Anila Bisha Jeta ime mes aktrimit dhe kabinetit Basha

Anila Bisha: Jeta ime mes aktrimit dhe kabinetit 'Basha'
Aktorja e njohur Anila Bisha prej pak javësh është shfaqur në ekranet televizive si zëri i bashkisë së kryeqytetit. Një detyrë, që vetë Anila e sheh si një përgjegjësi dhe sfidë me vetveten. Dhe nga ana tjetër një mundësi për të përfaqësuar intelektualët në pozicionin që ndodhet. Po si janë marrëdhëniet e saj me kryetarin e bashkisë, Lulëzim Basha? Si do të arrijë ajo të jetë prezente edhe në Teatër? Si do t’ua vjedhë kohën fëmijëve të saj? Le ta ndjekim së bashku në këtë bisedë me Anilën.

Anila, tashmë shfaqeni në ekranet televizive si zëdhënëse e bashkisë së kryeqytetit. Ç’do të thotë për ju ky pozicion?

Po ta përkufizoja me një fjale të vetme do të thoja “përgjegjësi”, por për hir të së vërtetës është shumë më tepër. Unë vij nga shoqëria civile dhe kurrë nuk e kam menduar veten të punoj apo të kontribuoj në administratë shtetërore dhe tashmë ky pozicion është për mua edhe një sfidë me vetveten.

Si e keni pritur?

S’e di…. Pa dyshim me mjaft ngurrim, pse jo edhe me ndroje. Është diçka që kurrë s’e kisha menduar dhe prapë i them vetes mos po braktis ëndrrën, “mos po largohesh nga ajo që për ty ka qenë e vetmja gjë që mendoje se mund të bëje?!”… Nuk e di, por po shoh që edhe këtu ka shumë risi që ma bëjnë kreative punën që shumëkush mund ta quajë të rëndomtë, një detyrë administrative, si të thuash, një teknokrate. Jo, ndihem mjaft mirë në fillesat e mia!

Përveç lajmit, informacioneve, duhet që t’u jepni përgjigjeve edhe gazetarëve. Keni pasur ndonjë frikë, ndonjë hezitim në këtë pikë?

Për hir të së vërtetës sot në bashki bëj shumë punë. Jam e kënaqur dhe ndihem mirë në çdo moment që unë kontribuoj. Dua që gjërat në Bashki të shkojnë mirë, dua që punët të shkojnë mirë dhe bëj çdo gjë që ajo që ne aspirojmë, që bashkia të jetë e qytetarëve, që ata të jenë të parët, të mos mbetet vetëm një slogan, por një realitet. Është fillimi dhe z.Basha punon vërtet “non stop” dhe unë e kam vështirë ta ndjek në tërësinë e aktivitetit të tij, por shpresoj që edhe ai të më kuptojë. Unë vij nga një ambient krejt tjetër dhe sigurisht ca “rregulla”nuk i di apo nuk i “zbatoj”! Besoj që vetë ai kërkon nga unë të përcjell tek ai zërin e shoqërisë civile, zërin e intelektualëve dhe këtë mundohem ta kem parasysh në çdo kontakt që unë kam me të.

Cila mendoni se është pika juaj më e fortë për pozicionin që keni?

Do të thoja që pyetja juaj duhej bërë ndryshe. Unë nuk mbështetem te pikat e mia “individuale të forta”, unë kërkoj dhe do të përpiqem që gjithmonë të përfaqësoj dhe të mbroj opinionet dhe pikëpamjet e shoqërisë civile, zërin e intelektualëve. Unë detyrën time si këshilltare dhe si zëdhënëse nuk e shoh si detyrë administrative, por si një privilegj, si një mundësi dhe si një kontribut për Tiranën, qytetin tonë ku kemi lindur, ku jemi rritur, jemi bërë prindër dhe që duam që edhe ata të bëhen qytetarë të Tiranës dhe për këtë duhet që Tiranën tonë ta bëjmë një qytet atraktiv të jetueshëm, minimalisht joshës, që fëmijët tanë të mos emigrojnë, por të vijnë dhe jetojnë këtu! Dhe që, në këtë mund të jem edhe pak egoiste, por do të doja që në pleqëri të mos e ndieja veten të braktisur por të kisha mundësi të rrisja nipërit dhe mbesat dhe të shijoja kënaqësinë që ata do të më jepnin.

Çfarë truku të profesionit të aktores do të përdorni në rolin tuaj të zëdhënëses?

Përveçse teknikës së të folurit skenik, që tashmë pas një jete aktive artistike 20-vjeçare është bërë organike, nuk mendoj dhe nuk është e nevojshme të përdorësh ndonjë “truk”. Zëdhënësja është përçuesja e qëndrimit të kryetarit të bashkisë. Ajo vërtet nuk është thjesht një “altoparlant” i kryetarit, por një dritare komunikimi mes Bashkisë dhe qytetarëve. Dhe për t’ia arritur kësaj nuk duhet një truk profesional, por sinqeritet dhe thjeshtësi. Aq më tepër, kur z.Basha e ka theksuar edhe gjatë fushatës, por po e bën realitet nga dita në ditë, se çdo gjë, çdo aktivitet do të jetë transparent.

Bashkëshorti juaj si e priti përfshirjen tuaj më të madhe tashmë në politikë?

Shumë më thonë që tashmë unë jam përfshirë në politikë. Nuk e di dhe s’e kuptoj vërtet këtë pyetje. Unë po përpiqem dhe do të përpiqem, që të jem zëdhënësja jo vetëm e kryetarit të bashkisë, por kryesisht zëdhënësja e shoqërisë dhe e intelektualëve te kryetari!

Kur Besniku i hyri politikës ju vetë nuk keni qenë shumë dakord. Çfarë ju bindi që ju të bëheshit pjesë e saj?

Është e vërtetë që s’kam qenë dakord atëherë që Besniku të përfshihej në politikë, sepse doja që ai të mos largohej nga krijimtaria e tij. Sot mendoj disi ndryshe… E theksova edhe më sipër, që do të kontribuoj si përfaqësuese e juaja në “politikë”!

Përsa i përket aktrimit, kë do të vlerësonit si suksesin tuaj më të madh?

Është një shprehje klasike si përgjigje e këtyre pyetjeve ”rolin që s’e kam bërë akoma”. Kam në projektet e mia një rol në filmin e ardhshëm të Besnikut dhe në qoftë se ai realizohet, shpresoj shumë që të jetë një referencë arritjeje në karrierën time artistike.

Do të punoni paralel me profesionin tuaj, apo do t’i largoheni disi aktrimit tani?

Është një moment që dua ta sqaroj mirë. Unë kontribuoj në bashki si këshilltare e jashtme dhe kurrë s’më ka shkuar në mendje të largohem nga arti, pra nga Teatri Kombëtar.

Çfarë emocioni ndjetë kur bëtë deklaratën e parë publike si zëdhënëse e Bashkisë?

Emocion të paparë, isha zëri i një ere të re, i një epoke të re që po niste. Privilegj që rrallë kujt i vjen në jetë, më erdhi dhe jam e lumtur!

Fëmijët çfarë përshtypje ju dhanë?

Më vjen keq që ata e përjetojnë me emocion “detyrën time të re”. Shpresoj që ata ta asimilojnë sa më natyrshëm këtë ndryshim në jetën e tyre. E them këtë sepse ata janë mësuar, ashtu si edhe unë, të jemi shumë pranë njëri-tjetrit, por tashmë që dita ime e punës është më e zënë ata, por edhe unë, do ta ndiejnë mungesën e njëri-tjetrit. Sidoqoftë, atyre do t’u mungojë mamaja dhe mua fëmijët.

Një zëdhënëse duhet të jetë model edhe me stilin e saj. Në këtë drejtim keni filluar ndërrimin e garderobës?

Jo, mendoj krejt ndryshe, unë do të jem siç kam qenë deri më sot, vetvetja, por duke respektuar institucionin.

Artikujt e fundit


Reklama

Reklama