Më shumë se 360 milionë paund janë shpenzuar gjatë kësaj merkatoje të verës, edhe pse kanë kaluar vetëm 2 javë nga hapja zyrtare e saj. Gjatë këtyre ditëve po flitet për një transferim të mundshëm të Pogbasë te Junajtid (100 mln £), Sane te Siti (42 mln £), Stons te Siti (50 mln £). Merkatoja do të mbyllet më 31 gusht dhe me këto ritme Anglia pritet të jetë sërish "mbretëresha" e transferimeve.
Në sezonin e kaluar u shpenzuan në total 814 milionë paund, ndërsa këtë herë pritet që shifra të jetë më e lartë duke kapur edhe 1 bilion paund. Tani në Angli ka edhe skuadra si Kristal Palas (përpara disa vitesh ishte një kategori më poshtë) që mund të bëjë oferta mbi 30 milionë paund për një lojtar. Më shumë se katër futbollistë janë transferuar për këtë shifër deri tani në Angli. Por mos u surprizoni nëse shifra e mësipërme të trefishohet apo katërfishohet për futbollistë si Pogba apo të tjerë.
Çfarë ndodh?
Të drejtat televizive për kampionatin anglez kanë kapur një shifër rekord, 8 bilionë paund për 3 sezonet e ardhshme. Kjo gjë u jep klubeve një fuqi financiare të madhe dhe mundësi të shumta për të bërë ndërhyrje në merkato. Nëntë nga 20 klube në "Deloite Football Money" (renditja e ekipeve më të pasura) ishin nga Anglia. Kjo shifër sigurisht që do të rritet. Tim Brixh, menaxher i kompanisë që merret me të ardhurat e klubeve, shpjegon se të ardhurat televizive i ndihmojnë shumë klubet.
"Në Angli bëhet një qarkullim i madh i parave sepse skuadrat përfitojnë shumë nga të drejtat televizive. Kjo i ndihmon që të bëjnë merkato të fuqishme. Diçka e tillë i ndihmon për të përmirësuar edhe bilancin duke u nisur nga rregullat e vendosura nga UEFA", thotë ai. Fuqia financiare e fituar nga të drejtat televizive u jep luksin skuadrave që në letër mund të konsiderohen edhe të vogla për të mos u joshur nga ofertat që vijnë nga ekipe më të mëdha.
Rast konkret: Uatfordi vendosi të refuzonte një shifër të majme për sulmuesin Odion Igalo. Ata nuk pranuan një ofertë 38 milionë paund. Specialisti Brixh shpjegon se çmimi i tij mund të shkojë edhe 100 milionë paund në rast se ai dëshmon edhe një herë tjetër këtë ecuri në kampionatin anglez. Nëse shënon më shumë se 20 gola, atëherë Uatfordi nuk do të joshet as nga 50 milionë paund. Për këtë fakt, skuadrat angleze janë shumë të fuqishme financiarisht dhe konkurrojnë denjësisht në arenën europiane në merkato.
Kjo është një nga arsyet pse ekipe të tjera në Itali, Francë apo Spanjë nuk e kanë forcën për të ofruar miliona euro dhe trendi i merkatos duket se po bëhet me shifrat e çmendura me të cilat operon Anglia. Por, edhe ekipet që shesin futbollistë e kanë kuptuar diçka të tillë dhe tregohen "dinakë" në marrëveshjet e ndryshme që bëjnë. Nëse një futbollist i tyre kërkohet nga ekipet angleze, atëherë çmimi rritet menjëherë, ndërsa për ligat e tjera tregohen më të arsyeshëm sepse e dinë që nuk kanë forcën e duhur financiare.