Ilir Daja, është shfaqur nervoz pas barazimit me Tërbunin në mikrofonin e "Supersportit". Ai nuk e ka fshehur zemërimin me arbitrimin, që sipas tij lejoi lojë të dhunshme. "Nuk mund të luhet futboll në këto kushte. Fukui mori goditje pa fund dhe arbitri nuk dha asnjë karton, ka pasur dhunë në fushë, sidomos në pjesën e parë dhe arbitri nuk bëri asgjë. Kam dëgjuar edhe dhunë verbale, në këto kushte nuk kam ç'farë t'u them lojtarëve.
Nuk është normale edhe që ne të jemi rivalë direktë me Teutën dhe anësorët e ndeshjes sot të vijnë nga Kolegjiumi i Durrësit. Nuk i paragjykoj, por nuk është logjike kjo gjë.
Ne do të vazhdojmë të luftojmë deri në fund, pavarësisht se është shumë e vështirë me këto gjykime. Nuk e kam vetëm për një penallti të padhënë, por për një ndeshje të tërë ku gjykimi ishte skandaloz.
Në vazhdimësi u kam kërkuar që të mos e shohin gjykimin se alibi, por në këtë ndeshje ka pasur dhunë dhe arbitri e toleroi. Në këto kushte, nuk mund t'u them lojtarëve që të sakrifikojnë dhe t'u thyhen këmbët", deklaroi Daja pas ndeshjes.