Veri...Antonia është nga njohëset më të mira të Alpeve Ballkanike dhe prezente në të për çdo vit...
Ku konsiston ideja e programit veror Thethi? Ju, gjithashtu menaxhoni dhe një Program për fëmijë. Mendoni se projekte të tilla janë të mjaftueshme për të rritur dëshirën dhe aftësinë e vendeve kaq të veçuara në Shqipëri?

“Programi edukativ është ingranuar shumë specifikisht me banorët e rajonit. Para së gjithash, ai lidhet me fëmijët e fshatit të Thethit (5 ditë në javë për tetë javë resht, në tre grupmosha) dhe e dyta të rriturit e fshatit, vetëm njëherë në javë. Ne shohim me sy se fëmijët nga fshatrat e afërt po ashtu dëshirojnë të afrohen në Program megjithëse neve nuk i kemi marrë deri më tani. Do t’i mirëpresim dhe mësojmë për vitet e ardhshme, sesa shumë duhet të kujdesemi.

Megjithëse kemi një ekipi shumë të përkushtuar shqiptar, na është dashur të rekrutojmë dhe personel. Sqaroj se kemi një komunitet shumë të përkushtuar, me të cilin unë kam punuar për gjatë 20 viteve. Ata më kanë kërkuar në mënyrë specifike mësimin e gjuhës angleze në të gjitha këto vite, sepse aktualisht është bërë e vështirë dhe gjithmonë e më vështirë për ta, ta kenë gjuhën e huaj në shkolla pas rënies së Komunizmit. Mësuesit e kanë lënë këtë vend dhe qeveria Qendrore i ka neglizhuar vendet rurale. Në fakt, që nga viti 1991 ka pasur mësues të huaj në shkollë. Pas vitit 1991, gjuha që ata kanë qejf të mësojnë është anglishtja. Ka qenë, në fakt, një holandez, i cili ndërtoi një shkollë vere për të mësuar anglishten në Theth nga viti 1993 deri në vitin 1996. Por, kur në vitin 1997 ndodhi shkatërrimi kombëtar prej rënies së Skemave Piramidale dhe që shkaktoi aq kaos në vend (2000 të vrarë vetëm në 6 muaj dhe një shkatërrim i tmerrshëm), ai nuk u kthye më. Në tre vitet e tjera, unë kam premtuar të bëja të gjitha gjërat me organizatën tonë që bashkëpunon (tani) dhe me një organizatë të përkushtuar me qytetin më të afërt, Shkodrën. Kjo është një qendër rajonale dhe Autoriteti Rajonal i është dhënë miratimi i plotë i Programit dhe diçka si Asistencë. Drejtuesi i Departamentit të Edukimit për të gjithë Veriun e Shqipërisë ka dhënë bekimin e tij, lejen për ta përdorur shkollën (është e ndërtuar për 600 nxënës, megjithëse shumë prej tyre kanë migruar tash), dhe vetë do të ndjekë edhe ceremoninë finale për të shpërndarë çertifikatat”.

Ju vetë keni udhëtuar çdo vit në Shqipëri dhe keni vërejtur: një kthim të malësorëve shqiptarë dhe “fillimin e nj shprese, veçanërisht përmes mundësisë së këtij turizmi mbështetës”, si shpreheni. A mendoni se projekte të tilla i inkurajon ata që të kthehen pas në vend?

“Në vizitat e mia të rregullta në Theth, ku kam kaluar 3 vjet duke punuar me një projekt për Luginën e Shalës, si Drejtues i një grupi etnografik, kam përcjellë bashkëbisedime intensive me shumë familje. Tema e vazhdueshme, që unë dëgjoj për çdo vit mbetet ajo që: jeta është shumë e vështirë, infrastruktura shumë e varfër dhe se njerëzit e mbetur (pasi është rritur emigracioni jashtë) janë detyruar që të emigrojnë për të dimëruar në Shkodër. Megjithatë, gati çdo një prej tyre shprehet se nëse do të përmirësoheshin kushtet (rruga, shkolla, pajisjet e shëndetit) dhe nëse ata mund të bënin një jetesë më të arsyeshme, do të ktheheshin. Verën e shkuar, fillova të shikoja provën e kësaj me ndërtesat e reja në pritje të ardhjes së vizitorëve të verës…”.

Të kthehemi dhe njëherë në Parkun e Paqes. Propozimi juaj lidhet me aftësimin e popullsisë lokale për të vazhduar të jetojë në luginat dhe vendet malore. Mungesa e infrastrukturës dhe problemi i gjakmarrjes, i mendoni si problem në projektin tuaj?

“Rruga shumë e varfër në drejtim të Luginës së Shalës, në të vërtetë, e ka ndaluar turizmin masiv, por mund të jetë dhe një avantazh, për t’i dhënë komunitetit kohë që të ndërtojë infrastrukturën në luginë në përgatitje për pritjen e një numri më të madh në kohë, kur të përmirësohet rruga. Për sa i përket gjakmarrjes, për fat kjo nuk është ndonjë problem i madh serioz në luginë. Megjithatë, ne kemi gjithmonë në vëmendje raste të ndryshme specifike dhe jemi të prirur të ndihmojmë punën në drejtim të bashkërendimit, duke e parë edukimin që të jetë baza e çrrënjosjes së problemit”.

A mendoni se dikur projekte të tilla do të mundësohen për një vit të tërë?
“Programi i Verës është vetëm një aspekt i vogël i punës në Parkun Ballkanik të Paqes. Ky është viti i parë, që ne e realizojmë atë dhe dëshira jonë që ta përsërisim dhe ta rrisim nga viti në vit. Pothuajse jemi në bashkëpunim me programe të ngjashme në Luginën e Valbonës dhe në vitet e ardhshme do sigurojmë që kjo do funksionojë dhe ndërkufitar, në bashkëpunim me NGO, që punojnë tashmë me B3P, dhe që mundësojnë shkëmbimet në mes të rinisë lokale të Malit të Zi dhe Kosovës me Shqipërinë. Megjithëse kjo përpjekje është bërë si një Program Veror, shpresohet që përfitimet do të vazhdojnë për çdo vit. Shpresa jonë konsiston në bashkëpunimin me lokalët për të krijuar një qendër turistike informacioni, e cila do vazhdojë që të funksionojë edhe pasi Programi të mbarojë. Në fundjavat, ku janë dhe të rriturit, shpresohet që komuniteti lokal të ketë pjesëmarrje në seminare (p.sh. aksionet për menaxhimin e hedhurinave, që është bërë një problem në rritje dhe i shëmtuar –dhe që në vetvete mund të bëhet edhe shkak i mosardhjes së vizitorëve potencialë).

Shkruan : Ben Andoni : Revista Mapo

Artikujt e fundit


Reklama

Reklama